Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama: UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi
English

Rama: UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi

Deklarata për shtyp e Kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri:

Sot UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi për çka ndodhi në stadiumin e Beogradit.
Duke thënë Shqipëria e humbet ndeshjen në tavolinë pse nuk u fut në fushë, ndërsa Serbia nuk i merr pikët pse tifozët hynë në fushë, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen.

Duke dënuar të dy palët me nga 100 mijë euro, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj.

Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës. Që dalin thuajse krejt pa lagur nga ky shi masash, ku UEFA është përpjekur t’i lagë të gjithë njësoj.

UEFA ka dashur t’i japë një mesazh të dyja vendeve duke i penalizuar të dyja thuajse njësoj, edhe pse jam i sigurt se pala serbe me siguri do të verë kujën që është viktimë e një padrejtësie të tmerrshme mbi të. Por kjo nuk është drejtësi dhe Shqipëria nuk e meriton të vendoset në anën tjetër të shenjës së barazimit, pas gjithë asaj që ndodhi në sytë e mbarë botës.

Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera, dhe dua t’u them të gjithë shqiptarëve të lënduar nga ky vendim se nuk është hera e parë që UEFA merr vendime që apelohen e pastaj edhe revokohen në shkallët më të larta.

Ashtu siç dua t’ju them edhe që askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë…

Vura re komente të kësaj natyre në rrjetet sociale, të cilat janë për të ardhur keq. Ndërsa disave që hidhen përpjetë duke forcuar tonet nacionaliste dhe duke arritur ta lidhin vendimin e UEFA-s deri me mosanullimin e vizitës sime në Serbi, u shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. E kuptoj mirë zemërimin e tyre, jam po aq i zemëruar sa kushdo prej tyre, por nuk duhet lejuar zemërimi të na djegë qarkun e arsyetimit. Sepse përveçse të padobishëm për veten, bëhemi edhe qesharakë para dynjasë.

UEFA ka dhënë padyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Europian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive.

Politika e brendshme e UEFA-s nuk ridimensionohet me sulme verbale të qeverive dhe vendimet që burojnë nga kjo politikë, nuk ndikohen as ndryshohen duke i hapur luftë politike UEFA-s. Kush i jep këto receta primitivizmi ballkanik përveçse i inatosur, është edhe krejt i paditur.

Ka vetëm një rrugë për Shqipërinë, lidhur vendimin e sotëm: Rruga që po ndjek Federata Shqiptare e Futbollit. Vazhdimi i betejës për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të gjykimit.

Provat janë kokëfortësisht në favorin e palës sonë. Avokatët e huaj që asistojnë federatën tonë janë ndër më të njohurit dhe respektuarit në planetin e UEFA-s. Eksperienca tregon se gjykatat e UEFA-s nuk janë si gjykatat e Shqipërisë dhe nuk pyesin fare për linjën e brendshme politike që dikton shpeshherë vendimmarrjen e Komisionit të Disiplinës brenda UEFA-s.

Në mbyllje dua të shtoj se sot kam marrë vendimin për t’i vënë një datë çeljes së dyerve të stadiumit të ri olimpik të Shkodrës, me të gjithë parametrat e UEFA-s natyrisht: 15 tetor 2015. Në ndeshjen e kthimit Shqipëri – Serbi, duhet të ketë vend për të paktën njëzet mijë zemra kuqezi.

Djemtë e jashtëzakonshëm të Kombëtare sonë dhe traineri ynë i mençur e plot eksperiencë, nuk duhet të ligështohen aspak nga padrejtësia e sotme.

Ata nuk duhet ta harrojnë se në Beograd shkuan si futbollistë dhe u kthyen si mishërim i entuziazmit tonë kombëtar; i fuqisë së besimit tonë tek vetvetja; i asaj çfarë mund të bëjmë si komb e si vend nëse vendosim zemrën dhe solidaritetin në themelin e punës sonë. Kjo është fitorja më e madhe e tyre nën fanellën kuqezi dhe misioni i tyre nuk është të fitojnë kampionatin europian të futbollit, të mbeten mishërimi i gjithçkaje ishin në natën magjike të 15 tetorit.

