English

Super këshilla për gastritin dhe Ulçerën, sinjozitin, veshkat, gurët në tëmth

Disa këshilla për sëmundjet e stomakut

Gastriti është inflamacioni i mukozës së stomakut, pra i shtresës që mbulon stomakun nga brenda dhe kontakton me ushqimet. Është një sëmundje që shihet shpesh sidomos tek të moshuarit. Më shpesh vihet re në formën kronike. Në krahasim me ulcerën ka një dëmtim më sipërfaqësor, por edhe mund të depërtojë më thellë në shtresat e qelizave të stomakut. Më së shumti formohet prej një infeksioni bakterial dhe kjo bën që me një kurë të mirë antibiotikësh të kurohet. Megjithëse shihet shpesh në të shumtën e rasteve kalon një kohë të gjatë pa dhënë shenja.

Shkaktarët

Shkaku më kryesor është një infeksion kronik i shkaktuar nga bakteri Helikobakter Pylori. Është një baterie shumë e përhapur në të gjithë botën. Së dyti mënyra dhe lloji i ngrënies ndikojnë në formimin e gastritit. Ushqimi i keq dhe alkooli dëmtojnë mukozën e stomakut. Gjithashtu përdorimi i duhanit rrit aciditetin e stomakut duke stimuluar nervin e stomakut. Stresi është një faktor tjetër për gastritin. Pra çdo gjë që bëhet shkak për rritjen e aciditetit të stomakut mund të shkaktojë edhe gastrit. Ka edhe disa ilaçe që mund të shkaktojnë gastrit mes tyre aspirina apo ilaçet qetësuese që përdoren kundër dhimbjeve të ndryshme apo në sëmundjet reumatizmale. Gjithashtu edhe gjatë sëmundjeve të ndryshme si insufiçenca e veshkave apo e mëlçisë mund të formohet gastrit.

Simptomat

Gastriti ndahet në akut dhe kronik. Gastriti kronik zakonisht ose nuk jep shenja ose shenjat e tij janë sipërfaqësore. Inflamacioni në stomak ka zgjatur për një kohë të gjatë. Mund të japi të vjella, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, nauze (përzierje të stomakut), gogësimë, pakësim të oreksit dhe fryrje të stomakut. Gastriti akut shkakton djegie në stomak dhe dhimbje. Kur i sëmuri është i pangrënë dhimbjet rriten. Përzierje të stomakut dhe të vjellat edhe këtu shfaqen. Ilaçet për të cilat folëm më lart apo alkooli mund të shkaktojnë plagë në stomak dhe kjo bën që të ketë hemorragji. Gjaku i përzier me aciditetin e stomakut mund të shfaqet me ngjyrë të errët gjatë të vjellës.

Diagnostikimi

Duhet të shkoni tek një gastroenterolog. Edhe vetëm fjalët dhe ankesa e të sëmurit bile mund të mjaftojnë për diagnostikim. Sidomos tek të rinjtë me anë të ilaçeve mundohet të ulet aciditeti i stomakut. Tek ata më të rriturit (> 40 vjeç, por herë pas here edhe tek të rinjtë) duhet bërë diagnostikimi me anë të endoskopisë (sondës). Nëse nevojitet duhet marrë edhe kampion prej mukozës së pacientit. Sonda është e lehtë për t’u kryer dhe pacienti nuk ndjen dhimbje.

Kurimi

Së pari duhet të themi se gastriti duhet kuruar patjetër. Nëse ndër shkaktarët e tij nuk është infeksioni bakterial ilaçet për uljen e aciditetit apo për mos formimin e tij do të mjaftojnë. Këto ilaçe shoqërohen me dietë. Nëse pi cigare apo alkool duhet t’i lerë. Nuk duhet të përdorë aspirinë apo ilaçe qetësuese pa pyetur doktorin. Paracetamoli nuk bën dëm. Nëse shkaktari është bakteri Helikobakter Pylori atëherë kura me antibiotikë është i domosdoshëm.

Disa këshilla për sëmundjet e stomakut
- Mjekët janë të mendimit se është më mirë të hahet nga pak dhe shpesh.

- Mos hani para gjumit pasi vazhdimi i punës edhe natën e lodh stomakun.

- Hani minimumi 3-4 orë para gjumit.

- Hani me kafshata të vogla për tu përtypur dhe tretur më mirë.

- Mos hani në këmbë apo shpejt.

- Mos hani ushqime shumë të nxehta apo shumë të ftohta.

