English

Flet për herë të parë Fullani: "Padiskutim që unë jam i pafajshëm”

Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, sërish në Prokurorinë e Tiranës.

E ndërsa seanca e ditës së hënë nga avokati mbrojtës Maks Haxhia u konsiderua thjesht proceduriale, sot Fullani ka dhënë deklaratat e tij në lidhje me vjedhjen e 723 milion lekëve nga Thesari i Bankës.

“U pyetëm për ngjarjen në Bankën e Shqipërisë dhe dhamë komentet përkatëse. Padiskutim që unë jam i pafajshëm”, deklaroi Fullani në një prononcim të shkurtër për mediet.

Ndërsa avokati i tij mbrojtës, Maksim Haxhia, i pyetur për ndonjë koment, theksoi bashkëpunimin e frytshëm me hetuesit.

“U përgjigj i zoti i punës. Ishte një bashkëpunimi shumë i frytshëm për procesin e hetimit, që bazohet në 5 pikat e akuzës. U dhamë shpjegimet përkatëse, paraqitëm një memo të detajuar, iu përgjigjëm pyetjeve që ka ngritur akuza dhe materiali, ku pretendohet të akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, tha avokati Haxhia.

Kjo është hera e dytë që Fullani paraqitej në Prokurorinë e Tiranës, për t'iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve.

KOMENTE