Beteja për drejtësinë mbi ndeshjen e Beogradit vazhdon. Misioni i Kombëtares vazhdon. Mbështetja ime dhe e kësaj qeverie për Kombëtaren në veçanti e sportin në përgjithësi, sapo ka filluar. Në rrugën që vazhdon, do të kemi më shumë se një herë arsye për të qenë të gjithë së bashku krenarë për Shqipërinë e për njëri – tjetrin.

***

- Përshëndetje zoti Kryeministër. Në vendimin e UEFA-s nuk ka asnjë fjalë, asnjë paragraf ku dënohet racizmi. Në këndvështrimin tuaj, a mendoni se në këtë mënyrë UEFA e ka përligjur atë racizëm që ne e pamë në stadiumin e Beogradit?

Unë besoj se isha i qartë në atë çfarë thashë. Por, nga ana tjetër, edhe një herë dëshiroj t’ju ftoj të gjithë që të mos ngutemi që të nxjerrim konkluzione të papjekura dhe të pamerituara. UEFA nuk mund kurrë të përligjë racizmin. Por, kini parasysh që gjykimi ka disa shkallë dhe ka natyrën e vet teknike kur vjen puna tek Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, çka do të thotë që tema e racizmit do të jetë një temë themelore, me të drejtë, në rekursin e Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi në shkallën e pare, praktikisht, janë paraqitur të gjitha provat në raport me objeksionet e bëra nga vëzhguesit, arbitri e kështu me radhë. E nuk dua të hyj në çështje teknike, por mos harrojmë që objeksioni themelor i bërë ndaj skuadrës sonë ka qenë refuzimi për të hyrë në fushë, çka do të argumentohet dhe do të kundërshtohet me ende më shumë forcë në shkallët e tjera, pikërisht sepse në shkallët e tjera, palët do të kenë mundësi të shtrinë shumë më gjerë zinxhirin argumenteve të tyre dhe do të kenë mundësi në rastin tonë të nënvizojë racizmin dhe dhunën si pasojë edhe e racizmit, por edhe e huliganizmit, dy elementet themelore që e bënë të pamundur kthimin e skuadrës sonë në fushë. Thashë këto janë gjëra teknike dhe s’më takon mua të hyj në këto aspekte.



- Zoti Rama, ju thoni që është një shtet më vete UEFA dhe nuk ka ndikim politik vendimi i UEFA-s dhe është mentalitet ballkanik të mendosh që ka një ndikim politik. Por si shpjegohet që është në sinkron qëndrimi i BE me atë të UEFA-s dhe a ia vlen të jesh kaq europian përballë propagandës serbe? Kam parasysh këtu, deklarata e Presidentit që ofendoi një komb të tërë apo edhe akuzat në vetë të parë për ju nga Kryeministri serb, por edhe nga Ministri i Jashtëm.

Së pari, të jeni të bindur se t’i kthehemi vendimeve të mëparshme në vite të trupës që dha vendimin e sotëm do të gjeni shumë vendime të padëshiruara dhe të apeluara nga forca shumë të mëdha, me mbështetje shumë të madhe politike që kanë rënë viktimë e një gjykimi që e kanë konsideruar të padrejtë. Të jeni të bindur për këtë, së pari.

Së dyti, të jeni të bindur që UEFA nuk është një strukturë, e cila mund të tërhiqet prej hunde, apo mund të shtyhet në drejtime të paracaktuara nga qeveritë. Të jeni të bindur edhe për këtë. UEFA është një strukturë që është tamam shtet më vete.

Kurse sa i përket pyetjes tjetër më kujton, pa dashje t’ju vë në pozitë, disa reagime të këtyre ditëve të disave që shkruajnë, komentojnë, pretendojnë që meqë këtu ka shumë njerëz që janë dhe është e vërtetë, janë biznesmenë dhe vjedhin energjinë elektrike, pse të tjerët që s’kanë biznese mos ta vjedhin energjinë elektrike. Fakti që dikush vjedh, fakti që dikush vret, fakti që dikush shan e lëndon nuk është arsye për t’ju kthyer me të njëjtat mjete. Dhe fakti që dikush sillet me ty si rrugaç nuk është arsye që ti t’i kthehesh si rrugaç. Këto janë gjëra që na i kanë mësuar prindërit të gjithëve qëkur kemi qenë fare të vegjël, pa e ditur se në një ditë do të duhet të luftonim për identitetin tonë europian dhe do duhej të futeshim në Bashkimin Europian. Janë principe bazë të një edukate dhe të një tradite që në këtë rast na vlen për të kuptuar thjesht se si duhet të reagojmë.

