English

Analizat e gjakut. Si t'i kuptoni parametrat në një analizë gjaku

Edhë nëse s'kemi bërë patjetër duhet të kalojmë përmes analizave të gjakut të cilat janë hapi i parë dhe mjaft i rëndësishëm për të njohur se si funksionon trupi ynë. Analizat e gjakut tregojnë nëse organizmi është i shëndoshë, nëse ekziston ndonjë proces inflamator, apo ekziston ndonjë sëmundje…

Që të mos pyetni se çfarë kuptimi kanë shkurtesat e pakuptueshme afër numrave në letrën të cilën ua jep laboranti, ju këshillojmë ta lexoni në mënyrë të kujdesshme këtë tekst dhe të mësoni për vlerat referente të pasqyrës së përgjithshme të gjakut dhe për formulën leukocitare (që tregon numrin e leukociteve- qeliza të rëndësishme të mbrojtjes së organizmit).

Pasqyra e plotë e gjakut

Pasqyra e plotë e gjakut është analizë themelore laboratorike e gjakut, e cila bëhet për vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësore dhe për zbulimin e çrregullimeve të ndryshme, siç është anemia, infeksioni, sëmundjet virusale, gjendjen e ushqyerjes së organizmit dhe ekspozimin ndaj materieve toksike. Me këtë analizë të gjakut krijohet një pasqyrë e numrit dhe kualitetit të eritrociteve, trombociteve dhe leukociteve.

ERITROCITET (Er)

Rruazat e kuqe të gjakut janë qelizat të cilat përmbajnë hemoglobinën dhe bartin oksigjenin dhe dyoksidin e karbonit në organizëm.

Vlerat referente:

M 4,5-6,3 x 10 në 12/l

F 4,2-5,4 x 10 në 12/l

Rritja e numrit të eritrociteve: dehidrim, policitemi (sëmundje e rrallë)

Zvogëlimi i numrit të eritrociteve: njëri nga treguesit e anemisë së bashku me hematokritin, hemoglobinën dhe konstanteve të eritrociteve.

LEUKOCITET (Le)

Qelizat e bardha të gjakut prodhohen në palcën kockore dhe kanë rol në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet, me ç’rast secili lloj i leukociteve (janë pesë tipa) ka funksion të veçantë, që shihet në formulën leukocitare, e cila realizohet ndaras nga pasqyra e gjakut, ndërsa realizimi i saj rekomandohet si shtesë e domosdoshme e cila plotëson të dhënat për gjendjen e organizmit.

Vlerat referente: 4-10 x 10 në 9/l

Rritja e numrit të leukociteve: infeksion bakteror

Zvogëlim i numrit të leukociteve: sëmundje virusale, te hemoterapia, te marrja e disa barnave.

Hemoglobina (Hb)

Hemoglobina është përbërës i eritrociteve dhe paraqet kompleks proteinik, i cili e bart oksigjenin nga mushkëritë ne inde dhe dyoksidin e karbonit në drejtim të kundërt (nga indet në mushkëri).

Vlerat referente:

M 140-180 g/l

F 120-160 g /l

Zvogëlimi i Hb: anemi (paraqitet zakonisht bashkë me mungesën e eritrociteve, hemoglobinës dhe hekurit).

Hematokriti (Htc)

Hematokriti paraqet vëllimin e eritrociteve në njësi të gjakut.

Vlerat referente:

M 0,40-0,50 L/l

F 0,35-0,48 L/l

Rritja e vlerave të hematokritit: policitemia rubra vera (sëmundje e rrallë shkaktari i të cilës nuk është i njohur, ndërsa paraqitet te personat e moshuar).

Zvogëlimi i vlerave të hematokritit: dehidrim, anemi.

TROMBOCITET (Tr)

Trombocitet janë pllakëzat e gjakut, të cilat kanë rol në hemostazë (pengimin gjakderdhjes) dhe në koagulimin e gjakut

Vlerat referente: 150-400 x 10 në 9/l

Rritja e numrit të trombociteve: tromboza (koagulimi spontan i gjakut)

Zvogëlimi i numrit të trombociteve: sëmundjet autoimune, gjakderdhjet e imta spontane, te marrja e citostatikëve, pas transfuzionit të gjakut.