- Mos u shtrini menjëherë pas ushqimit.

- Mos bëni ushtrime gjimnastikore pas ushqimit.

- Ushqimet me kafeinë (kafeja, kola, çaji) nuk ju bëjnë mirë.

- Ushqimet apo pijet me aciditet (p.sh lëng portokalli) hollojini me ujë.

- Mos përdorni alkool apo cigare.

- Mos përdorni të skuqurat.

- Mos përdorni shumë qepën.

- Mos përdorni shumë çokollatën.
Ulcera, si mund të frenohen dhimbjet

Personat më të prekur nga sëmundja e ulcerës në stomak janë pikërisht meshkujt. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i shfaqjes së saj. Por meqenëse ulcera në më të shumtën e rasteve është e pranishme te personat, që konsumojnë pije alkoolike, mendohet se mund të jetë kjo arsyeja pse ajo është më e përhapur te meshkujt. Njerëzve që vuajnë nga ulcera në stomak nuk u rekomandohet të pinë kafe. Konsumimi i saj do të ishte e dëmshme për shëndetin e tyre. Gjithashtu, nuk u këshillohet përdorimi i aspirinave. Njerëzit që konsumojnë alkool dhe që vuajnë nga kjo sëmundje duhet të tregojnë një kujdes të veçantë. Alkooli i marrë me aspirinën ose analgjezitë të ngjashëm rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku. Një prej mundësive efektive që përdoret për kurimin e ulcerës në stomak është mjalti. Vetitë e tij kuruese janë të dukshme nëse ai përdoret të paktën 4 lugë çaji mjaltë në ditë. Mjalti kishte në përbërje të tij elementë, të cilët kishin efekte regjenerues, sidomos te plagët. Ai i pastronte ato dhe i mbronte nga infeksionet e ndryshme. Për kurimin e kësaj sëmundjeje shpesh mjalti mund të përdoret me lëngun e gjetheve të murrizit. Çaji këtyre gjetheve duke u përzier me një sasi mjalti duhet lënë për 24 orë në një enë dhe më pas pihet nga 1 lugë çdo mëngjes. Lule basani është një nga bimët më të rëndësishme, që rekomandohet për kurimin e ulcerës në stomak. Çaji i përftuar nga zierja e kësaj bime në një përzierje me vajin e ullirit, lihet për rreth 40 ditë në një enë prej qelqi. Kur kjo masë të marrë një ngjyrë të kuqërremtë, atëherë mund të përdoret. Masa e krijuar në formë kremi mund të përdoret çdo mëngjes derisa ajo të japë rezultatin e dëshiruar.

Ushqimet që kurojnë sëmundjen:

- Banania jo e pjekur. Ajo favorizon shërimin e ulcerës gastroduodenale të lehtë.

- Duhet të ndiqet një ushqim i ekuilibruar, i pasur në zarzavate dhe fruta që të kenë vitamina C, e njohur kjo për mbrojtjen e mukozës së stomakut.

- Në të kundërtën duhen kufizuar proteinat shtazore dhe dhjamërat.

- Mishi, peshku ose veza duhen marre vetëm një herë në ditë.

- Duhet përdorur çaji nga bima e njohur e Bar-Bletës.
Gurët në tëmth

Formimi i gurëve në tëmth shkaktohet zakonisht nga një tepri e madhe e kolesterolit në lëngun e tëmthit. Kur njeriu, për shembull, gjatë natës nuk ushqehet, lëngu (vreri) qëndron në qetësi në tëmth. Kolesteroli kristalizohet dhe pastaj formon gurë të ngjashëm me gurët e vegjël. Gurët e tëmthit janë një sëmundje e përhapur në Shqipëri, ashtu si dhe gurët e veshkave. Obeziteti dhe diabeti, ose mungesa e veprimtarisë sportive, e shtojnë më shumë këtë mundësi. Nga pikëpamja anatomike fshikëza e tëmthit është një organ me gjatësi prej rreth 10 cm i gjatë dhe përmban rreth 50 ml vrer në një ngjyrë jeshile. Nga jashtë fshikëza e tëmthit mbulohet nga një membranë e hollë e vendosur poshtë mëlçisë, dhe që quhet peritoneum. Përgjithësisht njihen 3 lloje gurësh: kolesterinikë (që përbëhen nga kolesteroli), pigmentarë (që përbëhen nga polimeret e bilirubinës) dhe gurët e përzierë, që janë ata të zakonshmit. Sigurisht, shkak është se me e kalimin e moshës, rritet përqindja e kolesterolit në gjak. Jeta bëhet me sedentare, pra me më pak lëvizje.

