English


Nis skema e re e pensioneve

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj zhvilluan sot në kryeministri, një takim në fokus të të cilit ishte skema e re e pensioneve që hyri në fuqi në 1 janar të këtij viti. Në takim merrnin pjesë pensionistë përfitues direktë të Reformës si dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Ministri Veliaj e cilësoi skemën e re të pensioneve një produkt i ndershëm dhe i drejtë i një reforme jetike, e realizuar edhe me kontributin e ekspertëve të Bankës Botërore, të grupeve të interesit dhe të rinjve, të cilëve u adresohet kjo reformë.

Ndërsa theksoi se reforma mbështetet mbi parimin se të drejtat e fituara nuk preken, Veliaj garantoi pensionistët aktualë se do të vazhdojnë të marrin pensionin si deri më sot dhe se qeveria do të shikojë mundësinë që në varësi të situatës ekonomike të vazhdojë të rrisë pensionet.

Në bazë të formulës së re, nënvizoi ministri Veliaj, janë 5 mijë shqiptarë që do të përfitojnë që këtë vit, pensionin social, që aplikohet për herë të parë në Shqipëri.
Për Drejtoreshën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, sfidë për këtë institucion është zbatimi i reformës. Drejtoresha Braho e vlerësoi vitin 2014 si vitin më të mirë për ISSH-në, kur të ardhurat për këtë vit, ISSH i ka tejkaluar me 5.8 miliardë lekë dhe ishte edhe viti i parë me ritme më të larta nga kontributet dhe me numër më të lartë kontribuesish.

************************

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama, në takimin për skemën e re të pensioneve në vend:

Përshëndetje të gjithëve!

Më lejoni të them, që në fillim, që jam shumë krenar sot kurorëzojmë konkretisht dhe kthejmë në mjet të jetës reale të njerëzve, një nga reformat më të rëndësishme më themelore dhe më të vonuar të Shqipërisë së pas rënies së regjimit komunist.

Reforma e Pensioneve është një reformë të cilën qeveritë njëra pas tjetrës preferuan t’ia lënë qeverisë që vinte pas. Qeveria që na pararendi preferoi jo vetëm ta shtynte, por, edhe si në fusha të tjera të aktivitetit të saj, të zgjidhte mënyrën më hipokrite dhe më të pabesë në raportin e vet me pensionistët, duke ua shitur disa rritje të pensioneve si fryt të një suksesi të madh të “Shqipërisë vend i zhvilluar”. Ndërkohë që, prapa shpinës së pensionistëve dhe në rrugën e gjithë atyre që ishin drejt pensionit, hapi vit pas viti një gropë të madhe ku pa as më të voglin ekzagjerim ishim të kërcënuar të binim si shtet, njësoj siç ramë si shtet në gropën e madhe të hapur nga rënia e piramidave të Sudes, të Vehbiut dhe të gjithë atyre xhagajdurëve të tjerë.

E pra, mjafton të kujtojmë se për të financuar pensionet është e domosdoshme që të sigurojmë kontributet për pensionet dhe një rrugë si ajo e ndjekura deri para një viti, ku nga njëra anë financoheshin pensionet dhe nga ana tjetër hapej gropa dhe zgjerohej dhe thellohej hendeku mes çfarë paguhej për pensionet dhe çfarë merrej nga kontributet, nuk është as më shumë e as më pak, por një nga shprehjet më dramatike të një papërgjegjshmërie dhe të një hipokrizie të pashembullt në qeverisjen e një shoqërie. E sot, Shqipëria dhe shqiptarët po dëgjojnë prej disa ditësh një lajm që do të kishte tronditur çdo vend të botës. Lajmin se në sistemin e sigurimeve tona u janë marrë paratë e kontributeve për pensionet mijëra e mijëra nëpunësve të këtij shteti, mijëra e mijëra punonjësve në sektorin privat, të cilët sot marrin vesh se ndërkohë që ju është thënë se pensionin e kanë të sigurt, në fakt kontributet që u janë marrë nga rroga për pensionin, u janë çuar në drejtim tjetër.

Sigurisht që, kjo nuk kërcënon pensionin e këtyre njerëzve dhe kjo është gjysma e së keqes. Por ky është një kërcënim real për sistemin tonë të financimit të pensioneve dhe për këtë arsye, ne e kemi paralajmëruar në fund të vitit të shkuar dhe po e nënvizojmë prej disa ditësh se kjo fazë e parë e vitit do të jetë dhe faza e përshkallëzimit të një operacioni, njësoj si ai i energjisë, për të kthyer në vend të gjitha kontributet e njerëzve të cilët janë mashtruar për vite të tëra, të cilëve u është thënë se pensionin janë duke e mbledhur muaj pas muaji, duka jua marrë paratë nga rroga e tyre për pensionin, por në fakt, duke mos jua depozituar në Sigurimet Shoqërore.