Sedimentimi (SE)

Sedimentimi i eritrociteve nuk bën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasqyrën komplete të gjakut, por rekomandohet dhe kryesisht përcaktohet gjatë analizave hematologjike, sepse tregon për mundësinë e ekzistimit të ndonjë sëmundjeje dhe përcaktohet pothuajse te të gjitha sëmundjet.

Kjo vlerë (sedimentimi) paraqet shpejtësinë me të cilën eritrocitet shtresohen në fundin e epruvetës së vendosur në mënyrë vertikale. Shpejtësi normale e SE përjashton mundësinë e ekzistimit të sëmundjes, ndërsa sedimetimi i shpejtuar është indikator për kërkime të mëtutjeshme.

Vlerat referente:

M (20-50 vjeç) 3-13 mm/h

M (mbi 50 vjeç) 2-23 mm/h

F ( 20-50 vjeç) 4-24 mm/h

F (mbi 50 vjeç) 5-28 mm/h

Rritja e vlerave të SE: në rastet e ekzistimit të infeksionit

Formula leukocitare

Formula leukocitare, gjegjësisht pasqyra diferenciale e gjakut, nënkupton numrin e grupeve të veçanta të leukociteve. Për një analizë të mirë laboratorike, është e domosdoshme të përcaktohet formula leukocitare së bashku me pasqyrën e gjakut. Ekzistojnë tri grupe kryesore të leukociteve: granulocitet (neutrofilet, bazofilet dhe eozinofilet), monocitet dhe limfocitet.

Neutrofilet

Neutrofilet së bashku me monocitet paraqesin bazën e sistemit mbrojtës të organizmit.

Vlerat referente: 40 – 75%

Rritja e numrit të neutrofileve (neutrofilia): infeksionet bakterore, traumat, djegiet, inflamacionet, infarkti. Janë sidomos të rritura te leukemia dhe sëmundjet e përhapura malinje

Zvogëlimi i numrit të neutrofileve (neutropenia): infeksionet virusale, bruceloza, tuberkulozi, artriti reumatoid, çrregullimet e palcës kockore, mungesa e vitaminës B12.

Limfocitet

Limfocitet prodhojnë antitrupa dhe bëjnë pjesë në mbrojtjen kundër viruseve.

Vlerat referente: 20-45%

Rritja e numrit të limfociteve (limfocitoza): infeksionet virusale (virusi Epstein Barr, Citomegalovirusi, rubeola), toksoplazmoza, bruceloza.

Zvogëlimi i numrit t limfociteve (limfopenia): te mjekimi me kortikosteroide, infiltrimi i palcës kockore, AIDS-i, gjatë radioterapisë dhe hemoterapisë.

Eozinofilet

Eozinofilet marrin pjesë në mbrojtjen nga agjentët alergjikë dhe infeksionet parazitare.

Vlerat referente: 2-4%

Rritja e numrit të eozinofileve (eozinofilia): astma, alergjitë, urtikaria, ekzemat, rrezatimi, gjatë rikuperimit nga infeksionet. Eozinofilia-mialgia është sindromë e cila karakterizohet me dhimbje në muskuj dhe nyje, rritje të temperaturës, ekzantemë në lëkurë, ënjtje të duarve dhe eozinofili.

Monocitet

Monocitet janë qelizat më të mëdha të gjakut dhe funksioni kryesor i tyre është fagocitoza (veprojnë si gëlltitës të qelizave të vdekura).

Vlerat referente: 2-10%

Rritja e numrit të monociteve (monocitoza): infeksionet akute dhe kronike, sëmundjet malinje.

Bazofilet

Bazofilet përbëjnë populacionin më pak të shprehur të leukociteve, të cilat marrin pjesë në përgjigjen alergjike të organizmit.

Vlerat referente: 0-1%

Rritja e numrit të bazofileve (bazofili): infeksionet virusale, urtikaria, miks-edemat, pas hemolizës dhe largimit të shpretkës.

Vlerat referente vlejnë për personat e rritur.

KOMENTE