English


Rama: U thye një akullnajë e shtresëzuar në dekada

Dua të bëj disa falenderime.

Së pari, palës serbe për organizmin dhe për kujdesin e treguar, duke garantuar kushte sigurie optimale dhe duke bërë të mundur që të ndiheshim plotësisht të qetë për të kryer një mision jo të lehtë.

U thye një akullnajë e shtresëzuar në dekada të gjata luftërash, konfliktesh, ndasish të pangushëllueshme në mes të Europës.

Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe jemi sot më afër se ç’ishim para dy ditësh, edhe pse rruga që duhet të bëjmë për t’u bërë miq të vërtetë është shumë më e gjatë se rruga që bëmë këto dy ditë. Por, nëse miqësia e vërtetë mund të kërkojë natyrshëm një kohë të vetën, partneriteti serioz dhe bashkëpunimi intensiv për interesat e secilës palë nuk presin. Ne do të angazhohemi intensivisht në këtë proces duke qenë të vetëdijshëm dhe duke e komunikuar me mbarë botën këtë vetëdije se kjo është një kohë e re e jashtëzakonshme paqeje për Ballkanin dhe është një mundësi fantastike për të bërë të mundur që gjenerata tjetër të mos trashëgojë traumat dhe pasojat traumatike të një periudhe kaq të gjatë luftërash, konfliktesh, dasish në Ballkan dhe posaçërisht mes shqiptarëve dhe serbëve.

Një falenderim nga zemra me mirënjohje të thellë shqiptarëve të Preshevës!

Dua të jem shumë i sinqertë;

E kam pasur të pamundur, dhe besoj do të kem të pamundur, ta tregoj me fjalë atë që kam ndjerë dhe posaçërisht peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë kur më është dorëzuar titulli lartë i “Qytetar Nderi”, të një territori shqiptarësh që kanë vuajtur shumë, kanë sakrifikuar shumë, janë penguar shumë për të pasur një jetë normale dhe që jam krenar që më në fund ndjehen të përfaqësuar dhe të përkrahur.

I siguroj të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë, se nuk do të rresht dhe nuk do të reshtim përpjekjet tona për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Veriun e Kosovës. Është modeli i asaj që ne jemi si shqiptarë dhe që duam të jemi në sytë e të tjerëve, por në radhë të parë në raportin me veten tonë dhe trajtimin e të tjerëve.

E nuk duam as më shumë e as më pak, por atë që na takon nga të tjerët.

Një falenderim krejt i posaçëm me përulësi për të gjithë shqiptarët e Kosovës, që na e bënë kthimin nga Serbia në Shqipëri, përmes Kosovës, një ngjarje të paharrueshme duke dalë buzë rrugëve të çdo zone, të banuar, për të na përshëndetur dhe duke na bërë që të ndihemi mrekullisht mirë dhe të kthehemi me zemrën mal.

Faleminderit të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të gjithë qytetarëve dhe qytetareve të Shqipërisë, por dhe të gjithë atyre që nga jashtë Shqipërisë, në territore shqiptare apo nga vende ku jetojnë dhe punojnë në emigracion, nuk i kursyen fjalët për të na dhënë mbështetje dhe për të na bërë të ndihemi mrekullisht mirë.

Por dua t’u them përsëri shumë sinqerisht se unë personalisht nuk ndjehem në lartësinë e jashtëzakonshme të fjalëve të mira në adresën time. Jam i lumtur të ndihem në lartësinë e pritshmërisë së njerëzve tanë.

E kam shumë të nevojshme të reflektoj për të kuptuar deri në fund gjithë këtë mbështetje entuziaste në adresën time.

Por, një gjë jua them të gjithëve me siguri:

Sot falë gjithë kësaj mbështetje ndihem më i vogël se dje dhe e shoh përgjegjësinë si një mal ende më të lartë se dje.

Padyshim, do të bëj gjithçka që më takon për të qenë në lartësinë e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme.

Faleminderit dhe të gjithë gazetarëve dhe sipërmarrësve që e shoqëruan delegacionin tonë në këtë udhëtim dhe që i dhanë përmasën e duhur të një serioziteti solemn kësaj rruge ku u ndjeva shumë krenar për median tonë dhe padyshim do të doja që dhe median në Serbi ta shihja të çliruar nga një kompleks i çuditshëm ndaj shqiptarëve të sotëm.