Parafytyroni se çfarë kurajoje, parafytyroni se çfarë pafytyrësie duhet që pasi ta kesh qeverisur vendin dhe shoqërinë tënde me metoda të tilla dhe pasi të kesh braktisur në një rrugë pa krye, mijëra e mijëra njerëz, nëpunës shteti apo punonjës të sektorit privat, të flasësh sikur ke ardhur nga hëna dhe vetëm të akuzosh dhe të përbaltësh çdo ditë, ata të cilët, ne në këtë rast, po përpiqemi me mish e me shpirt, ditë natë, që në radhë të parë të mbushin gropat e hapura që janë hendeqe të mëdha mes nesh dhe Shqipërisë që duam dhe që shqiptarët meritojnë. Duhet një kurajë dhe një pafytyrësi që është e pamundur të parafytyrohet nga njerëz normalë.

Faktikisht, mjafton një shembull: Inspektorët e punës, nëpunësit e Inspektoratit të Punës, të paguar nga taksat e shqiptarëve dhe të angazhuar nga shteti shqiptar për të kontrolluar mbarëvajtjen në funksion të mbledhjes së sigurimeve shoqërore dhe të pasiguruar; inspektorët e punës, njerëzit e Inspektoratit të Punës që ju shkonin derë më derë të tjerëve për të bërë kontrolle, nëse punonjësit kishin të siguruara kontributet e tyre për pensionin, që vetë as që nuk e dinin fare që ishin të pasiguruar. Pra, inspektorë të punës të shtetit që punon në të zezë. Parafytyroni që, për arsye elektorale, institucione të tëra që nga ALUIZNI deri tek ujësjellësit, tek njësitë vendore, tek spitalet e me radhë e me radhë -Dhe e dini sa?- 1600 e kusur institucione shtetërore që nuk paguanin sigurimet e punonjësve, apo më keq akoma, me sigurimet e disave jepnin rroga për disa të tjerë, të cilët i fusnin në punë për fushata elektorale, të cilëve nuk i paguanin sigurimet. Pra, punonjësit e siguruar me ligj, por jo me ‘maliq’, ktheheshin në punonjës në të zezë dhe merreshin të tjerë, përsëri, në punë nga shteti dhe mbaheshin në të zezë dhe të dyja palët kujtonin se ndërkohë paguanin nga rroga e tyre kontributet për pensionin e tyre.

Ky është një krim ekonomik, ashtu siç është një batërdi keqqeverisëse, sepse natyra e kësaj grabitjeje të skemës së pensioneve është e shumëfishtë. Jo në të gjitha rastet, kjo grabitje është bërë për qëllime elektorale apo për qëllime korruptive. Por, kjo pak rëndësi ka. Edhe në rastet kur kjo grabitje është bërë për verbërinë dhe për paturpësinë e një qeverie dhe një shteti që nuk respekton ligjet e veta, siç është rasti i institucioneve të ushtrisë - “Shqipëria në NATO”, “ushtria e NATO-s”, “oficerët dhe ushtarakët e NATO-s” - dhe pse? Mungesë fondesh.

Mungesë fondesh, sepse para që duhet t’u jepeshin ushtarakëve që, janë pjesë e NATO-s, por janë larg së qenit të trajtuar si kolegët e tyre, merreshin dhe çoheshin për ato rrugët e ngelura rrugëve që janë një tjetër lak në fytin e Shqipërisë dhe që mezi po i mbarojmë pak e nga pak, duke duruar edhe shpotitë e natyrshme të njerëzve që ankohen “si nuk mbaroi kjo rrugë” e “si s’mbaroi ajo rrugë”. Pasi këtu hap një gropë për të hapur një gropë. Merr nga një gropë dhe zgjeroje për të shkuar dhe për të hapur një gropë tjetër, u bë Shqipëria e viteve të shkuara. Por duke i siguruar të gjithë shqiptarët se ne nuk do t’i ndahemi as atyre të cilët kanë abuzuar dhe Ministria ka ngritur grupin e vetë të posaçëm për të depozituar pranë Prokurorisë të gjitha të dhënat dhe pastaj prokuroria do të hetojë, duhet të hetojë dhe besoj që do ta bëjë këtë, në mënyrë të imtësishme për të gjitha nivelet dhe natyrat e kësaj grabitjeje. Ndërkohë që, i bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve që janë të listuar dhe që sot e gjithë ditën vazhdojnë të paguajnë punonjës në të zezë dhe rezultojnë debitorë me miliona e miliona dollarë në skemën e pensioneve që të vrapojnë të paguajnë borxhet. Të vrapojnë të paguajnë borxhet që ju kanë punonjësve të tyre, të cilëve kanë detyrimin t’u japin rrogën, kanë detyrimin t’iu sigurojnë pensionin, të cilët nuk i kanë skllevër dhe me të cilët duhet të vendosen në një marrëdhënie të qartë kontraktuale pune, në respekt të njëri-tjetrit.

