Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rrugë europiane për Krujën e Fushë Krujën
English

Rrugë europiane për Krujën e Fushë Krujën

Fushë Kruja dhe Kruja ishin dje, ndalesa e radhës e Kryeministrit Edi Rama, në vijim të inspektimit të punimeve që kanë nisur për rivitalizimin e qendrave urbane.

Inspektimet, Kryeministri i nisi nga Fusha Kruja, ku me intensitet po punohet për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit. Për vetë vendndodhjen e saj në kryqëzimin e superstradës Tiranë-Shkodër me superstradën Vorë-Fushë Krujë, ky aks ka një rëndësi jo vetëm për t’i dhënë Fushë-Krujës një hyrje urbane moderne deri në qendër të saj, por edhe si aks i rëndësishëm i rrjetit të rrugëve kombëtare. Rruga është projektuar me parametra të infrastrukturës moderne, me gjerësi deri në 13 m, me trafikndarëse dhe trotuare në të dyja anët e saj, çka do t’i japin frymëmarrje lëvizjes në këtë aks me fluks të lartë qarkullimi. Projekti parashikon dhe mbjelljen e drurëve dekorativë në të dy krahët e saj.

Kryetari i Bashkisë Gjon Bardhi e vlerësoi një projekt me impakt të madh jo vetëm për zhvillimin e Fushë Krujës, por edhe për rritjen e turizmit në Krujë.

“Me këto parametra që ka nisur rruga dhe mendoj që do të përfundojë brenda fillimit të pranverës do të jetë një pamje tjetër për Fushë Krujën,” – tha Bardhi, i cili kërkoi mbështetjen e Qeverisë, edhe për projekte të tjera të Bashkisë për rigjallërimin urban të qytetit.

Ndërsa siguroi se tek Qeveria qendrore, pushteti vendor ka gjetur tashmë aleatin për transformimin dhe zhvillimin e qyteteve, Kryeministri Rama e vuri theksin në realizimin me standarde të projekteve të nisura.

“Ta bëjmë me maksimumin e standardeve, këtë projekt. Të realizojmë me maksimumin e standardeve, shkollën e re, të sjellim një gjelbërim urban të denjë për një qytet, të bëjmë një rigjenerim të plotë gjithë teksturës së godinave, në mënyrë që të rritet vlera e apartamenteve, të rritet vlera e dyqaneve, të rritet ekonomia. Sidomos biznesi i vogël, këtu mund të ketë shumë më tepër hapësirë, edhe vetëpunësimi. Mjafton që të krijojmë rrugën e shpresës dhe energjisë pozitive që gjërat do shkojnë duke lëvizur vit pas viti, me shumë më tepër shpejtësi. Kjo është e rëndësishme,” - u shpreh Kryeministri.

Në Fushë-Krujë kanë nisur punimet edhe për gjimnazin, që, sipas Kryetarit të Bashkisë do të jetë me standarde bashkëkohore, por edhe me një palestër që sot i mungon të rinjve.

Duke shfrytëzuar takimin me qytetarë të Fushë Krujës, Kryeministri apeloi edhe një herë për domosdoshmërinë e pagimit të energjisë elektrike të konsumuar.

Në qytetin e Krujës ka nisur rikonstruksioni i rrugës që lidh qendrën e qytetit me 3 lagjet e vjetra të këtij qyteti drejt Kalasë. Rruga shërben për të lidhur gjithashtu edhe 2 fshatra që ndodhen afër Krujës. Projekti parashikon zgjerimin e rrugës dhe pajisjen me sistemin e ndriçimit përgjatë saj deri në Kala, çka do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen edhe të autobusëve turistikë.

Po ashtu, Kryeministri Rama ka parë nga afër edhe punimet që po kryhen për rivitalizimin e pazarit të vjetër të Krujës. Një projekt që po kryhet me Fondin Shqiptaro-Amerikan Për Zhvillim.

Nënkryetari i Bashkisë së Krujës informoi se do të kryhet restaurimi i plotë i pazarit, duke filluar me njehsimin e çative dhe të fasadave, ngritjen e një sistemi zjarrfikës, pasi, siç tha ai, pazari është të djegur dy herë në periudha të ndryshme, si dhe sistemin e internetit, një element i munguar për bizneset aty dhe për vizitorët. “Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm. Për 3 muaj ka pasur 45 mijë vizitorë,” – theksoi nënkryetari i bashkisë.

Kryeministri Rama theksoi se për atë çfarë Kruja përfaqëson për historinë, por dhe për turizmin, është i nevojshëm edhe një program afatgjatë zhvillimi.

Ndërsa garantoi vazhdimin e mbështetjes, duke bashkëbiseduar me nënkryetarin e bashkisë së qytetit Kryeministri u shpreh: “Do vazhdojmë një zinxhir projektesh këtu. Kuptohet kjo do varet shumë edhe nga ju, sepse jeni ju që duhet të na propozoni. Por duam që, tani që e vumë në mbrojtje, Krujës t’i japim realisht një status të veçantë jo me fjalë, por një status të veçantë edhe me vëmendje, sepse është një nga pikat që është dëmtuar më shumë dhe që ka nevojë për më shumë kurim, sepse është edhe një nga pikat që sjell më shumë të ardhura dhe është një pikë ku s’duhet të ketë papunësi. Normalisht duhet të ndërtojmë një projekt që të jetë disavjeçar, një program disavjeçar zhvillimi dhe ju duhet të na jepni orientimet kryesore, në mënyrë që ne pastaj të vazhdojmë me pjesën tonë. Por mbështetjen do e keni absolute, sepse e kemi prioritet Krujën. E kemi shumë të rëndësishme.”

KOMENTE