Operimi

Shumica e gurëve të tëmthit, shpesh të një dimensioni të vogël, nuk japin asnjë shenjë apo simptomë dhe është e panevojshme t’i heqësh. Por kur ata sjellin dhimbje, duhet menduar për t’i hequr. Në fakt këto dhimbje shpesh pasohen me komplikacione të rënda. Gurët bllokojnë tëmthin, ose kanalet që e çojnë në zorrë, duke sjellë kështu një kolike hepatike (dhimbje e fortë e mëlçisë, kur guri bllokon daljen e tëmthit, zakonisht pas një ushqimi tepër të yndyrshëm), një kolecistit të fortë (si pasojë e infeksionit të pareteve të fshikëzës së tëmthit), angiokolit (me ethe gjer në 39°-40° që mund të çojë dhe në septicemi, infeksion i përgjithshëm në gjak), apo një pankreatit (inflamacion të pankreasit).

Përdorimi i rigonit për gurët

Të gjithë i njohin vlerat e rigonit në gatim. Jo vetëm kaq, po përveç shijes aq të mirë që u jep ushqimeve, është dhe mrekullia që bën kjo bimë edhe në mjekësinë popullore. Kjo erz aq e njohur në çdo kuzhinë shqiptare, ndihmon në lehtësimin dhe parandalimin e shumë sëmundjeve. Si shumë bimë të tjera edhe çaji i përgatitur me degët e rigonit të njomë jep rezultate të menjëhershme në rastet e dhimbjeve të kokës me prejardhje nervore. Një gotë çaj do të sillte qetësinë që ju mundonte prej kohësh. Çaji i kësaj bime ndihmon edhe në rastet kur aparati tretës nuk e kryen mirë funksionin e tij, kur ka vështirësi në tretjen e ushqimit. Për të lehtësuar organizmin nga ushqimi i tepërt këshillohet të pihet menjëherë një gotë nga çaji i rigonit.

Përgatitja e çajit

Vetitë e rigonit në kurimin e sëmundjeve e kanë bazën te përbërësit e tij. Kjo bimë është e pasur me vaj kariofilenë, timolo, karvarkrolo dhe terpininë. Janë pikërisht këta komponentë që i japin bimës vlera kuruese. Për përgatitjen e çajit të rigonit nevojitet një litër ujë i ftohtë dhe në të vendosen 40 gramë nga bima në lulëzim. Zihen për 10 minuta, më pas kullohet lëngu dhe pihet i pa ëmbëlsuar. Pjesa që ndihmon në kurimin e sëmundjeve është e gjithë bima, por mund të përdoren edhe gjethet e saj, të mbledhura gjatë kohës së lulëzimit nga qershori deri në shtator.

Rekomandimet

Për të gjithë specialistët e shëndetësisë, gurët në tëmth janë një problem jo shumë i rëndë. Sipas tyre, kjo sëmundje nuk rrezikon jetën e njerëzve dhe mbi të gjitha nuk është e trashëgueshme. Kujdes duhet të tregohet në mënyrë të veçantë me përdorimin e ushqimeve që kanë sa më pak kripë, përdorimi i sa më shumë litrave ujë si dhe evitimi i gjërave të skuqura. Për të sëmurët që vuajnë nga gurët në tëmth, mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e 2 deri 3 gotave në ditë të këtij çaji. Mjekët këshillojnë që një gotë të pihet herët në mëngjes, kur nuk keni ngrënë ende mëngjes, pasi jep efekte të jashtëzakonshme në shkrirjen e gurëve. Gjithashtu, rigoni është mjaft i mirë edhe për parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë. Të sëmurët nga mëlçia duhet të pinë çdo mëngjes dhe mbrëmje çaj rigoni të pa ëmbëlsuar. Shumë shpejt do të shohin efektet pozitive që ai jep.

