English

Bozdo: Kryeministri t’i hapë rrugë zbatimit të projekteve

Bozdo: “Kryeministri të lërë luftën politike dhe t’i hapë rrugë zbatimit të këtyre projekteve, në interes të qytetarëve të Tiranës”

Kompani të njohura ndërkombëtare vazhdojnë të shprehin interes për ndërtimin me koncesion të terminalit dhe tramit të Tiranës. Një prej tyre është dhe kompania kanadeze “Bombardier”, përfaqësuesit e të cilit zhvilluan dje një takim me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Enno Bozdo.

“Sot, patëm një takim pune me përfaqësues të lartë të kompanisë kanadeze “Bombardier”, një ndër katër kompanitë e mëdha në botë e cila prodhon mjete të transportit ajror, hekurudhor e më gjerë. Takimi u fokusua veçanërisht në projektin e Bashkisë së Tiranës për tramin, linjën Kombinat – Kinostudio dhe për terminalin multimodal të Tiranës. Gjeta një interes të pazakontë të kësaj kompanie, për të qenë pjesë e garës. U shpjegova kushtet e garës dhe u shpjegova në të njëjtën kohë faktin që për të dy projektet ne presim ende një përgjigje nga qeveria qendrore, duke shpresuar që kjo përgjigje të jetë pozitive dhe që Tirana të ketë terminalin e saj, si të gjithë kryeqytetet e tjera evropiane por të ketë edhe linjën e parë të tramit të saj, në të mirë të qytetarëve të Tiranës.

U shpjegova gjithashtu se kjo nuk ka lidhje me koston financiare pasi qeverisë qendrore nuk i kërkohet absolutisht asgjë dhe çfarë i kërkohet është vetëm të japë dakordësinë e saj, që Bashkia e Tiranës të procedojë për këto dy projekte shumë të rëndësishme për kryeqytetin, për sot, nesër dhe dekadat që vijnë.

Duke parë interesin e këtyre kompanive (ndër emrat më të njohur të infrastrukturës përkatëse), shfrytëzoj këtë çast për t’i bërë thirrje edhe njëherë kryeministrit që projektet në interes të Tiranës, veçanërisht këto dy projekte transporti në asnjë mënyrë nuk duhet të stopohen në emër të luftës politike por të kenë mundësi që të vijojnë, në të mirë të interesit, në të mirë të mjedisit, për të mirën e transportit në Tiranë, në të mirë të qytetarëve të Tiranës dhe sikur kjo të ndodhë do të ishte një shenjë shumë e mirë bashkëpunimi”.

Duke iu përgjigjur interesit të medias për vendimin e qeverisë për kthimin në pedonal të sheshit “Nënë Tereza”, z. Bozdo ka sqaruar se kjo është kompetencë e qeverisjes vendore, një projekt i iniciuar nga kryebashkiaku Basha dhe një vendim që duhet marrë pasi t’u krijohen kushtet qytetarëve që të përfitojnë nga këto vendime dhe jo të kthehen në stres për ta. Bashkia po zbaton një projekt për rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza” dhe po kështu për të çliruar trafikun dhe vend-parkimet në Tiranë duhen zbatuar më parë dy projektet e Bashkisë të bllokuara nga kryeministri; terminali multimodal dhe trami.

“Së pari, dua të them që urdhrat për vendodhjen e parkimeve, kufizimin e trafikut, edhe në bazë të kodit rrugor (ju mund ta konsultoni atë) i takojnë kryetarit të Bashkisë, autoritetit vendor. Nuk është gjë e re për këtë qeveri që të shmangë ligjin apo të uzurpojë kompetencat e pushtetit vendor. Kufizimi i trafikut dhe parkimit për sheshin “Nënë Tereza” përfshihet në projektin e plotë të Bashkisë së Tiranës. Këtë e ka shpallur në datën 11 shtator vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ne do të preferonim që para se të avancohej në masa të tilla të cilat jo vetëm tejkalojnë kompetencat ligjore por janë ende të parakohshme, në fillim t’u jepnin sheshin “Nënë Tereza” qytetarëve të Tiranës, një shesh për të cilin 20 vite nuk është investuar dhe Bashkia e Tiranës po e bën tani dhe më pas do të fillonim të diskutonim për urdhrat e kufizimit të trafikut apo jo.

Nga ana tjetër, urdhri i qeverisë dje parashikonte edhe ndalesën e parkimit në bulevardin qendror të Tiranës. Me një të rënë të lapsit, praktikisht qytetarëve të Tiranës u mohohen kilometra të tërë parkim. E them këtë, sepse ndërsa ndalohet parkimi në një vend në Tiranë, duhet patjetër të gjendet një opsion tjetër për parkimin, që edhe pa këtë ndërhyrje të qeverisë është i rënduar. Ky vendim duhet të merret vetëm pasi të krijohej infrastruktura e nevojshme si terminali i ri i Tiranës i cili do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në parkimet në Tiranë. Nuk do të jenë vetëm 6 tonë CO2 që nuk do të derdhen më por do të jenë më shumë se 7 km parkim në Tiranë, që do u kthehen qytetarëve të Tiranës. Pra, kjo është një zgjidhje konkrete, kështu flasim ne me shifra konkrete.

Po kështu, trami i Tiranës është një tjetër alternativë dhe tramet kanë provuar të jenë të njëjtat, të vetmet projekte që kanë reduktuar numrin e makinave në rrugë, jo vetëm në vendet e rajonit por kudo në botë dhe nxiten nga Komisioni Evropian. Është një projekt i gatshëm, nuk kushton asnjë lek, mjafton të zhbllokohet. Këto janë masa konkrete që rrisin cilësinë e jetës dhe që ofrojnë mundësi për qytetarët e Tiranës” – deklaroi z. Bozdo.

Z.Bozdo, ky urdhër e pengon vazhdimin e fazës së dytë të këtij projekti të parashikuar nga Bashkia e Tiranës për sheshin “Nënë Tereza”?

Bozdo: Me sa kam lexuar në urdhër, urdhri është për kufizimin e trafikut në sheshin “Nënë Tereza” dhe ndalimin e parkimit. Potencialisht, nuk e ndalon megjithatë surprizat me këtë qeveri nuk kanë për të reshtur kurrë dhe në ditët në vijim, në mënyrën se si do procedojmë edhe ne, do të shikoni vërtet nëse urdhri është për këtë gjë apo ka qëllime të tjera nga mbrapa.

Sa i përket terminalit, është një bashkërendim në Këshillin Bashkiak i cili prej tre muajsh nuk mblidhet. A nuk mjafton një tejkalim i kësaj situate, pa ndërhyrjen e qeverisë?

Bozdo: Këshilli Bashkiak në bazë të ligjit duhet të japë aprovimin e tij për terminalin. Ju keni qenë vetë dëshmitarë dhe KB e ka vonuar këtë gjë. Mazhoranca e KB nuk i takon PD. E ka vonuar këtë gjë, në terma absolutisht të pajustifikueshëm, justifikime që kanë lidhje me pronësinë, kur ne kemi të plotë çertifikatën e pronësisë mbi truallin që ofron Bashkia e Tiranës. Në të gjitha rastet, ajo është një vepër me interes publik dhe mund të kalohet lehtësisht në shpronësim publik nëse mund te ishte e nevojshme pra justifikime, justifikime, justifikime për të vonuar e për të mos dhënë përgjigje për të mbajtur në ngërç apo bllokuar përfundimisht këto projekte që janë mjaft të rëndësishme për Tiranën.

KOMENTE