English

PD: Autoritetet serbe, përgjegjësi për kthimin e situatës në normalitet

Aldo Bumçi dënon dhunën në Serbi, duke u kërkuar shqiptarëve kudo që jetojnë të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo lloj provokimi si dhe shprehu mirënjohjen për mesazhin e Atit të Shenjtë drejtuar shqiptarëve dy ditë më parë.

Partia Demokratike, në kushtet e një përshkallëzimi të pamerituar dhe keqdashës të situatës pas ndeshjes së pezulluar mes Shqipërisë dhe Serbisë, dëshiron të theksojë se:

Shpreh mirënjohjen e thellë për mesazhet e jashtëzakonshme që Ati i Shenjtë, Papa Francesku, i drejtoi vetëm përpara dy ditësh të gjithë popullit shqiptar nëpërmjet Presidentit të Republikës, mbas vizitës në vendin tonë. Papa Francesku, gjatë vizitës në Shqipëri do të krijonte bindjen e plotë se “populli Shqiptar, në sajë të forcës, rezistencës së tij në kohë vuajtjesh, si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”. Përkundër fushatës njollosëse dhe indinjuese të ndërmarrë keto ditë ndaj shqiptarëve, ky mesazh që ndriçon si drita e diellit duhet të ndriçoje dhe mendjet e errëta që po orkestrojnë këte skenar fatkeq.

Partia Demokratike dëshiron të theksojë se Shqiptarët, kudo ku që jetojnë në Ballkan e kanë treguar në vazhdimësi se janë të gatshëm të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët me fqinjët e tyre. Shqiptarët pa asnjë dileme e kanë parë integrimin europian dhe euro-atlantik si mundësinë e madhe të të gjithë rajonit për të ndërtuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona dhe mirëqënien e përbashkët të qytetarëve tanë. Ne jemi shpresëplotë për ripajtim dhe integrim, ashtu sikurse jemi të vendosur për të jetuar në paqe dhe në mbrojtje të vlerave më të mira njerëzore.

Me këte besim, u bëjmë edhe një herë thirrje autoriteteve serbe së pari të marrin të gjitha masat për ndaljen e sulmeve barbare ndaj jetës dhe pronës së shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të ndëshkojnë përgjegjësit pa hezitim. Ashtu sikurse dënojmë me indinjatën më të thellë të gjitha aktet vandale e barbare ndaj shqiptarëve ne Sombor, Stara Pazova, Novi Sad dhe rajone të tjera.Duke qenë se sulmet ndaj shqiptarëve u ndërmorën mbas deklaratave të papërgjegjshme të zyrtarëve më të lartë serb, autoritetet serbe kanë përgjegjësinë e madhe për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshme të situatës dhe rikthimin e normalitetit.

Ne i bëjmë gjithashtu thirrje autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që të bëjnë gjithçka në mbrojtje të jetës dhe interesave të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Serbi. Tirana dhe Prishtina duhet të ndërmarrin një aksion diplomatik për të njoftuar institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë kryesorë për zhvillimet e fundit në Serbi dhe cënimit që i bëhet me këtë sjellje frymës së bashkëpunimit dhe arritjeve të jashtëzakonshme që janë shënuar deri më sot.

Po kështu u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, ne Serbi dhe kudo ndodhen, ne rajon dhe me gjere, të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo lloj provokimi, dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në lartësinë e vlerave më të mira qytetare dhe kombëtare.

KOMENTE