English

Ligji i ri “Për nëpunësin civil”. Kush nuk merr provimin largohet nga puna

S. Topi - Çdo punonjës i administratës që ka qenë në vit prove, jo vetëm që duhet t’i nënshtrohet trajnimit të detyrueshëm por duhet të marrë dhe mbi 50 për qind të pikëve në testin final në rast të kundërt nuk mund të gëzojë statusin e nëpunësit civil dhe madje duhet të largohet nga detyra.

Ky është rregulli i vënë tashmë në zbatim në bazë të ligjit të ri “Për nëpunësin civil”. Drejtori i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, Fatmir Demneri në një intervistë për “Shekullin”, sqaron procedurat e gjithë këtij procesi trajnimi por dhe sanksionet në rast mospërgatitjeje.

“Punonjësit e rinj (në periudhe provë) në përfundim të periudhës së provës do të vlerësohen nga eprori direkt në lidhje me performancën dhe nëse kanë përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm apo jo. Në bazë të kësaj ai/ajo ose do të konfirmohet si nëpunës civil; ose do t’i shtyhet koha e provës deri në 6 muaj ose nuk konfirmohet si nëpunës civil”, - pohon Demneri. Sipas tij programet e trajnimit kanë kohëzgjatje të ndryshme, nga 12 - 30 orë për trajnimet e vazhdueshme, 60 orë për trajnimin e detyrueshëm për nëpunësit civilë në periudhë prove dhe deri në 280 orë për trajnimin e Trupës së Nivelit Drejtues. Sipas Demnerit, ASPA ka nisur trajnimet që nga tetori i vitit të kaluar, në një kohë që vetëm nga janari deri në nëntor të këtij viti janë trajnuar mbi 3500 nëpunës civilë. Sa i përket programeve trajnuese, drejtori i ASPA-s sqaron se janë ndarë në dy nivele atë strategjik ku përfshihen prioritetet e qeverisë, programi qeveritar, integrimi evropian, legjislacioni i shërbimit civil etj., si edhe niveli organizativ/ institucional ku përfshihen plane strategjike dhe programe të institucioneve të ndryshme.

Më konkretisht programet përfshijnë trajnime mbi hartimin e strategjive dhe zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar; mbi menaxhimin e financave publike dhe PBA-së; mbi etikën në administratën publike dhe antikorrupsionin apo edhe mënyrën e funksionimit të pushtetit vendor.

Zoti Demneri Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ka nisur prej muajsh tashmë, trajnimet për punonjësit e administratës. Cilat janë konkretisht kategoritë që janë pjesë e këtij trajnimi dhe sa është në total numri i punonjësve që po trajnohen?

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) ka filluar që nga tetori i 2013-s trajnimet për punonjësit aktuale të administratës publike. Në mision të saj ASPA ka detyrimin të ofrojë trajnim të vazhdueshëm për të gjithë kategoritë e nëpunësve civile dhe trajnim të thelluar për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues, TNDnë. Në programin e trajnimit të ASPA-s përfshihen kategoritë si vijon: Nëpunës civilë të institucioneve të qeverisjes qendrore (kryeministri, ministritë e linjës, institucione në varësi të kryeministrisë dhe ministrive të linjës); nëpunës civilë të institucioneve të pavarura (Kuvendi, presidenca, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ILDKPKI-ja, etj) dhe nëpunës civile të pushtetit vendor (bashki dhe këshilla të qarqeve). Gjatë periudhës janar 2014 - nëntor 2014 vetëm në mjediset e ASPA-s janë trajnuar mbi 3500 nëpunës civilë.

Cila është baza e programit trajnues dhe sa zgjat ai?

Programi i trajnimit është hartuar bazuar në një analizë gjithëpërfshirëse të nevojave për trajnim të ndara në dy nivele. Niveli i parë përfshin nevojat në nivel strategjik, përkatësisht prioritetet e qeverisë, programi qeveritar, integrimi evropian, legjislacioni i shërbimit civil etj. Ndërsa niveli i dytë ka si bazë nevojat në nivel organizativ/institucional ku përfshihen planet strategjike dhe programe të institucioneve të ndryshme. Duke konsideruar sa më sipër programi i trajnimit fokusohet në: Trajnime me fokus integrimin evropian; trajnime mbi hartimin e strategjive dhe zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar; trajnime mbi menaxhimin e financave publike dhe PBA-së; trajnime në zbatim të legjislacionit të shërbimit civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore; trajnime mbi etikën në administratën Publike dhe antikorrupsionin dhe trajnime për pushtetin vendor. Programet e trajnimit kanë kohëzgjatje të ndryshme, nga 12 - 30 orë për trajnimet e vazhdueshme, 60 orë për trajnimin e detyrueshëm për nëpunësit civilë në periudhë prove, deri në 280 orë për trajnimin e TND-ve.

