English

Apeli jep vendimin për ndeshjen Shqipëri - Serbi. Reagon Federata Shqiptare e Futbollit

Vendimi i plotë:

Ankesa e paraqitur nga Shoqata Serbe e Futbollit kundër vendimit të dhënë nga Kontrolli, Etika dhe Trupi Disiplinor më 23 tetor 2014 pushohet.

Ankesa e paraqitur nga Federata Shqiptare e Futbollit kundër vendimit të dhënë nga Kontrolli, Etika dhe Trupi Disiplinor më 23 tetor 2014 pushohet.

Të gjitha mocionet apo lutjet për zbutjen (e dënimit) nga ana e Shoqatës Serbe të Futbollit dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, lidhur me vendimin e Kontrollit, Etikës dhe Trupit Disiplinor më 23 tetor 2014 janë hedhur poshtë. Rrjedhimisht, vendimet e marra nga Kontrolli, Etika dhe Trupi Disiplinor më 23 tetor 2014 janë konfirmuar.

Ky vendim është përfundimtar, subjekt i nenit 58 (7) DR.

(19:34) - Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës: Humbje në tavolinë për Shqipërinë.

Në Komisionin e Apelit u pranua që të dëgjoheshin pretendimet e Shqipërisë, por vendimi për ndeshjen e 14 tetorit nuk ka ndryshuar.

Shqipëria humbet ndeshjen 3-0 në tavolinë dhe gjobitet 100 mijë euro për futjen e dronit në fushë, ndërsa Serbisë i hiqen tre pikët që mori nga Disiplina, do të luajë dy ndeshje pa tifozë dhe gjobitet me 100 mijë euro.

Apeli nuk e ka marrë fare parasysh argumentin e palës shqiptare se ende nuk ka një person përgjegjës për futjen e dronit në fushë.

Argumentet se ndaj lojtarëve shqiptarë u ushtrua dhunë nga tifozët, lojtarët dhe stafi i sigurisë në stadium sërish janë shpërfillur.

Janë shpërfillur gjithashtu thirrjet raciste “Vrisni, vrisni shqiptarët...”, lejimi i tifozëve në fushë nga stafi i sigurimit, mosrespektimi i himnit shqiptar, fshehja e flamurit shqiptar nga Federata Serbe në stadium që prezanton vendin tonë.

Shpresa e vetme për palën shqiptare që të fitojë të drejtën është Gjyakta e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që është shkalla më e lartë e drejtësisë sportive.

Ndërkohë ka reaguar dhe FSHF-ja shqiptare.

Deklarata e plotë:

Federata Shqiptare e Futbollit, u njoh të martën në mbrëmje me vendimin e Komisionit të Apelit, tek i cili shpresonte që të gjente më tepër drejtësi, në lidhje me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, për ndeshjen e Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Beograd më datë 14 tetor 2014 dhe të ndërprerë në minutën e 41 të takimit. Ky vendim i këtij Komisioni, la në fuqi të gjitha vendimet e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, në lidhje me këtë takim të papërfunduar.

Pavarësisht argumenteve juridike dhe fakteve të dokumentuara me foto dhe video, si edhe mbrojtjes profesionale të avokat Antonio Rigozzi dhe studiove ligjore, të prenotuara nga FSHF-ja, përsëri asgjë nuk ndryshoi. Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh e fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë.

Të pushtimit të fushës, nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarrëve dhe të shumë elementëve të pasigurisë.
Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore, të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë.

Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin, dhe median, se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e bindur se i takojnë tre pikët e fitores, së kësaj ndeshjeje.

FSHF-ja do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm.

KOMENTE