Shtoj, se kjo Qeveri, - dhe kjo është siguria e plotë që u jap qytetarëve, - nuk do të tërhiqet nga asnjë front beteje. As nga fronti i kësaj beteje, duke i garantuar se më shpejt se vonë edhe kjo çështje do të sistemohet. Janë mbi 100 milionë dollarë. Mbi 100 milionë dollarë, një shumë që i afrohet dhe pse nuk e arrijnë, por i afrohet shumës tjetër të përvitshme që njerëzit e ndershëm të këtij vendi, që ata që e paguajnë, që gjithmonë e kanë paguar energjinë elektrike, edhe duke qenë të varfër, edhe duke qenë njerëz në nevojë, edhe duke qenë njerëz me aftësi të kufizuara, duhet t’ia paguajnë hajdutërisë së energjisë elektrike. Por, a ka Shqipëria mundësinë që të bashkëjetojë në qetësi me gjithë këto gropa? 150 milionë euro çdo vit, që në vend se të shkojnë për spitale, në vend se të shkojnë për shkolla, në vend se të shkojnë për rrugë, në vend se të shkojnë për fondet e nxitjes së punësimit, në vend se të shkojnë për ujitjen në bujqësi e me radhë, shkojnë për të mbushur gropën që hapën hajdutët e energjisë elektrike, ose ata të cilët nuk shkojnë të paguajnë energjinë elektrike, 100 milionë dollarë të tjera, që përsëri janë para të paguara nga shqiptarët që në vend se të shkojnë për pensionet e tyre shkojnë në drejtime të tjera, por edhe disa qindra miliona të tjera, këtu e atje..., nga dalin paratë për të bërë realitet gjërat që duam? Nga dalin paratë për t’i rritur pensionet? Nga dalin paratë për t’i siguruar të gjithë se do të keni një pension përkundër punës që bëjnë? Nga dalin paratë për t’i dhënë mundësinë çdo njeriu që të shpërblehet gjithmonë e më mirë, sipas punës dhe punën ta bëjë gjithmonë e më mirë? Dhe, në fund të fundit nga dalin paratë për t’i dhënë përgjigje të gjithë atyre që me të drejtë ankohen se iu mungon, kjo iu mungon ajo, rruga këtu, ndriçimi atje, spitali aty, shërbimi tjetër atje e me radhë. Fatkeqësia e cila duhet të marrë fund dhe të cilën ne do t’i japim fund është se në këtë shtet u nda populli në dy pjesë; një pjesë budallenjsh që respektojnë ligjin, që paguajnë çdo detyrim, që nuk iu shkon mendja të zaptojnë trotuarin dhe tokën e përbashkët të komunitetit për të ndërtuar lokalin e tyre, që nuk e shohin as në ëndrrën e tyre më të keqe se mund të lidhen me telin direkt të shtyllës për ta marrë energjinë falas dhe një pjesë tjetër të “dum babës”. Dum baba, dum baba, dum babën, dum babën dhe me kaq mjafton për të vjedhur energji elektrike, për të zaptuar tokën e përbashkët të komunitetit, për të ngulur mbi trotuar kolonat e lokalit, për t’i zënë rrugën familjeve, pleqve dhe fëmijëve për të hyrë në pallatin e tyre, për t’i marrë lumenjtë dhe për t’i bërë def dhe për të shitur materiale inerte, për të prerë pyje dhe për të bërë kontrabandë dhe korrupsion. Kjo na ka sjellë këtu.

