Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Sot në qarkun e Fierit, Shqipëria solidare
English

Sot në qarkun e Fierit, Shqipëria solidare

Në Qarkun e Fierit, shpërndarja e ndihmave për familjet e përmbytura po vijon përmes një procesi të mirëorganizuar dhe tepër funksional. Grupet e punës të ngritura për këtë qëllim kanë evidentuar tashmë të gjitha familjet e prekura, duke u dhënë përparësi në shpërndarje familjeve më të dëmtuara.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qarkun e Fierit për të inspektuar në terren procesin. Ndalesa e parë ishte në pikën qendrore të grumbullimit të ndihmave, e cila përbëhet nga 5 magazina të mëdha grumbullimi, të vëna në dispozicion të Shtabit Qendror të Emergjencave. Nga kjo qendër, ku mblidhen të gjitha ndihmat, bëhet shpërndarja në pikat më të vogla të çdo komune, nga ku banorëve të regjistruar u shpërndahen ndihmat nëpërmjet kartës së identitetit.

Shemsi Prençi, Drejtori i Emergjencave Civile informoi se në pikën qendrore, punohet përgjatë 24 orëve me koordinim të plotë të gjitha strukturave. Prençi tha se në përbërje të pakove janë të gjitha çfarë duhet për të përballuar vështirësitë e momentit. “Këtu kemi marrë 5 magazina të mëdha në dispozicion të Shtabit Qendror të Emergjencave Civile. Kemi grumbulluar të gjitha donacionet e biznesit vendas dhe të huaj, duke nisur nga ushqimet më të domosdoshme, koncentrat për bagëti, veshmbathje, batanije, dyshekë. Nga këtu fillon shpërndarja për tre komunat e dëmtuara të Qarkut të Fierit që janë komunat Levan , Frakull dhe Ndërmenas. Operacionet vazhdojnë gjatë 24 orëve. Pothuajse kanë mbërritur të gjitha asetet e domosdoshme të ndihmave tek çdo familje dhe po vazhdojmë t’i përsërisim. Ndërkohë që, grupet e punës kanë evidentuar familjet më të dëmtuara, të cilave iu kemi dhënë prioritet e pastaj të gjitha familjeve që kanë patur prezencën e ujit nëpër banesa”.

Ndërkohë që Presidenti i “Biznes Albania” Luan Bregasi, falenderoi disa prej bizneseve private në Fierit, të cilat me donacionet e tyre u janë gjendur pranë familjeve në nevojë. Ai siguroi se gjithçka e shpërndarë për banorët është e cilësisë më të lartë. “Dua të përshëndes të gjitha kompanitë lokale që kanë dhënë ndihmesën këtu në Fier. Biznesi është pranë familjeve të Qarkut të Fierit, të prekura nga kjo situatë. Është një ndihmë e jashtëzakonshme.”

Angazhim maksimal në procesin e shpërndarjes së ndihmave ka patur edhe nga bashkia e Fierit. “Që në orën 7 kemi ardhur këtu bashkë me të gjithë stafin e bashkisë, me kryetarin e bashkisë, me nënkryetarët. Të gjitha ndihmat që kemi këtu i kemi sistemuar, i kemi rregulluar dhe janë gati për t’u nisur në familjet në nevojë,” - u shpreh një punonjëse e bashkisë së qytetit.

Në përgjigje të akuzave të opozitës, Prefekti i Fierit Xhevit Bushi theksoi se puna për shpërndarjen e ndihmave po vijon më së miri. “Unë doja të theksoja dhe faktin se boll na akuzon ajo pjesa tjetër, por kjo punë vazhdon në mënyrë të organizuar dhe të centralizuar,” tha ai.

Ndërsa Kryeministri Rama replikoi me Prefektin: “Lëre atë pjesën tjetër. E kemi thënë se ata janë përmbytur që më 23 qershor dhe sa të dalin nga përmbytja ne t’i lëmë të thahen.”

Kryeministri vlerësoi organizimin shumë të mirë të shpërndarjes së ndihmave në Fier, për të cilin u shpreh se përbën një shembull të ri, mbi të cilin qeveria do të ndërtojë në të ardhmen procesin e reformimit të emergjencave civile. Kryeministri premtoi dhe siguroi se mbështetja e qeverisë nuk do të jetë e përkohshme, por do të vijojë deri në momentin e përmbushjes së çdo detyrimi ndaj familjeve të dëmtuara.

“Ne jemi këtu në Fier ku ka një superorganizim. Mbledhja e ndihmave në një pikë të madhe grumbullimi dhe çuarja pastaj në të gjitha nënpikat, zonë për zonë dhe pastaj marrja e tyre nga çdo familjar i regjistruar me kartën e identiteti përbën një shembull të ri mbi të cilin ne do të ndërtojmë më tutje të gjithë procesin e reformimit dhe të transformimit të emergjencave civile. Proces, të cilin e kemi nisur më parë, por që ky moment na ndihmon ta shohim me sytë e realitetit, drejtpërdrejtë, në terren. Nga ana tjetër, unë, vazhdoj të përsëris se nuk jemi këtu deri sa të dalë dielli, por do të jemi këtu edhe pasi të dalë dielli, që të përmbushim çdo detyrim ndaj çdo familjeje dhe ndaj çdo fermeri të dëmtuar. Prioritet për ne është zëvendësimi i krerëve të humbur dhe mbështetja e atyre që kanë humbur gjithë prodhimin dhe një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës prodhuese. Përsa i përket të tjerëve nuk ka problem, çdo familje do të jetë e mbështetur e ndihmuar, e ushqyer dhe pa asnjë dyshim e trajtuar edhe përsa i përket dëmeve të tjera të pësuara në orenditë elektroshtëpiake, në radhë të parë ato më të domosdoshme.”