Si përfundim, jam këtu para jush me bindjen se sado të flas nuk do të arrij dot ta përshkruaj emocionin e mbi të gjithë ndjenjën e frikshme të përgjegjësisë, në raport me gjithë këtë mbështetje dhe gjithë këtë inkurajim entuziast.

Prandaj ndryshe nga shpeshherë po e mbyll këtu dhe nuk po zgjatem, duke i dhënë mundësi secilit prej jush të bëjë pyetje, që ndoshta kanë mbetur pa u bërë.



Pyetje-Përgjigje:

Zoti Rama, në Beograd ngurruat që ta quanit një sukses vizitën tuaj, por në darkën, pas konferencës për shtyp që patët, arritët të firmosni një marrëveshje shumë të rëndësishme, marrëveshjen për shkëmbimin e të rinjve. Tani që gjithçka ka mbaruar a mund të quhet e suksesshme kjo vizitë?

Do të ktheheni në Beograd, siç ka thënë homologu juaj, në muajin dhjetor. Vuçiç ka thënë dje për mediat serbe që nuk mund të gjuante me shkop, duke lënë të kuptohej se nëse do të kishte në mundësi do ta bënte, si do të ktheheni ju në Beograd?

Së pari, unë nuk kam thënë vizitë e suksesshme, asnjëherë, për asnjë vizitë. Nuk e përdor këtë term, vizitë e suksesshme, pasi më duket pak si term i vjetër dhe është përdorur shpesh në këtë seli, ku janë quajtur të suksesshme edhe ardhjet e luanëve nga Burundi, për Kopshtin Zoologjik.

Por unë, padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike. Për mua, vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj, përsa na takon.

Ndërsa përsa i përket deklaratave të palës tjetër, unë ndjej keqardhje për një fakt shumë të thjeshtë, se nuk ka si mos të të vijë keq, kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë, për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve. E, përtej kësaj, unë besoj se nuk ka nevojë të shtojmë komente apo batuta, se shumë batuta do më vinin në mend për punën e shkopit, se çfarë mund të bëjë me shkopin kolegu im, por jam i bindur që ai e ka përdorur si metaforë dhe e tillë le të mbetet, që të mos hyjmë në historira shkopinjsh.

Ka një vizitë të përvitshme të Kryeministrit të Kinës, në kuadrin e bashkëpunimit me 16 vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Siç ju kujtohet, vjet, ajo u mbajt në Bukuresht. Këtë vit është caktuar të mbahet në Beograd dhe unë s’kam asnjë problem të shkoj në Beograd dhe shpresoj që një orë e më parë, serbët mos kenë problem të më kenë mua në Beograd, se nuk jam unë që e krijoj problemin e tyre në raport me Kosovën, por janë ata që duhet ta zgjidhin këtë, si një problem të madh të vetvetes me të shkuarën dhe me të ardhmen e tyre.



Nga takimi që ju patët me homologun Vuçiç, në deklaratat që ju bëtë, ju ua mbushët zemrën shqiptarëve, shqiptarëve të Kosovës, të Preshevës, ndërkohë që ju dolët si fitues i atij “dueli” apo takimi, ndërkohë që zoti Vuçiç pati kritika të shumta nga pala serbe. Kjo situatë e krijuar sa e ndihmon të ardhmen e marrëdhënieve bilaterale dhe sa dokumente keni lënë për t’u zhvilluar më tej, që të quhet kjo vizitë, edhe pse historike pas kaq vitesh, për të hapur një rrugë të re me problematika konkrete?

Që ta ulim pak në rrafshin e normalitetit këtë bisedë, po i referohem, - duke u nisur edhe nga pyetja që bëri Elia më parë, - darkës që gazeta juaj e quajti sekrete. Ndërkohë që s’mund të jetë sekrete një darkë që e di edhe Irfani, apo jo?