Ç’rregullimet

Këto çrregullime mund të shkojnë deri në diarre. Për të lehtësuar këtë fenomen, mjekët këshillojnë që çaji të pihet disa herë gjatë ditës, në mënyrë që problemi të eliminohet më shpejt. Edhe në rastet kur njerëzit vuajnë nga kapsllëku dhe që shoqërohet me dhimbje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, mjekët popullorë rekomandojnë çajin e rigonit. Ata këshillojnë pirjen e 4 gotave çaji në ditë.
Paketë këshillash

-Për përgatitjen e çajit të rigonit është mirë të përdoret bima e njomë e rigonit

-Edhe gjethet e thara në hije të bimës shërbejnë për kurimin e sëmundjeve

-Në rastet kur keni probleme me tretjen, pini një gotë me çajin e bimës

-Përdoreni erzën në ushqime. Përveç shijes së mirë, parandalon sëmundjet

-Përdorni sa më pak ushqime të skuqura dhe kripë

-Pini sa më shumë lëngje dhe ujë natyral
Kura të tjera popullore për gurët në tëmth

Më shpesh gurët në tëmth formohen te gratë, të cilat i kanë kaluar 40 vjet. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit raporti midis grave dhe burrave, që vuajnë nga gurët është 2 me 1. Për kurimin dhe shkrirjen e gurëve në tëmth mjekësia popullore ka zbuluar mjekime nga më të shumëllojshmet.

Lëngu i lakrave turshi

Një mjekim për kurimin e gurëve në tëmth është edhe lëngu i lakrave turshi. Lëngu i turshive përzihet me dy gota vaj ulliri, duke i hedhur edhe lëngun e katër kokrrave limoni të shtrydhur. Masa e përftuar lihet e mbuluar për 5 orë. Më pas pihet për çdo 25 minuta nga një gjysmë gote. Pasi kanë kaluar 24 orë nga pirja e lëngut, i sëmuri nuk duhet të hajë e të pijë, duke vazhduar përsëri derisa masa e përgatitur të harxhohet. Edhe këlmuthi gjembor ka dhënë rezultate të mira në shkrirjen e gurëve të vegjël të tëmthit. Duhet të kihet parasysh që lëngu duhet të jetë i vakët përpara se të pihet. Kjo kurë duhet të ndiqet për një muaj. Edhe lule ajka ka dhënë rezultat në tretjen e gurëve, si dhe për të shtuar rrjedhjen e tëmthit.

Përzierja e verës së ëmbël me vajin e ullirit

Kura e përgatitur nga përzierja e verës së ëmbël me vajin e ullirit është mjaft frutdhënëse për këtë qëllim. Masa e krijuar zihet për pesë minuta dhe pasi ftohet pihet çdo mëngjes nga një gotë. Mjekimi me këtë kurë duhet të vazhdojë për pesë ditë. Jo vetëm vaji i ullirit shërben për kurimin e sëmundjes, por edhe gjethet e tij janë shumë të mira për parandalimin e gurëve. Gjethet e thata të ullirit zihen deri sa nga masa të mbetet 1 litër. Pasi kullohet, hidhet në shishe dhe mbahet në frigorifer. Gjatë përdorimit sasia, që do pihet, duhet të jetë e vakët dhe e ëmbëlsuar me mjaltë sipas dëshirës. Pihen dy filxhanë kafeje esëll në mëngjes, po aq edhe në mbrëmje para gjumit. Kjo kurë vazhdon deri në 25 ditë. Po të jetë e nevojshme kura mund të vazhdojë sërish pas një periudhe prej 1 muaji.

Bima e pelinit

Edhe bima e pelinit përdoret për kurimin e gurëve në tëmth. Çdo mëngjes merret një majë luge nga pluhuri i kësaj bime dhe tretet në çaj, qumësht apo supë. Kura vazhdon për 20 ditë. Ndërpritet për 10 ditë dhe më pas nis sërish. Është mirë që mjekimi me pluhurin e pelinit të përsëritet tre herë.

Lëvoret e gorricës

Lëvoret e gorricës ndihmojnë në kurimin e gurëve në tëmth. Është mirë që ato të përzihen me lule ake, fara të gjembgomarit, si dhe fara fshese. Pasi zihen, çaji i përftuar është mirë të pihet në mëngjes esëll dhe në mbrëmje pas buke. Nga ky çaj pihen 2 gota.

