Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Parashkollorët. Një vit të detyruar përgatitor për klasën e parë, edhe pse s'kanë shkuar në kopësht
English

Parashkollorët. Një vit të detyruar përgatitor për klasën e parë, edhe pse s'kanë shkuar në kopësht

Pas dy reformave të ndërmarra për arsimin e lartë dhe atë parauniversitar, tashmë është zbardhur edhe vizioni për parashkollorin. Grupi që ka hartuar këtë reformë, ka menduar që për fëmijët e moshave 5-6 vjeç të hapë klasa parapërgatitore në të gjithë vendin. Pjesë e objektivave të kësaj reforme është edhe qasja e barabartë e arsimit nga të gjithë fëmijët, pra përfshirja e vazhdueshme e fëmijëve nga grupet e pakicave dhe fëmijëve me aftësi të kufizuar. Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi në intervistë për “Shekulli”-n tregon të gjithë fëmijët, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë frekuentuar çerdhet apo kopshtet, do të marrin detyrimisht një vit edukimi para se të shkojnë në klasën e parë. Ndërsa, sa i përket kushteve në parashkollor, Janaqi thotë se, në një kohë të afërt do të ketë inspektime dhe nëse do të zbulohen shkelje, do të merren masa, ashtu siç ndodhi me 18 universitete dhe 12 shkolla të mesme. Lidhur me situatën e burimeve njerëzore, do të ketë një kalim në sitë të mësuesve të punësuar në këtë sektor, dhe deri në muajin qershor, kur të kryhet licencimi, edhe parashkollori do të jetë pjesë. “Për të krijuar koherencën dhe mënyrën se si do të hartohet kurrikula nga parashkollori në arsimin e 9-vjeçar dhe gjimnaz, si dhe a do të ketë të njëjtin standard cilësia e mësuesve në të gjithë arsimin, ne lançuam vizionin për arsimin parashkollor”, - shprehet Janaqi.

Zoti Janaqi, pas prezantimit të draftit për arsimin universitar dhe parauniversitar, tashmë është prezantuar edhe vizioni për parashkollorin. Por çfarë synon reforma e arsimit parashkollor?

Arsimi parashkollor do t’i nënshtrohet 3 kolonave kryesore të reformës. Kolona e parë është strukturimi dhe qasja. Nuk mjafton vetëm për grupet e kopshtit, por kemi futur për herë të parë një koncept bashkëkohor, klasat përgatitore (mosha 5-6 vjeç). Këto klasa i atribuohen fëmijëve që nuk kanë shkuar asnjëherë në kopsht për shumë arsye. Ata do të marrin detyrimisht një vit edukimi përpara se të hyjnë në klasën e parë, përveç integrimit me program dhe me trajnim specifik mësuesish, komplet kurrikula e parashkollorit do t’i afrohet qasjes, me kompetenca për ta lidhur me kurrikulën e re të reformuar të arsimit bazë. Sipas ekspertëve, investimi në fëmijërinë e hershme (mosha 3-6 vjeç) është investimi më i mirë i edukimit me benefite të mëvonshme. Për momentin, ne kemi hartuar një plan që shkon kryesisht 4 vjet, në mënyrë që pas kaq vitesh, e gjithë struktura e arsimit parauniversitar të jetë e unifikuar. Qasja që fillon me ndryshimin e kurrikulave dhe trajnimin e mësuesve do të hyjë në një zbatueshmëri të gjerë. Aktualisht, kemi dokumentacion, pra ka standarde për edukimin, mësuesit dhe kopshtet, por ato nuk përputhen me filozofinë e re të ndryshimit të arsimit bazë. Për t’i përputhur këto, ne tashmë kemi filluar punën që i gjithë dokumentacioni i parashkollorit të përputhet me frymën e re, që kërkohet sipas qasjes me kompetenca në mënyrë që lidhja të jetë më harmonike. Disa nga risitë e këtyre dokumenteve, janë që për herë të parë do të kemi një kornizë kurrikulare vetëm për parashkollorin, gjë që sot mungon. Do të kemi standarde të zhvillimit të të nxënit, që po hartohen me ekspertë ndërkombëtarë. Pas përfundimit të standardeve, puna do të fillojë me zbatimin e tyre. Është një proces që i nënshtrohet përshtatjes së realitetit ku jetojmë dhe me trajnimin e mësuesve që do të kryhet në bazë të këtyre standardeve. Më pas do të vijojmë me hartimin e programeve të parashkollorit dhe më pas ky program do të pilotohet edhe më gjerësisht.

A ka pasur ndonjë inspektim gjatë kësaj periudhe për të treguar që infrastruktura apo kriteret e ligjshmërisë së tyre janë të rregullta?

Mund të ketë pasur inspektime nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit, por arsimi parashkollor ende nuk i është nënshtruar një inspektimi cilësor, ashtu siç ndodhi me shkollat 9-vjeçare, gjimnazet dhe universitetet. Kështu që besoj se, edhe arsimin parashkollor në cilësinë e ligjshmërisë, por dhe në metodologjinë e mësimdhënies në një kohë të afërt do t’i nënshtrohet këtij procesi, në mënyrë që ne paralelisht me reformimin e sistemit, të reformojmë edhe strukturën ligjore. Nëse do të ketë institucione jashtë kritereve të ligjshmërisë, patjetër që do të na bëjë të marrim masa.

