Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vendimi “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Tarifat e reja për legalizimet
English

Vendimi “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Tarifat e reja për legalizimet

S. Topi - Ndryshojnë tarifat për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave miratoi dje tarifat e reja të shërbimit por dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Shekulli, ka zbardhur detajet e këtij vendimi si më poshtë. Sipas këtij vendimit tarifa e shërbimit shkon 8 mijë lekë për çdo kat ndërtimi në rastin kur ndërtimet pa leje kanë qëllime social-ekonomike. Ndërkohë që taksa e ndikimit në infrastrukturë përcaktohet mbi bazën e ligjit për taksat vendore. Qeveria ka detajuar dhe mënyrën e ndarjes së fondeve që sigurohen nga procesi i legalizimi të ndërtimeve pa leje.

Vendimi

Vendimi i marrë dje nga ekzekutivi në mbështetje të Kushtetutës por dhe ligjit të 2006-s, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar përcakton që të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje përbëhen nga fondi i arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore që zë 30 për qind të tij; të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si edhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është 8 mijë lekë, për çdo kat të ndërtimit”, - thuhet në pikën 2 të këtij vendimi. Ndërkohë që për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti do të paguajë një tarifë shërbimi prej 8 mijë lekësh vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike. Pagesa e tarifës së shërbimit duhet të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale. Ndërkohë që taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre do të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t duhet të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi. Në një kohë që për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues si çmim minimal fiskal do të përdoret ai i parashikuar në udhëzimin nr. 2, datë 6.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2014” ku detajohen kostoja mesatare për sipërfaqen e shfrytëzimit dhe sipërfaqen e ndërtimit. Ndërkohë që për ndërtimet në zonat ku nuk ka çmim të përcaktuar, si dhe për ndërtimet në komuna, përllogaritja do të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të çmimeve në zonat kufitare. Vendimi i djeshëm i qeverisë shfuqizon vendimet e Këshillit të Ministrave, nr. 1180, datë 5.8.2008, “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar, dhe nr. 870, datë 27.12.2006, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale si edhe njësitë e qeverisjes vendore.

Legalizimet, 256 milionë lekë për ish-pronarët

Qeveria vendos dëmshpërblimin e ish-pronarëve toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. “Me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave vendosi shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Vlorës, të Korçës dhe të Lezhës”, - thuhet në pikën 1 të vendimit të djeshëm. Më tej sqarohet se vlera e përgjithshme e kompensimit është 256 161 718.23 lekë dhe sipërfaqja që shpronësohet është 13 738.9 m². Zyrat përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që për zbatimin e vendimit është ngarkuar Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zyrat përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

KOMENTE