Mustaqet e misrit, bishtat e qershisë, fruti i boronicës

Përzierja e fituar nga mustaqet e misrit, bishtat e qershisë, si dhe frutit të boronicës ka dhënë rezultate të efektshme për shkrirjen e gurëve të vegjël në tëmth. Pas zierjes së kësaj përbërjeje, lëngu i përftuar lihet për dy deri në tre orë dhe më pas pihet çdo vakt nga një gotë para buke. Çaji përdoret i ëmbëlsuar me sheqer.
Sëmundjet e mëlçisë

Mëlçia e zezë dhe lëngu që prodhohet prej saj luajnë rol të rëndësishëm në procesin e përgjithshëm të tretjes. Ushqimet kanë veti të shtojnë si sekretimin e lëngut të stomakut dhe të zorrës, ashtu edhe në nxjerrjen e lëngut të mëlçisë për në drejtim të zorrës, që luan rol të rëndësishëm në përzierjen e yndyrave në zorrë. Sëmundjet e mëlçisë së zezë dhe të rrugëve të saj bëhen shkak për lindjen e ndryshimeve të veçanta funksionale dhe në aparatin tretës. Mjafton të përmendim se në pezmatimin e zgjatur të fshikëzës së tëmthit (kolecistit kronik) shpesh vihen re çrregullime të tretjes e kapsllëk që vazhdojnë me heqje barku (diarre), me ndryshime në nxjerrjen e lëngut të stomakut, të pankreasit, etj., të cilat shkaktojnë edhe ndryshime të përgjithshme, si për shembull, shqetësime, pagjumësi etj. Në këtë rast dieta e përshtatshme, që nxit zbrazjen e fshikëzës së tëmthit dhe që rregullon detyrën e zorrës, është një masë e rëndësishme për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë. Kjo dietë duhet të plotësohet edhe me kalitjen fizike, e cila ndikon në normalizimin e funksioneve të mëlçisë së zezë. Kalitja fizike ndikon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut në mëlçi, në oksigjenimin, si dhe në furnizimin e saj me lëndë të nevojshme për sintezën dhe grumbullimin e rezervës sheqerore (glikogjenit). Dieta në sëmundjet e mëlçisë duhet të jetë e tillë, që të lehtësojë si nxjerrjen e lëngut (sekretimin), ashtu edhe derdhjen e tëmthit, gjë që arrihet duke marrë shpesh pjesë të vogla ushqimi (4-6 herë në ditë), që shërben si ngacmues fiziologjik i mekanizmave që vënë në lëvizje derdhjen e tëmthit. Për këtë ndihmojnë edhe lëvizjet, shëtitjet e gjata në ajër të pastër, gjimnastika etj.

Sëmundjet

Duke pasur parasysh shërbimet kryesore të mëlçisë specialistët kanë përcaktuar edhe sëmundjet (patologjinë) e saj dhe të rrugëve të tëmthit, të cilat karakterizohen nga pakësimi i sekretimit dhe i mënjanimit të lëngut të tëmthit në zorrë, nga kalimi i kripërave të tij në gjak, gjë që shkakton lindjen e të verthit. Por mund të lindin edhe ndryshime të tjera në vetë indin e mëlçisë që çrregullojnë funksionet e sajë fiziologjike të sintezës, të shndërrimeve dhe të mënjanimit të prodhimeve të ndryshme ushqimore me origjinë shtazore, bimore e minerale. Është e këshillueshme që në të gjitha çrregullimet e mëlçisë ti drejtoheni mjekut për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimin sa më të arsyeshëm. Preparatet me origjinë bimore që praktikon mjekësia popullore dhe ajo shkencore për sëmundjet e mëlçisë përdoren në këto drejtime kryesore. Për mjekimin e pezmatimit të mëlçisë (hepatit) dhe të fshikëzës së tëmthit (kolecistit) dhe për tretjen e gurëve të tëmthit (kolelitiazë). Ndërmjet bimëve që përdorën në familje për mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë e të rrugëve të tëmthit rezultate të mira ka dhënë mendra e butë, e cila mund të përdoret për një kohë të gjatë dhe pa shkaktuar veprime të padëshirueshme anësore.

Kurat popullore

Midis bimëve që nxisin zbrazjen e fshikëzës së tëmthit këshillohet akja. Lulet e akes përmbajnë haterozide flavonike, karoten, vitaminë C, derivatin kumarinik herniarinë, pigmentin kinonik helikrisinë, fitoncide, substanca të hidhura e tanike, pak esencë etj, dhe kanë veti bakteriostatike, të nxisin prodhimin e tëmthit, urinimin, veti spazmolitike etj. Ato rekomandohen për të shtuar rrjedhjen e tëmthit dhe për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit. Bari shërues bimorë i përzier edhe me pelin e me bar pezmin bëhet më i dobishëm për prodhimin e tëmthit.