Por unë jam shumë krenar që paralelisht me përpjekjen titanike për të vendosur ligjshmërinë dhe për t’i vendosur të gjithë në kushte të barabarta, sepse të gjithë duhet të paguajnë energjinë elektrike, të gjithë duhet të kenë të paguara sigurimet shoqërore kur punojnë, të gjithë meritojnë të çojnë fëmijët në një shkollë të denjë, ne po vazhdojmë me reformat, si kjo reformë që sot na sjell në shembjen e një tavani skandaloz. Tavani që, bënte pensionin minimal thuajse të barabartë me pensionin mesatar dhe që përcaktonte në mënyrë fatale se s’mund të kishte pension mbi 240 mijë lekë. Nën atë tavan pensionistët duhet të shikonin ekranin siç shohin besimtarët kupolën e kishës apo të xhamisë, në pritje që i “dërguari i Allahut” në tokë t’ju jepte lajmin se do t’ua rriste pensionin me 5 mijë lekë të vjetra. Që në fund të ditës s’ishte as më shumë e as më pak një indeksim i inflacionit.

Ne sot jemi në muajin kur ka filluar të hyjë në fuqi reforma më kurajoze, - se po të mos ishte kurajoze e kishin bërë të tjerët para nesh, - e shtyrë prej 20 vjetësh lërja tjetrit, se nuk na duhet, se na hapen probleme. Probleme për çfarë?! Hapen probleme për pushtetin, kështu që më mirë t’ua lëmë problemet në kurriz qytetarëve, t’i vëmë në gjumë me suksese imagjinare dhe me rritje pensionesh, duke ua hapur gropën pas shpine dhe kur të ikim ne, kush të vijë të bëjë si të bëjë. Pra, pas meje le të behet kiameti.

Këtu është dallimi themelor mes nesh dhe atyre. Ne nuk kemi ardhur në këto zyra për të qeverisur me moton “pas nesh le të bëhet kiameti”. Ne kemi ardhur në këto zyra për t’ia kthyer pushtetin qytetarëve, jo me propagandë, por me fakte. Që do të thotë kemi ardhur në këto zyra që me votat e gjithë atyre pensionistëve që na kanë votuar të bëjmë këtë reformë. Të shembim atë tavan dhe të sigurojmë që qytetarët me paga të mesme dhe me paga të larta të mos paguajnë kontribute deri në 5-fishin e atyre me paga të ulëta dhe që kjo të mos iu kthehet pastaj në një pension vetëm dyfish më të lartë sesa të atyre me paga të ulëta. Duke bërë që individët ta humbasin interesin për të paguar kontributet. Si mund të paguajë dikush 5-fishin e dikujt tjetër që në fund fare, kur të marri pensionin, të ketë vetëm pak më shumë se ai tjetri. Sepse nuk paguan për veten, nuk paguan për tjetrin, por paguan në fakt për gjithë këtë skemë mashtrimi pas shpine, rrit kontributet e atyre që paguajnë, rrit faturat e atyre që paguajnë, rrit çmimin e energjisë për ata që paguajnë dhe kush nuk paguan e “do baba” dhe ai thotë “du babën”. Dhe baba me “dumbabën” ndajnë detyrat. Baba në pushtet në kurriz të popullit që paguan dhe respekton ligjin, “dumbaba” për të bërë rrëmujë dhe për të kërcënuar gjithë dynjanë që “shiko se jemi ne këtu”.

Këtë vit vinin në moshën e pensionit 5 mijë persona. Në rast se ne do ta kishim shtyrë këtë reformë qoftë edhe 6 muaj, 2015-ta do të fillonte për këta 5 mijë gra e burra të moshës së tretë pa asnjë kokërr leku, pa pension, për shkak se nuk plotësonin vitet e kontributeve. Mund të mos jenë shumë, për dikë, 5 mijë veta, mund të jenë pak, por janë 5 mijë gjyshër e gjyshe që mund të mbeteshin me asgjë dhe sot marrin pensionin social. Një pension social që nuk është absolutisht një shumë që zgjidh gjithë problemet e tyre. Por, është shumë më tepër sesa asgjëja, jo vetëm në planin financiar, por edhe moral, që këta 5 mijë gjyshër e gjyshe të mos ndjehen në muzgun e jetës së tyre të braktisur si të vdekur e të pakallur. Ndërkohë që, nga ana tjetër, 7 mijë funksionarë të lartë kanë luksin që të dalin në pensionin 55 vjeç.