Darka ishte rezultat i insistimit më pas, nga ana jonë, për të firmosur një marrëveshje me përmbajtje, duke mos pranuar të firmosim një marrëveshje të përgjithshme, në një nga elementët që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm dhe që është një element kyç edhe i procesit të Berlinit, i inkurajuar nga kancelaria Merkel, lidhur me shkëmbimet e rinisë. Ne kemi kërkuar që në këtë marrëveshje, elementi përmbajtjesor i munguar të jetë ai që i siguron të rinjve shqiptarë dhe serbë njohjen reciproke të diplomave. Jam shumë i kënaqur që në “darkën sekrete” të “Panoramës”, ne patëm mundësi të bëjmë një panoramë të plotë të gjërave që na bashkojnë dhe duhet të na bashkojnë, duke mos pasur asnjë arsye që të biem dakord me palën tjetër, për gjërat që qartësisht na ndajnë. Por gjërat që qartësisht na ndajnë, të them të drejtën nuk janë gjëra që na ndajnë ne me serbët, por janë gjëra që ndajnë serbët me të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, unë e kam thënë në Beograd, e përsëris edhe këtu, që sa më shpejt ta njohin Kosovën, aq më mirë do të jetë për ta, se do të çlirohen nga një barrë e rëndë, që, siç e patë, nuk dinë ku ta çojnë dhe në mënyrë krejt të paarsyeshme, por edhe të habitshme përpiqen t’ia lënë të tjerëve.

Unë besoj që njoha reciproke e diplomave, lëvizja e lirë me kartë identiteti mes qytetarëve të të dyja vendeve janë dy hapa të jashtëzakonshëm përpara, nëse shohim vetëm dy ditë pas, sigurisht janë dy hapa shumë modestë, nëse shohim vetëm përpara. Ky, siç e kam thënë edhe në raste të tjera, është vetëm fillimi, besoj edhe në këtë aspekt.



Zoti Rama, përshëndetje! Zoti Vuçiç ka deklaruar se është ndjerë i prerë në besë nga ju, përsa i përket deklaratës mbi Kosovës. A mund, ju lutem, në na sqaroni vetëm si detaj, nëse gjatë takimit kokë më kokë, ju keni pasur mundësi t’ia shprehnit qëndrimin tuaj edhe atij, para se të dilnit përpara kamerave?

Së dyti, folët për shkrirje të akullnajës mes Tiranës dhe Beogradit, ndërkohë që përsëri, zoti Vuçiç ka folur nga ana tjetër, për një mundësi të humbur në shkrirjen e akujve në marrëdhëniet dypalëshe. Ku e mbështesni optimizmin tuaj, pasi vëmë re dy qëndrime totalisht të kundërta?

Së pari, besa është në dijeni time, një instrument etik i shqiptarëve. Nuk e di që serbët të kenë besë, në kuptimin që ta kenë besën si instrument. S’di të kemi dhënë ndonjëherë ndonjë besë, që pastaj të konsiderohemi besëshkelur. Por, ndoshta nuk është përdorur kjo fjalë dhe është mirë të mos zgjatemi në këtë çështjen e besës, sepse hyjmë në histori dhe unë besoj që historia duhet kapërcyer për të shkruar një histori të re.

Sa i takon pastaj, interpretimit mbi thyerjen e akullit apo të akullnajës, secili është i lirë ta bëjë siç e sheh. Unë e shoh kështu. Jam i bindur se koha do të provojë shumë shpejt se është kështu. Marrëveshja që pasoi, besoj që është një marrëveshje e akullit të thyer, konkrete. Pastaj, sigurisht që mos harrojnë se koha e gjatë, shumë e gjatë, nga vijmë, nuk e bën kaq të lehtë edhe thyerjen e akujve, por edhe dakordësinë për thellësinë e thyerjes. Është proces dhe do të ishte krejt anormale sikur të ishte e kundërta, besoj.



Zoti Kryeministër, gjatë kohës që ju ishit në Beograd ka pasur një postim të ish Kryeministrit Berisha në Facebook, i cili thotë se ju u poshtëruat atje, pasi në ceremonialin në Pallatin “Serbia” mungonte flamuri shqiptar. Mund të na e sqaroni ketë detaj, ju lutem, përse mungonte flamuri shqiptar në Beograd?

Së dyti, në konferencën për shtyp keni deklaruar se i keni bërë një ftesë për të ardhur në Tiranë, Kryeministrit Vuçiç. A ju la të kuptohet se ai e mirëpriti këtë ftesë dhe a do të vijë në Tiranë apo jo?

