English

Për herë të parë sistem transparent testimi në arsim

Kryeministri Rama ndoqi sot nga afër testimin me shkrim të kandidatëve “Mësues për Shqipërinë”, në një prej qendrave ku zhvillohet ai, në shkollën “Bajram Curri” në Durrës.

Në 29 qendra në 12 qarqe të vendit, prej orës 11.00 deri në 13.00 është zhvilluar testimi me shkrim, ku kandidatët kanë konkurruar për mbi 2000 vende të lira pune për mësues.

Ministrja Nikolla, e cila shoqëronte Kryeministrin Rama e informoi atë me ecurinë e procesit të testimit në ditën e sotme.

Ministrja Nikolla theksoi se në këtë mënyrë korrupsioni në arsim po merr përgjigjen më të mirë, duke rikthyer cilësinë në shkollë dhe autoritetin e merituar të figurës së mësuesit. “Këto janë kushtet e sigurisë në 29 vendtestimet, në 12 rajonet e vendit. Është përgjigja që ne i japim, duke krijuar një sistem të shëndetshëm, korrupsionit. Korrupsionit pa kriter dhe sigurisht emërimeve politike shpesh herë në arsim, për të rikthyer cilësinë, për të rikthyer autoritetin e merituar të figurës së mësuesit dhe për të ndërtuar vlera të reja që kalojnë përmes shkollave ku edukohen europianët e Shqipërisë Europiane.”

Ky testim do të jetë i përvitshëm , bëri të ditur ministrja Nikolla, duke sqaruar se në harkun e një viti derisa të realizohet testi tjetër, kandidatët do të jenë aty, për çdo vend të ri pune që krijohet, duke pamundësuar këdo që për qëllime korruptive apo të tjera qofshin do të ndërhyjë në sistem.

Duke përshëndetur zhvillimin me sukses të procesit, Kryeministri u shpreh se fatkeqësisht për vite me radhë mësues të ndershëm mbetën të zhgënjyer nga një sistem arsimor i kalbëzuar dhe se zgjidhja më vendimtare mbetet ndryshimi i sistemit. “Jemi të gjithë dëshmitar të sa shumë zhgënjime kanë pësuar në vite të tëra të gjithë ata të cilët kanë dashur të japin kontribut në sistemin arsimor dhe sesa shumë kalbëzim ka pësuar sistemi arsimor për shkak të njerëzve që kanë hyr pa meritë, por fal ryshfeteve, fal klaneve, presioneve politike, përkatësive partiake e kështu me radhë. E kemi thënë qysh në krye të herës, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit dhe lufta kundër korrupsionit nuk është një luftë që shkon përmes zëvendëso njërin me tjetrin vetëm, por është një luftë që shkon përmes ndryshimit të sistemit. Sepse duke zëvendësuar disa me disa, thjeshtë spostojmë problemin por nuk e zgjidhim problemin.”

Kryeministri theksoi se zbatimi i praktikave të tilla është përgjigja e merituar që i pret udhën korrupsionit dhe i hap dyert një sistemi transparent konkurrence. “I japim fund një shqetësimi kronik për vite të tëra të njerëzve, të prindërve, të atyre që e meritojnë të jenë mësues dhe nuk munden dot të jenë mësues. Nga ana tjetër i japim një përgjigje shumë të qartë dhe të prerë korrupsionit, duke ndërtuar një sistem transparent konkurrence, vlerësimi sipas meritës dhe duke e bërë të pamundur që përmes rrugëve të tjera dikush të kapërcejë tjetrin, sepse klasifikimi i këtij testimi do të jetë baza mbi të cilat çdokush do të mund të marri një detyrë në sistemin arsimor. Kështu ne do të zëvendësojmë 2000 e kusur mësuesit që ishin pa diplomë dhe jashtë profilit, jo më me dorën e drejtorëve, por në bazë të këtij testi kombëtar".

Kryeministri Rama takoi jashtë ambienteve të shkollës edhe familjarë të mësuesve që i janë nënshtruar testimit, që prisnin përfundimin e testimit. Familjarët falënderuan qeverinë që për herë të parë kryhet një testim të këtij lloji.

Korrigjimi/vlerësimi i testeve do të bëhet i qendërzuar në Tiranë nga një komision mësuesish dhe ekspertësh të përzgjedhur nga MAS. Vlerësimi i testit do të jetë i sekretuar. Shpallja e rezultateve do të publikohet deri më datë 22 dhjetor.

KOMENTE