English

Blerjet te "GABI", një rrezik për shëndetin, shprehen dermatologët

Kriza ekonomike po i detyron shumë njerëz që t’i drejtohen tregjeve me rroba të përdorura. Blerja e mallrave të dorës së dytë nuk do të thotë vetëm kursim, por edhe zgjedhje e një tendence të veçantë.

Është e thjeshtë që në tregjet me gjëra të përdorura të gjeni aksesorë origjinalë dhe të vjetër, të cilët i japin pamjes tuaj një unikalitet për t’u admiruar. Por është e nevojshme që të tregoheni të kujdesshëm për cilësinë e produkteve të blera në këto tregje. Nëse nga njëra anë, produktet me kosto të ulët janë një e mirë për kuletën tonë, nga ana tjetër janë një e keqe për shëndetin!

Studimet e kryera së fundmi nga disa dermatologë tregojnë se produktet ekonomike janë shkak i dermatitit dhe reaksioneve alergjike, të provokuar nga ngjyruesit, nga agjentët kimikë, papastërtitë dhe teknikat e përpunimit të improvizuara, të cilat nuk përputhen me rregullat strikte europiane për prodhimin dhe ngjyrosjen.

Në veçanti, ngjyra e zbehtë e të kuqes dhe blusë, janë përgjegjëset kryesore të dermatitit të kontaktit. Në pjesët e trupit në të cilat djersitja është më e madhe, mund të shfaqet irritim dhe inflamacion serioz. Kruajtja, djegia, skuqja dhe shfaqja e disa puçrrave të vogla në lëkurë, janë simptomat kryesore të dermatitit, të cilat mund të luftohen me një krem qetësues pa kortizon.

Rrobat me kosto të ulët, apo të përdorura, do të lëshojnë gjithnjë ngjyrë sa herë që të bien në kontakt me djersën e lëkurës së trupit: problemi nuk mund të eliminohet me larje të përsëritura në lavatriçe apo në një pastrim kimik. Ndaj për të shmangur të papritura të pakëndshme, duhet të braktisni pazarin e çmimeve të ulëta dhe të preferoni rrobat me cilësi të mirë.

Por nëse nuk jua lejojnë xhepat, si fillim duhet t’i nënshtroheni testeve alergjike për të kuptuar se cilat kanë qenë substancat që ju kanë provokuar reagimin e pakëndshëm të lëkurës. Për çdo gjë të blerë duhet të kontrolloni etiketën në të cilën janë shënuar materialet tekstile të përdorura dhe më pas të shmangni blerjen e veshjeve totalisht me poliestër, sidomos kur ato duhen veshur direkt në lëkurë.

Gjithashtu për të mos u blerë janë edhe rrobat e prodhuara në Kinë, të cilat u “shpëtojnë” kontrolleve të rrepta të Bashkimit Europian dhe për këtë arsye mund të përmbajnë kimikate toksike dhe kancerogjene. Ndërkohë, para se të shkoni sërish drejt tregjeve me rroba të përdorura, sillni nëpër mend faktin se kush mund t’i ketë veshur ato në të shkuarën: një i sëmurë nga sida, një person i cili ka pasur plagë në trup apo puçrra, persona që nuk jetojnë më, fëmijë që nuk i veshën kurrë ato rroba etj.

Pra nga aspekti psikologjik, secila prej tyre ka një histori të vetën, ndërsa nga ana shëndetësore, rreziku është tepër evident. Sado që tregtarët t’i lajnë ato, mikrobet mbesin ose edhe zhvillohen prej ambientit të papastër ku tregtohen, ose prej mijëra duarve të palara që i prekin çdo ditë, shkruan "Shqip".

Kujdes duhet të tregoni edhe kur të blini rroba në dyqane me çmime të ulëta, sepse së fundmi tregtimi i rrobave të përdorura, por të stisura për t’u shitur nëpër “butikë”, po përhapet shumë, sigurisht prej leverdisë që shitësit kanë prej tyre.Kështu që kushtojini rëndësi higjienës së veshjeve të blera në vende të dyshimta. Fundja, kursimi që do të mund të bëni prej blerjes së rrobave të dorës së dytë, do t’ju shkojë kot nëse me pas duhet t’i drejtoheni spitalit për probleme të ndryshme që mund t’ju shfaqen në lëkurë, apo në rrugët respiratore.

KOMENTE