Nga kjo reformë e pensioneve, sot fitojnë direkt minatorët. Ju e kujtoni sesa herë, në sa fushata, sa parti, janë futur edhe nëpër miniera, për të premtuar se sa ta marrim ne, mbaroi edhe kalvari juaj. Në fakt, kalvari i tyre mbaron sot. Sot, mosha e pensionit të tyre ulet siç ishim zotuar, nga 60 në 55 vjeç. I dëgjuat, i dëgjuan gjithë shqiptarët ata që thoshin “o bobo, do të rritet mosha e pensionit, do të shkojë do të shkojë 70 vjeç, do shkojë 75 vjeç”. Asnjë rritje e moshës së pensionit për asnjë shqiptar që sot është mbi 30 vjeç. Ata që dalin në pension këtë vit ju rritet mosha vetëm dy muaj dhe efekti i skemës fillon të ndjehet tek ata që sot janë 30 vjeç, në vitin 2032 dhe në vitin 2050 e kusur, ata janë në kushtet e plotësimit të plotë të grafikut të rritjes së moshës.

Të gjitha llogaritjet tregojnë, - por kjo është diçka që fatmirësisht si shumë gjëra të tjera vërtetohet lehtë, se nuk ka nevojë të dëgjosh as analistët, as opinionistët, as gazetarët, shumë prej të cilëve kanë problemin që nuk e dinë as vetë sa sigurime shoqërore paguajnë, nëse paguajnë, sepse kjo shikohet në xhep, - se për çdo fashë page, pensionet rriten. E ndryshe nga ato rritjet për t’u hedhur hi syve, duke ua hapur gropën pas shpine, kjo është një rritje e qëndrueshme, është një rritje e garantuar dhe është një rritje e vazhdueshme në vite. Lidhja mes kontributeve dhe përfitimit bëhet shumë e fortë, shpërblen me pension më të lartë të gjithë ata që i sigurojnë të gjitha vitet e punës së tyre dhe deklarojnë pagën reale. Këtu është momenti për t’i bërë një thirrje shumë të fortë, të gjithë shqiptarëve dhe shqiptareve që punojnë në sektorin privat. Mos pranoni të hyni në pazar me punëdhënësin tuaj për të ulur deklarimin e pagës reale, sepse ulni pensionin tuaj, i falni pjesë të pensionit tuaj, punëdhënësit tuaj.

Operacioni që ne do të nisim javën e ardhshme do të jetë një operacion ku një nga elementët synon bashkëpunimin intensiv me çdo punëmarrës që do të denoncojë punëdhënësin që i kërkon këtë pazar, me çdo punëmarrës që do të kërkojë mbështetjen tonë, për të mos lejuar që ai të mbahet në të zezë. Askush nuk duhet të ketë frikë. Nuk duhet të ketë frikë se nga denoncimi i punëdhënësit do t’i vijë fundi i punës së tij, sepse ne do t’i monitorojmë hap pas hapi. Këto procese dhe punëdhënësit, sipërmarrësit janë shumë të interesuar dhe duhet të jenë shumë të interesuar që të vendosen në binarët e ligjit, në raport me punëmarrësit e tyre. Sepse për ndryshe, sanksionet janë shumë të forta.

Rritja më e madhe e pensionit është pikërisht rezultat i rritjes më të madhe të kontributeve të përgjithshme dhe të kontributit të secilit. Secili sot ka mundësi ta përcaktojë vetë sesa do të ngrihet mbi pensionin e tij, duke përcaktuar se çfarë do të lërë për pensionin e tij, por duke filluar nga moslejimi i punëdhënësit që ta mbajë në të zezë, apo që t’i bëjë pazar për ulje të pagës reale.

Vitin e shkuar, 2014-n, si pasojë e rritjes së punësimit real dhe si pasojë e rritjes së formalizimit në ekonomi dhe e nxjerrjes nga kthetrat e skllavërisë së shumë njerëzve, duke detyruar sigurimin e tyre, kemi 81 mijë e disa qindra shqiptarë më shumë në librin e pagave, të taksave dhe të sigurimeve të Republikës së Shqipërisë. Kujt thotë ka rënë puna, ka rënë punësimi, është rritur papunësia e kështu me radhë i japim një përgjigje shumë të thjeshtë:

Nuk ka nevojë të na dëgjoni ne. Nuk ka nevojë t’i referoheni asnjë shifre. Mjafton të hapni librat e llogarive të shtetit.

Nëse nuk do të ishte rritur punësimi, nëse nuk do të ishte rritur puna, nuk do të kishim 81 mijë e disa qindra më shumë taksapagues dhe kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore. Këto janë financa lehtësisht të verifikueshme. Nuk janë propagandë dhe nuk janë as konkluzione të nxjerra nga pikëpamje të ndryshme mbi shifrat.