Së fundi, e përsëris, ne nuk na bën europianë nevoja për të imituar dikë. As na detyron njeri të jemi europianë ose të sillemi si europianë. As Bashkimi Europian, as NATO, as ndonjë forcë e mbinatyrshme. Ashtu sikundër nuk na detyroi njeri që në ’90 të dilnim në rrugë dhe të kërkonim Shqipërinë si gjithë Europa. Kush na detyroi? Kush na detyroi që të futeshim në procesin e integrimit europian? Kush na detyroi të firmosnim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit? Kush na detyroi të bëheshim kandidatë për Bashkimin Europian? Na detyroi Bashkimi Europian? Na detyroi NATO? Na detyroi ndonjë nevojë jashtë nesh? Jo! Është qenia jonë që na shtyn drejt vetvetes.

Më falni, por nëse ju do të mendoni se do të ishim më të fortë po t’i përgjigjeshim palës tjetër me gjuhën e forcës dhe jo me forcën e gjuhës, siç i jemi përgjigjur; me arsyen e forcës dhe jo me forcën e arsyes, siç i jemi përgjigjur, unë mendoj se do të ishim po aq të dobët sa pala tjetër.

Përtej valës së momentit të parë që përfshiu, fatkeqësisht, edhe shumë media prestigjioze, jam i bindur që Shqipëria, falë këtij qëndrimi europian, ka dalë shumë më e fituar sesa ç‘hyri në këtë betejë. Ashtu sikundër skuadra jonë kombëtare ka dalë shumë më e fituar sesa ç‘hyri muaj më parë, kur nuk e dinim se çfarë rezultati do të merrnim. Kështu mos t’i harrojmë këto, pavarësisht se të gjithë do të kishim dëshirë dhe kemi dëshirë të besojmë se është një dëshirë e bazuar në fakte që kërkojmë edhe pikët UEFA-s. E përsëris, fitorja e asaj nate ka qenë shumë më e madhe sesa edhe sikur të kishte qënë një fitore e thjeshtë 3 pikëshe. Kështu që s’kemi asgjë për të rishikuar, përkundrazi do të do të vazhdojmë të vendosur përpara.



- A mendoni se diplomacia shqiptare u tregua një hap mbrapa në krahasim me diplomacinë serbe. Kam këtu parasysh telefonatat mes zotit Vuçiç dhe zonjës Merkel, dhe me zotin Biden. A mendoni se nëse do të kishte pasur një angazhim më aktiv, edhe nga ana juaj ndoshta, personalisht, do të ndikonte në një vendim të ndryshëm?

Pse ju mendoni që telefonatat në fjalë kanë ndikuar në vendimin e UEFA-s?! Kaq te “C”-ja keni mbetur, s’keni vajtur te “D”-ja akoma? Më vjen shumë keq, por janë të gjitha qasje krejtësisht infantile dhe pa asnjë lidhje me realitetin sesi funksionojnë gjërat. E para!

Dhe e dyta, përsa i përket diplomacisë sonë të jashtme dhe telefonatave, përgjigjen më të plotë mund t’jua jepja se kush ka marrë në telefon kë dhe çfarë i ka thënë. Dakord? Kështu që po të më thoshit këtë... S’është detyra ime kjo, është detyra juaj. Unë e kam shumë të qartë për vete, por s’merrem me këtë punë. Ju merreni me këtë punë.



- Zoti Kryeministër, a mendoni se do të jeni i mirëpritur në Beograd më 10 nëntor, përballë homologëve tuaj, të cilët kanë përdorur këtë gjuhë për popullin shqiptar, sigurisht që ju përfaqësoni popullin shqiptar?

Përsëri e njëjta pyetje dhe përsëri e njëjta përgjigje. Secili mban përgjegjësi për veten e vet dhe secili përcakton me gjuhën dhe sjelljen e vet lartësinë e dinjitetit të vet. Mateni vet tani, se kush del më i gjatë në këtë mes.

Faleminderit!

KOMENTE