Tani, dua të jem shumë i sinqertë me ju. Unë nuk mund ta besoj dot, që paraardhësi im ta ketë dëshiruar një poshtërim të Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd. Për më tepër, duke qenë se ka kaluar shumë truproja, ai duhet ta dinte shumë mirë që Truprojat e Nderit kanë flamurin e shtetit që përfaqësojnë. Garda Republikane Shqiptare nuk mund të mbajë flamurin e Serbisë apo të cilitdo vendi tjetër, kur Kryeministri serb apo cilido kryeministër tjetër vjen në Shqipëri. Ashtu sikundër, Garda Republikane Serbe nuk mund të mbajë flamurin e Shqipërisë. Simbolika e protokollit është e tillë. Por, besoj është çështje moshe. Edhe me moshë janë pasoja të padëshiruara, por që vijnë. S’ka mundësi që të jetë një harresë e qëllimshme, por është, besoj, në procesin biologjik të njëlloj rrjedhje të kujtesës, nga ana e paraardhësit tim. Kështu që, duke e mirëkuptuar këtë gjë dhe duke respektuar çdo njeri në moshë të thyer, besoj se nuk është e udhës që të komentoj më shumë për këtë. Jemi të detyruar t’ua falim shumë të moshuarve tëharrjet e kujtesës, sepse do të vijë dita që, larg qoftë, do biem edhe në këto lloj situatash dhe nuk do ishte mirë të na i merrnin për keq. Unë nuk ia marr për keq.

Për sa i përket ftesës, ftesa ka qenë dhe mbetet që Kryeministri i Serbisë të na kthejë vizitën. Besoj që vizita do të ndodhë, jo mbas 68-vjetësh, shpresoj vitin e ardhshëm. E, na takon po ashtu që, edhe këtu në Tiranë, të vazhdojmë të tregojmë se ne shqiptarët s’kemi asnjë kompleks nga e shkuara dhe se jemi gjithmonë e më shumë europianët e rinj të Ballkanit.



Zoti Kryeministër, po i rikthehem sërish çështjes që u prek më parë nga kolegu për takimin e dhjetorit, të organizuar nga Kryeministri kinez. Një takim, që ju thatë se është bërë edhe një vit më parë në Bukuresht. Pas marrëveshjeve që arritët në Beograd, cili do të jetë hapi i radhës për të bashkëpunuar me Serbinë. A do të keni projekte konkrete për të kërkuar ndihmën e Kinës, meqenëse është një shtet që ka treguar vëmendje gjatë viteve të fundit për të investuar në Ballkan? Kam parasysh edhe takimet që ju keni pasur vetë në Kinë, por edhe interesin që ata kanë shfaqur për projekte të caktuara infrastrukturore.

Dua ta rikthej vëmendjen pak tek fakti që përtej marrëdhënies Shqipëri-Serbi ka një marrëdhënie rajonale që duhet zhvilluar dhe forcuar, mes gjithë vendeve të rajonit, përtej palëve që e përbëjnë rajonin, rajoni ka shansin historik që të sillet si një palë e vetme në raport me Europën. Shumë shpejt, besoj, ne do të vazhdojmë të tregojmë se jemi shumë të qartë se si rajoni mund të shkojë përpara si një palë e vetme. Do të promovojmë në Bruksel nisma të përbashkëta, jo vetëm me Serbinë, por edhe me vende të tjera. Bashkërisht do të koordinohemi, jam i bindur, më shpejtë se vonë, në një mesazh unik se: “Europës së Bashkuar i duhet sot Ballkani, njësoj siç i duhet Europa e Bashkuar Ballkanit!” Kjo është një bindje që po fiton terren. Është një mesazh që, jam i bindur, shumë shpejt do të jetë mesazh i përbashkët i gjithë vendeve të rajonit. Veç e veç, ne do ta kishim jashtëzakonisht të vështirë rrugën tonë drejt integrimit europian, nënkuptuar si rrugë për modernizim dhe mirëqenie e çdo vendi. Jemi ekonomi shumë të vogla dhe ciklet e krizave, por edhe rrjedhat e interesave të mëdha, vështirësisht, do të mund të trajtoheshin ashtu siç duhet, veç e veç. Ndërkohë që, shumë më lehtësisht mund të trajtohen bashkë. Së bashku bëjmë një ekonomi shumë interesante, së bashku bëjmë një treg shumë interesant dhe së bashku bëjmë një hapësirë të munguar për Europën.

Ky është vizioni ynë!

Shqipëria këtë vizion e ka paraqitur të shkruar në Konferencën e Berlinit. Një marrëveshje e re për Ballkanin, - që ne e kemi sugjeruar që në atë Konferencë dhe që nënkupton jo vetëm marrëveshjen mes nesh në Ballkan, por edhe mes Ballkanit dhe Europës, - do të jetë shumë shpejt dhe në axhendën e marrëdhënieve mes nesh dhe Europës. Sepse rrugë tjetër nuk ka. Nga ana tjetër, nuk ka projekt alternativ, as të zgjerimit dhe as të integrimit, zgjerimit për Europën dhe integrimit për ne.