Angjinarja

Në sajë të cinarinës, glukozideve A dhe B, substancave flavonike të ndryshme etj. Gjethet e angjinares përdoren kryesisht në sëmundjet e mëlçisë dhe të veshkave. Gjethet nxisin prodhimin e tëmthit dhe zbrazjen e tij dhe përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, vepron në metabolizmin e kolesterinës dhe të uresë dhe nxit urinimin (jashtëqitjen e klorureve dhe uresë).

Pelini

Në sajë të substancave të hidhura dhe të esencës, pelini përdoret si mjet që shton rrjedhjen e lëngut të stomakut (duke përmirësuar oreksin) dhe përmirëson punën e mëlçisë. Esenca e pelinit përmban azulen me veti antiseptike, të ngjashme me kamazulanin e lulës së kamomilit. Duhet pasur parasysh se, në sajë të përbërësve të tjerë të esencës, siç janë tujoli, pelini, në doza të mëdha, është i helmët dhe mund të dëmtojë trurin dhe të shkaktojë dridhje. Gjitashtu, ai nuk duhet pë përdoret nga gratë shtatzëna.
Rrepa

Rrënjët e freskëta të rrepës përmbajnë esencë me squfur rafamol etj. Krahas vitaminës C, ato përmbajnë edhe faktorin B, edhe substanca fitonciale. Ato nxisin formimin e tëmthit dhe urinimin. Njëkohësisht me tharjen e rrënjës pakësohet edhe veprimi i saj. Rrënjët e rrepës, përdoren si mjet koleretik kundër gurëve të tëmthit kur fillon ripezmatimi i fshikëzës përkatëse, si dhe për të lehtësuar tretjen e ushqimeve. Substancat (materiet) vepruese të rrepës, pasi përthithen nga trakti tretës ngacmojnë lehtë mëlçinë dhe në këtë mënyrë, shtojnë rrjedhjen e tëmthit. Këto substanca, në doza të vogla, nxisin prodhimin e tëmthit në mëlçi dhe për pasojë, shtojnë pezmatime, prandaj nuk zbatohen në doza të larta, kur mëlçia është e dëmtuar. Në gurët e tëmthit, rrepa këshillohet vetëm për një kohë të caktuar dhe në doza të vogla.

MËLÇIA

Mëlçia bën pjesë në funksionin e shumë organeve vitale që janë qenësore për shëndetin. Prandaj është me rëndësi që ndaj mëlçisë të veprohet mirë dhe të bëhen përpjekje që të ruhet. Meqë luan rol të madh në procesin e tretjes, kujdesi për mënyrën dhe zgjedhjen e ushqimit kërkon syçeltësi të madhe.

Si t’ia lehtësojmë punën

Që të mos e ngarkojmë së tepërmi dhe që t’i mundësojmë punë të mirë duhet t’ia lehtësojmë detyrën. Përparësi duhet dhënë artikujve ushqimorë që treten lehtë, duhet shmangur shujtat e ngarkuara, e ushqimin duhet shpërndarë në shujta të rregullta gjatë tërë ditës: kafjalli i pasur, dreka dhe darka e lehtë, zëmra gjatë paradites dhe pasdites (më së miri pemë ose jogurt).

Ushqim i llojllojshëm dhe me masë

Të sëmurët nga mëlçia duhet t’i kushtojnë kujdes të madh mënyrës së të ushqyerit. Nuk ka nevojë për viktimizime të mëdha, por mjafton që të ushqyerit të jetë i llojllojshëm, me masë dhe me kalori që i përgjigjen nevojave të trupit dhe punës që kryejmë. Problemet me tretjen do t’i evitojmë nëse e pakësojmë marrjen e yndyrave, posaçërisht ato të sallameve dhe djathërave. Këto lloje të ushqimeve duhet konsumuar vetëm kohë pas kohe. Edhe prodhimet nga qumështi janë burim i rëndësishëm i yndyrave: djathërat, sidomos djathi i vjetër nuk duhet të jetë pjesë e shujtës. Qumështin me pak yndyrë duhet zëvendësuar me atë të payndyrë.
Funksionet e mëlçisë

- Mëlçia e zezë është gjëndër e madhe, e cila shpesh quhet edhe laborator biokimik i organizmit, sepse kryhen një seri shërbimesh (funksionesh) të rëndësishme.

- Përpunon dhe shndërron një seri substancash ushqimore, si sheqernat proteinat e yndyrat.

- Sekreton dhe nxjerr në zorrë lëngun e tëmthit, i cili ndikon në tretjen e ushqimit dhe në lëvizjen e zorrës.