Në vetëm një muaj, fermerët shqiptarë derdhën në formë kontributesh plot 55 milionë dollarë më shumë se një vit më parë dhe nuk ia derdhën shtetit, por i derdhën për të siguruar pensionin e tyre. Reagimi i tyre i jashtëzakonshëm dhe formalizimi i kaq shumë fermerëve ka qenë për ne, një inkurajim i jashtëzakonshëm dhe do të vazhdojmë fort në të gjitha drejtimet, në të gjithë sektorët.

Nga ana tjetër, jemi e para qeveri në Republikën e Shqipërisë që po bën atë që duhet të ishte bërë vite më parë, si pothuajse të gjitha gjërat që duhet të ishin bërë vite më parë, lidhur me punën e shqiptarëve në emigracion. Askush, asnjëherë nuk mori mundimin të hapë negociatat me vendet e tjera ku shqiptarët rropaten në punë, - dhe ata vërtet rropaten në punë, kush flet për lodhje në punë këtu në Shqipëri, shpeshherë nuk e di fare se çfarë është lodhja në punë, të jemi të sinqertë, - dhe ndërkohë vitet e tyre të punës për pensionin nuk u njihen. I jam shumë falënderues ministrit që siguroi në një hap të parë, por jo të fundit, 35 mijë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Belgjikë, që falë marrëveshjes me Belgjikën do të kenë një pension shumë dinjitoz, të bazuar tek vitet e punës që kanë pasur në Shqipëri dhe tek vitet e punës që kanë bërë në Belgjikë, ku kanë paguar sigurimet dhe nuk janë në të zezë. Kjo është edhe një shtysë që në bashkëpunim me këto vende të rrisim formalizimin edhe në ato vende.

Ndërkohë që, po punohet për të përfunduar aktet ligjore dhe marrëveshjet me Luksemburgun, me Hungarinë dhe Rumaninë dhe po ecim me hapa të shpejtë, them unë, për kohën e shkurtër që kemi pasur në dispozicion. Unë jam shumë dakord me gjithë shqiptarët që i duan të gjitha gjërat të bëhen sot, sepse, në fakt, ata duan që sot të bëhen gjërat që nuk janë bërë në 20 vjet e kusur vjet dhe nuk kanë faj. Por ne nuk kemi shkopin magjik dhe pa shkop magjik...

Me Kanadanë që ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë, me Austrinë, me Çekinë dhe Maqedoninë, gjërat janë duke shkuar drejt finalizimit. Parafytyroni se çfarë pasurie e madhe, jo financiare, por në burime njerëzore, i kthehet Shqipërisë jo thjesht fizikisht, por shpirtërisht, në momentin kur gjithë emigrantët shqiptarët në Kanada, për çdo ditë pune në Kanada, çdo vit pune në Kanada, do të marrin pension kanadez, duke ardhur edhe në Shqipëri, duke jetuar edhe në Shqipëri.

Lajmi tjetër është se sapo kemi filluar, pas vizitës së Kryeministrit italian, bashkëbisedimin për të ngritur grupet negociatore, për një vend ku numri i emigrantëve është i jashtëzakonshëm, ku negociatat janë më të vështira, por ku edhe mesazhi i bashkimit të shqiptarëve rreth vendit amë do të jetë shumë i fortë, pasi të gjithë ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, për gjithë vitet që kanë punuar në Itali dhe janë rropatur në Itali do të marrin pension italian dhe për vitet që kanë punuar në Shqipëri, pjesën tjetër. Dhe mesatarja do të jetë sigurisht një pension i rëndësishëm.

Parafytyroni se çfarë sjell kjo për dekadën e ardhshme. Edhe pse, jam dakord, ju i doni të gjitha sot dhe mundësisht sot, jo nesër, mundësisht tani, të martën, jo të mërkurën. Jam dakord.