Pas trajnimit secili punonjës do ti nënshtrohet provimit për të fituar ose jo statusin e nëpunësit civil?

Në zbatim të legjislacionit të Shërbimit Civil, nëpunësit civilë në periudhë prove, pas përfundimit të trajnimit të detyrueshëm i nënshtrohen testimit për të përfituar certifikatën e përfundimit të trajnimit, si një nga kushtet për t’u konfirmuar si nëpunës civil në përfundim të periudhës së provës. Testimi quhet i suksesshëm kur merr të paktën 50 % të pikëve totale.

Si do të bëhet procesi i vlerësimit?

Procesi i vlerësimit të testimeve është sekretiv dhe i pavarur nga subjektivizmi i punonjësve të ASPA-s ose trajnerëve. Përgjigjet e dhëna nga pjesëmarrësit në testim vlerësohen sipas një programi kompjuterik të instaluar në serverin e ASPA-s.
Ka një fazë përmbyllëse të gjithë këtij procesi?
Procesi i trajnimit është i vazhdueshëm dhe do të jetë mbështetës për nëpunësit civilë gjatë gjithë karrierës së tyre në administratën publike. Krahas trajnimit të detyrueshëm në periudhë prove legjislacioni parashikon edhe trajnime të detyrueshme për programet e formimit profesional për çdo hap të pagës dhe për përshtatje profesionale, në rastet e ndryshimit të kërkesave të vendit të punës.

Si procedohet me punonjësit e rinj?

Punonjësit e rinj (në periudhe provë) në përfundim të periudhës së provës do të vlerësohen nga eprori direkt në lidhje me performacën dhe nëse kanë përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm apo jo. Në bazë të kësaj ai/ajo mund të konfirmohet si nëpunës civil; mund t’i shtyhet koha e provës deri në 6 muaj ose nuk konfirmohet si nëpunës civil.

Mendoni se ky proces do të ndikojë në një vlerësim më pozitiv për administratën nesër, (e kam fjalën në raportet e radhës të ndërkombëtarëve të cilët shpesh kanë vënë theksin te administrata)?

Në raportet e ndërkombëtareve gjithnjë është vënë theksi në rritjen e kapaciteteve të administratës publike nëpërmjet trajnimit. Ky proces trajnimi që po zhvillohet, duke konsideruar të gjithë ciklin e procesit (vlerësim nevojash, hartim kurrikulash, organizim trajnimi, vlerësim, testim etj) sigurisht do të ndikojë në vlerësimin pozitiv për administratën publike. Administrata publike do të jetë më e përgatitur në përballjen e sfidave të integrimit evropian.

Shpallja

Trajnerë për TND-në, sot mbyllen aplikimet

Përfundojnë sot aplikimet për ata persona që duan të aplikojnë për trajnimin e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtuese të administratës publike. Sipas shpalljes së bërë nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, afati i fundit i aplikimit është 15 dhjetori. Në njoftimin publik të ASPA-s përcaktohen dhe njohuritë që duhet të kenë këta trajnues. “Me synim organizimin e trajnimeve për Trupën e nivelit të lartë drejtues, ASPA kërkon trajnerë të nivelit të lartë/profesionistë në fushën e menaxhimit të administratës publike ku përfshihet konceptimi i vlerësimit të politikave publike, integrimi evropian, komunikimi i brendshëm e i jashtëm në kontekstin e sektorit publik ku përfshihet komunikimi me shkrim në sektorin e politikave publike evropiane si edhe gjuha angleze profesionale në administratën publike të BE-së. Kërkohet gjithashtu që trajnerët të kenë përvojë të gjerë në nivel të lartë drejtues të administratës publike ose përvojë të gjerë në shërbimin civil në Shqipëri ose Evropë si edhe njohuri profesionale, përvojë në sektorin privat si drejtorë ekzekutivë për trajnimin e lidershipit.

KOMENTE
  • Profesori18:04 - 09 Janar 2017
    Pune e mire organizuar, drejtuar dhe udhehequr deri me sot , te pakten nga eksperienca e deritanishme e atyre nepunesve civile te cilet kane konkuruar, jane trajnuar, konform ligjeve dhe rregullave respektivisht ne DAP dhe ASPA . Kjo eshte per tu vleresuar dhe permendur ne shtypin e shkruar, te folur apo median vizive. Ju lumte per punen e shkelqyer qe po beni me seriozitetin me te madh ne interes te AP dhe ne teresi te vendit...Urime dhe suksese..Llambro.Dhima-Vlore.
Eccobet