- Nxjerr në gjak prodhimet e nevojshme që ndikojnë në normalizimin e proceseve të organizimit
Ushqimet që kurojnë dhe dëmtojnë mëlçinë:

- Përdorimi i 20-40 gramëve alkool në ditë dëmton mëlçinë.

- Mosha është një ndër faktorët kryesorë të dëmtimit të mëlçisë, pasi sa më e vogël që të jetë mosha e konsumatorëve të alkoolit aq më të rënda janë dëmtimet.

- Predispozicioni gjenetik është një ndër faktorët kryesorë të shfaqjes së sëmundjes.

- Këshillohet konsumimi i produkteve të mishit.

- Këshillohet përdorimi i rrepave të kuq, lakrës së kuqe dhe brokulës.

- Këshillohet të mos pihen shumë kafe gjatë ditës, të mos konsumohet birra dhe lëngjet me gaz.
Gurët në veshka
Guri ne veshka është një masë e fortë që ndodh kur përbërësit e kalciumit ose kimikate të tjera në urinë formojnë kristale që ngjiten së bashku. Këto kristale rriten dhe formojnë gurë, madhësia e të cilëve luhatet nga një kokërr gruri deri në një top golfi. Çaji i përftuar nga bima e koprës ka dhënë rezultate të shkëlqyera në shkrirjen e gurëve në veshka. Mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e dy deri tri gotave me çaj kopre dhe shumë shpejt të sëmurët do të shohin rezultatet. Bima jo vetëm që ndikon në veshka, por edhe në rrugët urinare dhe shkakton urinim të shpeshtë, duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga helmet përmes urinimit. Specialistët që merren me sëmundjen e veshkave, deklarojnë se shfaqja e shqetësimeve nuk është gjithmonë e trashëguar. Madje, ata kanë vënë re se pjesa më e madhe e personave që kanë probleme me veshkat dhe kryesisht me gurët në veshka, vijnë nga prindër që nuk i kanë ndjerë asnjëherë shqetësimet, dhe pavarësisht moshës në të cilën ndodhen, veshkën e kanë organin më të shëndetshëm. Ajo çfarë specialistët u rekomandojnë të gjithë prindërve, në këtë rast është një dietë e ekuilibruar që në ditët e para të lindjes së fëmijës, madje ajo duhet të nisë që në barkun e nënës. Pikërisht në këtë kohë nis edhe dëshira e fëmijës për kripë, lëngje, ëmbëlsira etj. Nisur nga kjo, specialistët e nefrologjisë (mjekë të sëmundjes së veshkave), rekomandojnë që në ushqimin e përditshëm të ketë sa më shumë lëngje, supëra dhe fruta. Ekzistojnë shumë lloje, sipas natyrës kimike të toksinave apo mbetjeve në to. Këta gurë kanë karakteristikat e tyre të veçanta, çka dhe lejon identifikimin e tyre.

Burrat

Gurët në veshka janë më të zakonshme të burrat, ku katër në pesë raste kanë gurë në veshka. Disa nga faktorët që kontribuojnë në formimin e gurëve të njerëzit e prekshëm nga kjo sëmundje janë: marrja e paktë e lëngjeve, infeksionet kronike në rrugët urinare, keqpërdorimi i disa mjekimeve, bllokimi i rrugëve urinare me aktivitet të kufizuar për disa javë, si dhe disa sëmundje të caktuara gjenetike dhe metabolike.

Lehtësimi i dhembjeve

Pas përcaktimit të saktë të diagnozës, i sëmuri trajtohet me analgjezinë të lehtë dhe antiperistatike me efekt jo të fortë. Atij i jepen lëngje të ngrohta dhe i rekomandohet bërja e banjave në vaskë me ujë të vakët. Uji i ngrohtë çliron tek i sëmuri rrugët urinare. Për të lehtësuar dhembjet përdoren disa lloj ilaçesh, të cilat vetëm mjeku mund t’i japë. Rekomandohet konsumimi i ushqimeve të lehta, supave me zarzavate, lëngjeve të frutave, çajrat e ndryshme, etj.
Rekomandime

- Marrja e ujit dhe e lëngjeve është një domosdoshmëri edhe më e madhe për ata që vuajnë nga gurët e veshkave.

- Trajtimi i të gjitha llojeve të sëmundjeve me gurët në veshka qëndron në marrjen e një sasie të caktuar lëngjesh.

- Ky trajtim bëhet në raport me llojin e gurëve.