Sot në Tiranë vjen ministri Federal nga Gjermania për të diskutuar më tutje për bashkëbisedimin e hapur me Gjermaninë. Edhe Gjermania, pas përpjekjeve dhe argumentimeve tona është e angazhuar që ta mbyllë këtë problem. Edhe shqiptarët që punojnë në Gjermani, me gjasë më shpejt se vonë, do të mund të qetësohen që për çdo ditë pune të bërë në Gjermani do të marrin pension gjerman. Çfarë mund të bëjmë më shumë? Mund të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë shumë më shumë, por askush s’duhet ta harrojë se në çfarë shtëpie të rrëmujshme, me gjysmë çatie, pa dritare, kur dera e kuzhinës i ishte vënë banjës, ku dhoma e ngrënies ishte bërë tualet, ne e gjetëm këtë vend vetëm një vit e pak më parë. Kush ka punuar 1 muaj e di mirë se gjërat që bëhen me punë duan kohën e tyre, se gjerat që bëhen me punë duan durimin e sakrificat e tyre. Përpara sesa t’i gëzohem këtij privilegji të madh që më është bërë duke më zgjedhur si Kryeministër në këtë vend, për t’i dhënë simbolikisht disa pensione të parat disa kategorive, dua ta mbyll duke thënë se ne duam t’i shkojmë në fund këtij viti me një situatë tërësisht tjetër, në aspektin e fondit të sigurimeve shoqërore, që vitin e shkuar arritëm ta nxjerrim mbi ujë. Këtë vit duhet ta konsolidojmë duke marrë qindarkë për qindarkë paratë e pensioneve për punonjësit e tyre, të gjithë sipërmarrësve që rezultojnë borxhli ndaj skemës së sigurimeve shoqërore, duke u siguruar që të gjitha pensionet që janë cenuar nga keqqeverisja, korrupsioni dhe krimi ekonomik i viteve të kaluara, për arsyet që folëm, do të garantohen në gjithë veprimet që do të bëjmë. Dëgjova dje për amnisti, ne nuk bëjmë amnisti. Këto amnistitë, faljet e këto ne mos na i kërkoni. Nuk kemi mandat për të negociuar të ardhmen e shqiptarëve. Nuk kemi mandat për të qëndruar në pushtet duke shitur të ardhmen e këtij vendi apo duke bërë pazar me pensionet e njerëzve të këtij vendi.

E së fundi, sot përfitojnë nga skema e re dhe marrin librezën për pensionin social, zoti Qazim Shaholli, i cili është në Azilin e Pleqve të Tiranës. Me ligjin e atyre që e bënë Shqipërinë vend të ‘zhvilluar’, suksesesh imagjinare, deri sa e nxorën të dytën pas Gjermanisë, nuk përfitonte asnjë pension. Është 81 vjeç dhe nuk ka marrë asnjë qindarkë qëkurse ka hyrë në moshën e pensionit. Jeton në azilin e pleqve, nuk ka të ardhura të tjera dhe njësoj si 5 mijë të tjerë, nga sot, nga ky vit, merr pensionin social.

Së dyti, për pensionin e minatorit, dua t’i dorëzoj librezën zotit Durim Hillo, i cili aktualisht përfiton trajtim të veçantë të minatorit, mos u emociononi nga fjala trajtim i veçantë se është vetëm 82 860 lekë të vjetra dhe sipas ligjit të vjetër i takonte që të priste edhe 10 vjet dhe të dilte 65 vjeç në pension. Me ligjin për minatorët ka dalë në pension më 16 dhjetor të vitit 2014 dhe masa e pensionit është 158 700, plus kompensimin 163 700, shkurt fjala 80 840 më shumë se çdo të merrte, kur ta merrte, pas 10 vjetësh.

Për pensionin e skemës së re është një zotëri tjetër, me vjetërsi 49 vjet pune, specialist me shkollë të mesme. Sipas ligjit të vjetër do ta merrte pensionin 240 mijë lekë. Sipas ligjit të ri masa e pensionit i shkon 271 190 lekë, që të mos të ha asnjë qindarkë. Pra, 31 190 më shumë sesa çdo ta kishe në atë pjesën tjetër. Po të ishte, larg qoftë, dikush tjetër këtu në vend meje do të prisje Vitin e Ri për ndonjë gjel ose për ndonjë 5 mijë lekë të vjetër.

Kam edhe një rast që dua ta falenderoj Vjollcën që është kujdesur për ta promovuar edhe për të tjerët, që është një zonjë e cila hyn në kategorinë e afro 200 mijë shqiptarëve që mbrohen nga heqja e fashës 300 kilovat të energjisë elektrike. Dhe për shkak se mbrohet, pensioni i saj, sot, është 6480 lekë të vjetra më shumë. Kështu që zonja Rukie Asllani do të marrë certifikatën dhe asnjë shqetësim tani, juve si 200 mijë të tjerë do të keni paratë për të paguar energjinë pa e ndjerë heqjen e fashës, në mënyrë që ne të merremi me ata xhagajdurët që fshiheshin pas jush dhe bënin sikur ishin të varfër.

