English

Alarm nga virusi "Ebola". Masat në Shqipëri. Si duhet të mbrohemi

Në takimin e tij në datën 6 Gusht 2014, Komiteti i Emergjencës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i mbledhur nga drejtorja e përgjithshme e këtij institucioni, e deklaroi sëmundjen e shkaktuar nga Virusi “Ebola” si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim dhe impakt ndërkombëtar. Në këtë situatë dhe kur rastet me “Ebola” janë evidentuar jashtë Afrikës, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) dhe aktorë të tjerë, ka ndërmarrë një sërë masash për paranalimin e hyrjes dhe përhapjes së këtij virusi në Shqipëri.

Ethja hemorragjike “Ebola” është një sëmundje virale e shkaktuar nga virusi “Ebola” (Filovirus), që rezulton me simptomatikë jo-specifike në fillim të sëmundjes, e cila shkakton shpesh hemorragji interne dhe eksterne gjatë zhvillimit të saj. Ethja hemorragjike “Ebola” është konsideruar si një nga infeksionet më vdekjeprurëse virale; shkalla e vdekshmërisë së saj është shumë e lartë gjatë shpërthimit (nga 50% deri në 100% e njerëzve të infektuar, në varësi të llojit të virusit “Ebola”).

Ethja hemorragjike “Ebola” u vu re për herë të parë në Zaire (sot Republika Demokratike e Kongos) në vitin 1976. Shpërthimi fillestar ka ndodhur në një fshat pranë lumit Ebola, prej nga ku mori dhe emrin sëmundja. Gjatë kësaj kohe, virusi shkaktar u identifikua në transmetimet nga kontaktet e drejtpërdrejta me të sëmurët. Prej 318 pacientëve të diagnostikuar me virusin “Ebola”, 88% vdiqën. Që nga ajo kohë, ka pasur shpërthime të shumta të virusit “Ebola”, dhe janë identifikuar pesë shtame, katër prej të cilave janë përgjegjës për vdekshmërinë e lartë.

Më 4 gusht 2014, OBSH në bashkëpunim me Ministritë e Shëndetësisë së Guineas, Sierra Leones, Liberisë dhe Nigerisë njoftoi një total kumulativ prej 1711 raste të dyshuarish dhe të konfirmuara të sëmundjes së shkaktuara nga virusi “Ebola” dhe 932 vdekje. Nga 1711 raste klinike, 1070 prej tyre kanë qenë të konfirmuara laboratorisht për infeksion me virus “Ebola”. Ndërkohë, të dhënat më të fundit e OBSH-së tregojnë një rritje të mëtejshme të numrit të të vdekurve nga shpërthimi i “Ebola”-s aktuale (më i rëndi i ndodhur ndonjëherë), në një total prej 8033 rastesh dhe 3865 të vdekur.

Cilët janë faktorët e rrezikut për ethen hemorragjike Ebola?

Faktorët e rrezikut për ethen hemorragjike “Ebola” janë: udhëtimi në zonat ku janë raportuar infeksione “Ebola”; përveç kësaj, kontakti me kafshë (kryesisht primatët-majmunë në zonat ku janë raportuar infeksione “Ebola”) është potencialisht faktor rreziku; një tjetër burim potencial i virusit është edhe mishi i kafshëve të egra, si p.sh., thundrakë, primatë, brejtës.

Aktualisht, mungojnëdëshmi për transmetime ajrore të këtij virusi. Gjatë shpërthimeve të “Ebolës”, punonjësit shëndetësorë dhe anëtarët e familjes e miqtë që lidhen me personin e infektuar janë në rrezik më të lartë për t’u infektuar. Gjithashtu hulumtuesit që studiojnë viruset e etheve hemorragjike janë në rrezik infektimi në qoftë se ndodh një aksident në laborator.

Cilat janë simptomat e etheve hemorragjike Ebola dhe shenjat?