- Mjekët popullorë rekomandojnë disa kura me bimë për kurimin e gurëve në veshka.

- Sipas tyre, gurët në veshka kurohen me fier guri, gjethe delli, bishta qershie, etj.

- Këto bimë kuruese për gurët në veshka përdoren në formë çaji.

- Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka.

- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën.

- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara.

- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë.

- Yndyrat duhet të jenë vajra me një lidhje dyfishe (si vaji i ullirit).

- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra dhe bajame.

- Përdorni ushqime të lehta: supe me zarzavate, lëngje frutash, çajra mali dhe kamomili.

- Lëvizni sa më shumë të mundeni.

- Një herë në tre muaj bëni ECHO.

- Çdo 10 ditë bëni analizat e urinës dhe pehashit (Ph).

- Bëni banja me ujë të ngrohtë.

- Mos pini alkool dhe duhan.
Simptomat e gurëve në veshka janë:

- Dhembje barku.

- Frymëmarrje të ngadalta e të thella.

- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë.
Efektet e lëngut të mollës

Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka dhe ndikon mirë te njerëzit, që kanë vuajtur nga verdhëza. Mjeku rekomandon pirjen e çajit të mollës 3 herë në ditë 1 gotë, por gjithmonë pas buke. Lulet e mollës përdoren në formën e çajit që qetëson kollën. Për kollën e butë këshillohet 1 kokërr mollë, lëngu i një kokrre limoni, 2 lugë mjaltë dhe pak ujë. Molla pritet në kubikë të vegjël dhe zihet me ujë së bashku me lëngun e limonit. Më pas shtohet mjalti dhe lihet deri sa të formohet një masë e trashë si qull. Kura e përgatitur përdoret disa herë në ditë nga 1 lugë gjelle. Kurse gjethet e kësaj peme përdoren për lehtësimin e ënjtjeve në trup. Një grusht nga këto gjethe hidhen në 2 litra ujë dhe lihen të zihen për 20 minuta. Çaji pihet 2 herë në ditë nga gjysmë gote para buke. Molla zvogëlon kolesterinën në gjak dhe preferohet si preventiv për arteriosklerozën dhe hipertensionin në gjak. Është mirë të konsumohen 3 kokrra mollë në ditë.

Tretja

Molla është një nga frutat që ndihmon ata që kanë probleme me tretjen e ushqimit. Këshillohet ngrënia e një kokrre molle 3 herë në ditë para buke, për 5 ditë me radhë. Të hash 2 kokrra mollë në ditë, pengon infarktin e miokardit dhe gëlqerosjen e enëve të gjakut. Gjithashtu konsumimi i këtij fruti ndihmon ata persona që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut si dhe të gjithë ata që vuajnë nga sëmundja e migrenës. Ky frut është shumë i mirë për ndalimin e dhimbjeve të saj. Nëse i sëmuri sulmohet nga krizat e migrenës, duhet të konsumojë patjetër një kokërr mollë. Për shkak se përmban substanca të shumta minerale, këshillohet kundër inflamacionit të zorrës, reumatizmës dhe gurëve në veshka. Një mollë e ngrënë në mëngjes, ndikon mirë në pastrimin e dhëmbëve dhe eliminon thartirën e tepërt në gjak.

Uthulla e mollës:

Uthulla natyrale e mollës është jashtëzakonisht e mirë për një forcë magjike dhe vlerësohet shumë që të jetë pjesë përbërëse e jetës së përditshme. Për të gjithë ata që vuajnë nga sinoziti këshillohet të pihet një gotë me ujë në të cilën është hedhur një lugë nga uthulla e mollës. Kjo kurë duhet të përdoret 7 herë në ditë për të pasur efektin e dëshiruar. Uthulla përdoret edhe për sytë që lotojnë. Një lugë uthull molle hidhet në një gotë ujë, në të cilën është hedhur dhe pak jodio e holluar. Pihet një lugë gjelle para drekës. Kjo kurë është mirë të vazhdojë për 15 ditë. Përveç vetive kuruese, uthulla e mollës është shumë e preferueshme të përdoret për sallata.
Konsumimi i mollës:
- 2 kokrra mollë, rekomandohen të hahen çdo ditë për të parandaluar infarktin.

- 3 deri në 4 gota verë molle këshillohet të pihet çdo ditë për ata që kanë probleme me stomakun.

- 7 herë në ditë pihet kura me ujë dhe uthull molle, për ata që vuajnë nga sinjoziti.

KOMENTE