Më lejoni këtu të përfitoj për një shtesë;

Vazhdojnë përditë, edhe tani që po flas unë me siguri vazhdojnë, u rrit çmimi i energjisë, ishte 7.7 shkoi 9.5. Zonja Rukie ashtu si të gjithë kategoritë në nevojë, falë fashës 300 kilovat si fashë mbrojtëse e kishte 7.7 lekë. Kjo është e vërtetë, askush tjetër se kishte 7.7 lekë. Mirëpo shumëkush tjetër e paguante 7.7, që nga njerëz me rroga të mira që preferonin të lidheshin direkt me telin e rrugës, se ndoshta dhe për siguri që ta shihnin telin nga ju vinte energjia, që të mos ua vidhte njeri rrugës, edhe kështu e vidhnin vetë, deri tek biznese të mëdha që paguanin sa një furrë buke. Kjo ishte 7.7 dhe fshiheshin të gjithë pas zonjës Rukie dhe pas gjithë njerëzve realisht në nevojë dhe të pamundur për të paguar një çmim të lartë. Ndërkohë që ligjërisht çmimi mesatar i energjisë ishte 10.3 lekë deri në 10.5. Sot çmimi mesatar është 9.5 lekë. Pra, çmimi mesatar është ulur dhe nuk është rritur. Ndërkohë që kush thotë po jua rrisim, në fakt këtë ua thotë hajdutëve të energjisë, sepse atyre po iu rritet. Sepse tani nuk ka më fashë. Askush nuk fshihet dot pas 300 kilovatshit duke bërë marifete si p.sh shtëpi me 3 kate dhe 3 sahate, një në kat të parë, një në kat të dytë, një në kat të tretë. Sahate të ndarë veç e veç, me 3 emra të së njëjtës familje dhe të gjithë bënin sikur ishin si zonja Rukie. Këtyre po iu rritet çmimi, patjetër, por në fakt ligjërisht kush e ka paguar dhe e paguan rregullisht energjinë elektrike, thjesht nga ky moment paguan atë që konsumon. Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm për të gjithë problemet e tjera, se si dhe në të gjitha fushat. Janë akoma linjat e “xhaxhit Enver” në kohën e elektrifikimit, në shumë zona të vendit. Patjetër që bien. Kompaninë na e kanë lënë si Dedën, fillrojtësin. E kur ra dimri dhe furtuna e Vitit të Ri të gjithë kërkonin “Dedën” nëpër shumë zona dhe ne jemi ndjerë jashtëzakonisht keq, duke bërë maksimumin, por ishte një moment i rëndësishëm që të gjithë ta kuptojmë se ku na ka çuar shkatërrimi i sistemit, vjedhja, nga 150 milionë euro çdo vit dhe asnjë investim. Për herë të parë po investohet në zonën strategjike turistike të Jonit, pas viteve ’70. Investimet e fundit i përkasin viteve ’70. Janë bërë ato shtyllat e shkreta në bregdet, të çara dysh dhe rrinë sikur kanë hernie fiskale të gjitha.

E në fund fare, me shumë emocion dëshiroj që t’i jap pensionin social, si një nga 5 mijë gjyshet dhe gjyshërit që përndryshe sot s’do të kishin asnjë shpresë, siç nuk kanë pasur deri dje dhe nuk kanë marrë asnjë qindarkë qysh kur kanë hyrë në moshën e pensionit, shumë të dashurës zonjës Deda, nënës së dëshmorit të 21 janarit, Hekuran Dedës.

Ishte një ditë e posaçme për ne, qoftë për të dhënë lajmin fantastik të përfundimit të një reforme jashtëzakonisht të vështirë, por përfundimisht të suksesshme për të gjithë pensionistët dhe për të gjithë ata që duan të kenë nesër një pension mbi tavanin që i mbajti të gjithë të kërrusur 20 vjet dhe për të dhënë mesazhin e qartë që, nga njëra anë kush ka abuzuar me pensionet, me sigurimet, me kontributet e njerëzve duhet të përgjigjet përpara drejtësisë. Ne do ta çojmë përpara drejtësisë. Nga ana tjetër, sipërmarrësve që rezultojnë debitorë në gjithë listën e borxheve të ISSH të vrapojnë para sesa të jetë vonë për të shlyer detyrimet që u kanë punonjësve të tyre, për t’u shlyer detyrimet çdo vajze, çdo djali, çdo gruaje, çdo burri që kontribuon në kompaninë e tyre dhe që nuk kanë të drejtën kushtetuese, qytetare, njerëzore jo e jo që ta trajtojnë si skllav dhe që t’i marrin punën pa i siguruar pensionin.

Shumë faleminderit!

KOMENTE