English

Transferimi i studimeve dhe programe të dyta studimi. Aplikimi deri në 6 tetor

Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton të gjithë studentët që dëshirojnë të transferojnë studimet e tyre në një Institucion Publik të Arsimit të Lartë, ose që dëshirojnë të vazhdojnë një program të dytë studimi, se mund të aplikojnë pranë këtyre institucioneve deri në datën 6 tetor.

Për programet e studimit që parashikojnë konkurs për pranimin e tyre, aplikimet kryhen nga data 1 tetor deri në datën 3 tetor 2014.

Nga këto kuota, nuk përfitojnë studentët që transferojnë studimet nga institucionet private të arsimit të lartë së cilëve u është hequr licenca. Këta të fundit do të aplikojnë sipas Udhëzimit përkatës për ta, Nr. 33 datë 19.09.2014, direkt pranë IAL-ve përkatëse.

Transferimi i studimeve mund të bëhet në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm të të njëjtit cikël e tipologji. IAL-të nuk mund të pranojnë aplikime për transferime gjatë vitit akademik, por vetëm sipas afateve të përcaktuara në Udhëzimin Nr.36 të datës 01.10.2014

Të gjithë studentët e interesuar të ndjekin faqen zyrtare të MAS-it, në lidhje me dokumentacionin që duhet të paraqesin pranë IAL-ve.

Aplikimet për transferimin e studimeve dhe për program të dytë studimi do të shqyrtohen nga komisionet e ngritura për këtë qëllim nga IAL- të , të cilat më pas do të shpallin edhe fituesit.

Pas shpalljes së fituesve, nëse ata nuk paraqiten për regjistrim brenda datës 15 tetor, IAL-të do të vijojë me shpërndarjen e kuotave për kandidatët e tjerë.

Udhëzim Nr. 36, datë 01.10.2014 për "Kriteret dhe procedurat e pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve që aplikojnë për transferim të studimeve dhe për program të dytë studimi në programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2014 - 2015"

KOMENTE