Arsimi në vend zbuloi se 18 universitete dhe 12 gjimnaze ishin jashtë kritereve. Ju thatë se, inspektimi ka munguar, por i parë si një sistem tërësor, a mund të flasim për mungesë kushtesh edhe në sistemin e arsimit parashkollor?

Nëse sistemin e arsimit parashkollor, po ta shohim si pjesë të integruar, në mënyrë hipotetike mundet të jetë edhe kjo që deklaroni, po pa e provuar dhe pa e inspektuar nuk mund të japim deklarata të sigurta.

A do ketë kritere të reja për mësuesit apo edukatorët e parashkollorit? A do të futen në sitë ata, siç ndodhi me mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme?

Për të qenë realistë, një vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë dhe menaxhimit të burimeve njerëzore. Vlen për t’u theksuar fakti se, Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka shtuar asnjë kriter ligjor ekstra për mësuesit. Ka një legjislacion në fuqi, i cili përcakton llojin e diplomës, nivelin e certifikimit, kohën kur licencohet një mësues. Gjithë ajo që kemi bërë me arsimin bazë, por jo në mënyrë specifike me parashkollorin është verifikimi i kritereve të ligjshmërisë shkencore të diplomave që kanë arsimtarët. Do të ketë dhe një kalim në sitë dhe të sistemit parashkollor për të verifikuar ligjshmërinë e diplomave dhe për të parë me sy realitetin. Kjo do të bëhet në kohën e duhur dhe besoj se deri në maj-qershor 2015, kur të kryhet licencimi i gjithë mësuesve në Shqipëri dhe parashkollori do të jetë pjesë e procesit të licencimit të mësueseve.

Si është i organizuar aktualisht sistemi parashkollor?

Arsimi parashkollor është organizuar në kopshte dhe në klasa përgatitore ku edukohen fëmijët 3 deri 6 vjeç dhe nuk është i detyruar. Kopshtet funksionojnë me 3 grupe: grupi i parë ( 3-4 vjeç); grupi i dytë (4-5 vjeç) dhe grupi i tretë (5- 6 vjeç). Klasat përgatitore funksionojnë në shkollat e arsimit bazë dhe frekuentohen nga fëmijë të moshës 5 vjeç, që nuk kanë ndjekur arsimin parashkollor. Procesi mësimor-edukativ në arsimin parashkollor zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa, në kopshtet që ndodhen në zonat e banuara nga pakicat kombëtare (greke apo maqedonase), zhvillohet në gjuhën amtare. Ky proces zhvillohet sipas një kurrikule që ndjek standardet e miratuara të përmbajtjes dhe të arritjes. Në vitin shkollor 2012-13, kanë ndjekur institucionet parashkollore 76 për qind e fëmijëve të grupmoshës 3-5 vjeç. Aktualisht, numri i fëmijëve në kopshte është 81 448. Funksionojnë 383 klasa përgatitore. Në këto klasa mësojnë rreth 9100 fëmijë. Për vitin shkollor 2013-14, numri i mësueseve në kopshte është 4462, prej të cilave 71 për qind janë me arsim të lartë. Raporti fëmijë/mësues në kopshte është 18:1, ndërsa raporti fëmijë/grup në kopshte është 22:1. Numri i institucioneve arsimore private përbën 8.4 për qind të numrit të përgjithshëm. Numri i fëmijëve që ndjekin arsimin privat parashkollor përbën 6 për qind e numrit përgjithshëm.

Kategoritë

Fëmijët që përfitojnë bursë në kopshte

Sipas standardeve që janë vendosur në legjislacion me vendim të Këshillit Bashkiak, në institucionet parashkollore përfitojnë reduktim pagese fëmijët e familjeve si më poshtë: a) fëmijë të familjeve me më shumë se 1 fëmijë, që frekuentojnë çerdhe dhe kopsht në të njëjtën kohë. b) fëmijë të nënave-vajza. c) fëmijë të familjeve, ku kryefamiljari është grua e ve, apo e divorcuar. d) fëmijë të familjeve, ku prindërit janë me aftësi të kufizuara. e) fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Sa i përket dokumentacionit, për familjet që kanë më shumë se 1 fëmijë në çerdhe ose kopsht, ata duhet të pajisen me certifikatë familjare të dy muajve të fundit, vërtetim nga çerdhja ose kopshti që fëmija është regjistruar dhe e frekuenton rregullisht.

Nëse janë 3 fëmijë në çerdhe e kopsht, për fëmijën e parë pagesa është 100 për qind, për fëmijën e dytë pagesa është 50 për qind, ndërsa për fëmijën e tretë, prindi nuk paguan. Nëse familja ka 4 ose më shumë fëmijë në çerdhe apo kopsht, për të parin paguhet 100 për qind, për të dytin 50 për qind dhe për fëmijët e tjerë nuk paguhet tarifë. Për këto kategori, dokumentacioni rifreskohet një herë në vit, në muajin gusht. Përgjegjëset e kopshteve dhe çerdheve duhet të dorëzojnë në QEZHEF, brenda datës 20 të çdo muaji, sipas kritereve të përcaktuara më sipër, listat emërore dhe dokumentacionin e fëmijëve, të cilët përfitojnë nga vendimet përkatëse.

KOMENTE