Për fat të keq, simptomat e para të etheve hemorragjike “Ebola” janë jo-specifike dhe përfshijnë zakonisht: temperaturë, dhimbje të fortë koke, dobësi, vjellje, diarre, dhimbje gastrike, ulje oreksi, dhimbje kyçesh dhe muskujsh. Me ecurinë e sëmundjes, pacientët mund të zhvillojnë simptoma të tjera të tilla si njolla në lëkurë, skuqje të syve, lemzë, dhimbje fyti, kollë kompulsive të thatë, dhimbje gjoksi, hemorragji si brenda dhe jashtë trupit (p.sh., sipërfaqet mukozale, sytë, etj.), vështirësi në gëlltitje dhe frymëmarrje.

Gratë shtatzëna me Ebola mund të abortojnë si dhe të pësojnë hemorragji të ndjeshme vaginale. Simptomat mund të paraqiten nga rreth 2 deri në 21 ditë pas ekspozimit (mesatarja e inkubacionit është 8 deri në 10 ditë).

Është e paqartë pse disa pacientë mund të mbijetojnë dhe të tjerët vdesin nga kjo sëmundje, por pacientët që vdesin zakonisht kanë patur një përgjigje të dobët imune ndaj virusit.

Çfarë mund/duhet të bëjmë? A mund të parandalohet Ebola? Udhëzimet dhe mbështetja e OBSH-së

Aktualisht nuk ka vaksinë të liçencuar për sëmundjen e virusit “Ebola”. Disa vaksina janë duke u testuar, por nuk janë ende në dispozicion për përdorim klinik. Ngritja e shkallës së vetëdijes për faktorët e rrezikut dhe masat mbrojtëse që njerëzit mund të marrin janë mënyra e vetme për të reduktuar sëmundjen dhe vdekjet.

Mënyra për të parandaluar infeksionin dhe transmetimin

Ndërsa rastet fillestare të sëmundjes së virusit “Ebola” janë kontaminuar nga trajtimi i kafshëve të infektuara ose kufomat, rastet dytësore ndodhin përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet dhe ekstraktet trupore të një personi të sëmurë, ose nëpërmjet menaxhimit të pasigurtë të personit të infektuar ose praktikave të pasigurta të varrimit. Gjatë këtij shpërthimi, në shumicën e rasteve infeksioni është përhapur nëpërmjet transmetimit nga njeriu te njeriu.

Për parandalimin e infeksionit dhe kufizimin ose ndalimin e transmetimit të tij OBSH udhëzon ndërmarrjen e disa hapave ndihmëse:

Informimi mbi natyrën e sëmundjes, mënyrën e transmetimit të saj, si dhe masat parandaluese për parhapjen e mëtejshme të saj;
Dëgjoni dhe respektoni udhëzimet e lëshuara nga Ministria përkatëse e Shëndetësisë të vendit tuaj;
Nëse dyshoni se dikush pranë jush ose në komunitetin tuaj është i sëmurë me ethe hemorragjike “Ebola”, inkurajoje dhe mbështete atë për të kërkuar e trajtimin e duhur mjekësor në institucionet e kujdesit shëndetësor;
Në qoftë se ju zgjidhni për t'u kujdesur në shtëpinë tuaj për një person të sëmurë, atëherë njoftoni zyrtarët e shëndetit publik mbi vendimin tuaj në mënyrë që ata të mund t’ju trajnojnë dhe t’ju sigurojnë doreza, veshje dhe pajisje personale mbrojtëse, si dhe t’ju udhëzojnë rreth sëmundjes, kujdesin ndaj të sëmurit, masat mbrojtëse për veten dhe familjen tuaj, etj.;
Trupat e të vdekurve nga “Ebola” duhet të trajtohen vetëm duke përdorur pajisje të përshtatshme mbrojtëse dhe duhet të varrosen menjëherë;
Përveç kësaj, njerëzit duhet të zvogëlojnë kontaktet me kafshët me rrezikshmëri të lartë infeksioni (si majmunët, thundrakët, brejtësit, etj.) në zonat e prekura. Nëse ju dyshoni se një kafshë e caktuar është e infektuar, nuk duhet ta prekni apo trajtoni atë. Produktet ushqimore shtazore duhet të gatuhen plotësisht përpara ngrënjes;

Gjithashtu, përsa i përket masave parandaluese, do të shtonim se meshkujt e shëruar nga sëmundja ende mund të përhapin virusin tek partnerët e tyre përmes spermës së tyre për deri në 7 javë pas shërimit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që këta persona konvaleshent të shmangin marrëdhëniet seksuale për të paktën 7 javë pas shërimit, ose të përdorin domosdoshmërisht kondom në rast marrëdhëniesh seksuale deri në 7 javë pas shërimit.

Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë Kufitare si dhe Autoritetin Aeroportuale janë në zbatim të planit të masave të vënë në veprim qysh në 6 Gusht 2014, për bashkërendimin e punës për parandalimin e përhapjes së infeksioneve përmes rasteve eventualisht të importuara të prekura nga Virusi “Ebola”.

Ndërkohë lidhur me masat dhe përgatitjet e Ministrisë së Shëndetësisë dëshiroj të konfirmoj se jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase, të cilët nuk e konfirmojnë ende rastin e raportuar në media, pasi janë ende në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.

Gjithashtu, dëshiroj të shtoj se kemi vendosur komunikim institucional me drejtuesit e përfaqësuesit e komunitetit mysliman në vend për një shkallë më të lartë vëmendjeje ndaj të gjithë besimtarëve që janë kthyer nga udhëtimi i pelegrinazhit të Haxhit në Mekë. Kjo vemendje e shtuar nuk ka të bëjë kaq shumë me “Ebolën”, pasi vendi ku këta kanë qenë nuk është në hartën e rrezikshmërisë për përhapjen e virusit “Ebola”, por më tepër, MERS (ose Sindroma Respiratore e Lindjes se Mesme).

Bashkëpunimi me aktorët institucionalë ka nisur qysh me dt. 6 Gusht 2014 ndërmjet MSH dhe MB per masat qe duhen ndermarre ne pikat kufitare te kalimit. Kështu, ne Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza” behet screen-imi për të gjithë udhëtarët, për të bërë vlerësimin e riskut. Janë trajnuar policët e pikave kufitare sipas një manuali të OBSHsë.

Aktualisht, me urdhër të Ministrit, janë në terren grupe pune me punonjës të MSH-së, inspektorë të ISHSH-së dhe ISHP-së për të verifikuar zbatimin e masave, gatishmërinë e mekanizmave për parandalimin dhe mbrojtjen, si dhe vendosjen e survejancës aktive për rasteve të vdekjeve të papritura dhe gjendjeve febrile në pikat tokësore të kalimit kufitar me Maqedoninë.

Gjithashtu, janë marrë masa për vendosjen në pikat tokësore të kalimit kufitar me Maqedoninë, të ekipeve të përbërë nga punonjës të kualifikuar të Drejtorive të Shëndetit Publik, në juridiksionin e të cilave ndodhen pikat tokësore të kalimit kufitar me Maqedoninë. Po ashtu, Drejtoritë Spitalore, në juridiksionin e të cilave ndodhen pikat tokësore të kalimit kufitar me Maqedoninë, janë udhëzuar të sigurojnë praninë e autoambulancave dhe transportin e sigurt të rasteve, ndërkohë që Drejtoritë e Shëndetit Publik po marrin masa për identifikimin dhe përgatitjen e dhomave të izolimit në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë;

Edhe institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor, kanë një plan speficifk masash për përgatitjen dhe përgjigjen e mundshme ndaj rasteve të mundshme të Virusit “Ebola”. Kështu, ISHP me specialistët e vet të sëmundjeve ngjitëse, është në zbatim të masave për përditësimin, pajisjen dhe instruktimin e ekipeve dhe njësive operacionale në pikat e kalimit kufitar për zbatimin e protokollit të vlerësimit të riskut dhe procedurave standarde të depistimit në kufi. Gjithashtu, edhe QSUT “Nënë Tereza” është udhëzuar për të marrë masa për zbatimin rigoroz të udhëzuesit kombëtar të kontrollit të infeksioneve dhe adaptimit të tij për këtë institucion dhe masave të tjera që ndihmojnë në përforcimin e gatishmërisë së dhomave standarte të izolimit në Shërbimin e sëmundjeve infektive.

Së fundi, një rol të rëndësishëm përvec institucioneve të kujdesit shëndetësor, keni edhe ju mediat për të siguar informacion të plotë dhe të saktë për publiku, si dhe masat parandaluese dhe mbrojtëse nga infeksionet e shkaktuara nga përhapja e virusit “Ebola”.

KOMENTE