Kështu që, të gjitha të tjerat janë ato që në shqipen e bukur quhen “manovra në xunkth” për politikën e ditës, qoftë në Europë, qoftë në Serbi, qoftë kudo qoftë. Jemi vërtet me fat që sot ne nuk jemi viktima të politikës së ditës, por përkundrazi, jemi në një pozicion nga ku e shohim shumë qartë të ardhmen.



Zoti Rama, deklarata juaj për Kosovën në Beograd, a rrezikon ta kthejë çështjen e Kosovës nga një çështje ndërkombëtare në një çështje mes dy shteteve?

Unë besoj që Kosova, Shqipëria, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës janë aty ku duhet. Serbia nuk është aty ku duhet në raport me Kosovën. Kjo më shumë sesa Kosovën dëmton vetë Serbinë. Kjo është fare e qartë. Është aq e qartë sa ç’është e qartë sesa e kotë është për njeriun që përpiqet të mbulojë diellin me shoshë dhe se çfarë njeriu i privon vetes duke mbyllur sytë përpara realitetit. Por nuk besoj. Si do që të jetë, s’kemi ne arsye të reflektojmë lidhur me këtë çështje. Ndërsa serbët i kanë të gjitha arsyet të reflektojnë lidhur me këtë çështje.



Zoti Rama, doja t’ju pyesja nëse keni pasur reagime nga zyrtarë të Bashkimit Europian ose komunikime me partnerë të tjerë ndërkombëtarë në lidhje me këtë vizitë dhe qëndrimi që ka mbajtur pala shqiptare? Pyetja e dytë, ka të bëjë me një darkë që ju keni pasur me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, zoti Hoxhaj dhe nuk ka qenë Kryeministri Thaçi. Pse kjo zgjedhje? Në qoftë se mund të zbulojmë edhe ndonjë detaj, çfarë është diskutuar në këtë darkë?

Ne kemi ndaluar në Kosovë pas një udhëtimi të gjatë për të ngrënë diçka dhe kemi përfituar nga mikpritja e miqve tanë, për të cilën i falenderoj edhe ata. Kryeministri Thaçi nuk është gjendur dje në Kosovë. Ndërkohë që, ndalesa jonë në Prizren ka qenë e lidhur me kënaqësinë e jashtëzakonshme që të jep Prizreni kur ke mundësinë të ndalosh dhe aq më tepër pastaj, të përfitosh nga kuzhina fantastike e Kosovës, edhe pse duhet të mbajmë dietë.

Besoj që s’ka asnjë arsye për të mos qenë të kënaqur nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Dhe, qoftë deklaratat zyrtare, por qoftë dhe ndjesia e përgjithshme që të krijohet, qoftë edhe nga fakti që, merreni me mend, edhe Andi Bushati e përshëndeti vizitën, mjaftojnë për të kuptuar që jemi në një gjatësi vale me të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Është një takim që koha do të tregojë se ka shënuar një pikë kthese të plotë për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për marrëdhëniet në rajon.



Ju folët për marrëveshje të firmosura, por a ka pasur marrëveshje të përcaktuara në axhendë që nuk janë firmosur?

Jo! Këto janë marrëveshjet që ne kishim synim të firmosnim. Por, për sa i përket marrëveshjeve të pa firmosura, diçka që unë e mësova nga përgatitja e vizitës, qysh prej vitit 1978 qëndrojnë të shkruara, të rishkruara, të redaktuara, të riredaktuara, të korrigjuara, të rikorigjuara 17 marrëveshje. Kështu që, nëse nga 1978 janë 17 pa firmosur dhe ne kemi firmosur 3 në një kohë kaq të shkurtër, besoj se shumë shpejt do t’i vijë radha edhe të tjerave, pa as më të voglin dyshim. Por, ajo që duam ne t’i vijë edhe më shpejtë radha është rritja e këmbimeve tregtare dhe rritja e prezencës së sipërmarrjes, qoftë shqiptare në Serbi, qoftë serbe në Shqipëri.



A është sot Ballkani më i çliruar nga makthet e së shkuarës? Jeni cilësuar si “droni” i dytë, si ndjeheni ju për këtë?

U bëmë familje dronësh më duket. Meqenëse e hodhi vëllai im të parin, s’mund të rrija unë pa hedhur të dytin.

Faleminderit!

KOMENTE