***

Në fshatin Kashisht të komunës Frakull, banorët e prekur nga përmbytjet po vijojnë të marrin ndihmat sipas të gjitha rregullave të përcaktuara. Kryeministri Rama ishte për të parë nga afër ecurinë e shpërndarjes së tyre dhe për t’u takuar dhe biseduar me banorët.

Banorët e Kashishtit e informuan Kryeministrin se ndihmat janë shpërndarë rregullisht dhe u shprehën të kënaqur nga mbështetja e të gjithë strukturave shtetërore, që këto ditë janë vënë plotësisht në dispozicion të tyre. “Këto ditë i kemi marrë të gjitha masat, pasi u njoftuam se kishte prurje lumi. Këto prurje ishin shumë të rrëmbyera. Jemi shumë të kënaqur, pasi mbështetje të tillë nga ana e qeverisë nuk kemi pasur asnjëherë,” u shpreh kryeplaku i fshatit.

Ndërsa një banor në bisedë ndërhyri dhe u shpreh se “edhe në vitin 2005 ka pasur përmbytje, por nuk kemi gjetur mbështetjen e qeverisë.”

Kryeplaku i fshatit informoi se gjatë këtyre ditëve janë shpërndarë tre herë ndihma, duke i dhënë përparësi në furnizim, si dhe në kohën e shpërndarjes familjeve më të dëmtuara. “Janë shpërndarë tre herë ndihma. 57 familjeve të përmbytura ditën parë, 57 familjeve ditën e dytë dhe dje kemi ndarë për 105 familje. Dje kanë ardhur për 10 familjet më të përmbytura dyshekë. Kanë ardhur të gjitha,” u shpreh ai.

Kryeministri Rama theksoi se shpërndarja e ndihmave do të vazhdojë në të gjitha zonat, deri sa të shlyhen plotësisht të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja. Kryeministri garantoi se qeveria do të jetë në krye të detyrës, për t’i mbështetur ata. “Ndihmat do të vazhdojnë prapë. Magazinat janë me të gjitha gjërat të siguruara. Vazhdojnë të furnizohen me të gjitha gjërat. Qoftë në Vlorë, qoftë këtu, qoftë në Berat e Gjirokastër, do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë, sa të jetë mbyllur jo përmbytja, por çdo dëm, jo vetëm dëmet nëpër shtëpi, por edhe dëmet në krerë, dëmet në prodhim që kanë qenë të mëdha në këtë zonë, një pjesë e infrastrukturës së prodhimit është e shkatërruar. Për ne këto janë detyrime, që ne nuk do t’i lëmë pa ju qëndruar një më një.”

Ndërkohë një banor tjetër tha se në 2005, në një situatë të ngjashme përmbytjesh, nuk kishte patur këtë përkrahje nga qeveria e atëhershme. “Unë jam i djathtë dhe mund të them që në 2005 nuk e kishim këtë mbështetje,” tha ai.

Duke kërkuar prej tij, t’i qëndronte besnik përkatësisë së tij politike, Kryeministri shtoi me humor “Ju të djathtëve ju gjeti bela e madhe. Nga e prisnit nuk ju erdhi, nga s’e prisnit po ju vjen. Edhe legalizimet, edhe mbështetja për përmbytjet, edhe mbështetja për punët tuaja po ju vjen nga ne, pra nga s’e prisnit.”

***

Në shkollën 9 vjeçare të fshatit Bishan ishte ndërprerë mësimi prej një jave. Sot në këtë shkollë 9 vjeçare, ku mësojnë nxënës nga tre fshatra, mësimi kishte nisur normalisht.

Drejtori i shkollës informoi se megjithëse në fshatra pati probleme me përmbytjen e tokave bujqësore, shkolla nuk u prek nga kjo situatë dhe se pjesëmarrja e mësuesve dhe nxënësve është e plotë. “Mësimi zhvillohet 100% dhe mësuesit janë 100% në mësim. Ne patëm probleme në fshat me tokën bujqësore, por shkolla nuk u përmbyt.”

Kryeministri u interesua për mënyrën e zëvendësimit të orëve të prapambetura, për të cilat, mësuesit e shkollës siguruan se do të merren të gjitha masat që asnjë lëndë të mos mbetet pa u shpjeguar. “E kemi diskutuar edhe me Drejtorin e DAR dhe nuk do të mbetet asnjë lëndë pa u shpjeguar,” siguruan ata.

***

Kryeministri Rama vizitoi edhe nënpikën e shpërndarjes së ndihmave në komunën Frakull.

Kryetari i komunës Viktor Çervanaku tha se është duke evidentuar çdo ndihmë, duke shënuar në regjistër datën dhe llojin e çdo produkti që hyn dhe të atyre që shpërndahen familje më familje të prekur nga përmbytjet.

“Çfarë ka ardhur këtu në magazinë mbahet me data, me evidenca. Për datën 6 shkurt, kanë ardhur 200 dyshekë, 140 tonë ushqime, 200 ujë, 40 kuintal misër; në datën 8 shkurt, 80 kuintal himë, 40 kuintal misër i bluar, 250 pako ushqimore, ujë 250 pako ujë, 375 thasë me miell. Në datën 9 shkurt, 346 pako ushqime dhe ne kemi të përmbytura 160 familje. Kanë marrë nga katër herë ndihma. Sot, 350 pako ushqime. Çdo gjë është bërë me lista, në çdo fshat, për çdo person që ka marrë ndihmë dhe sa herë ka marrë, edhe me firmë. Është ngritur grupi i punës me urdhër të kryetarit të komunës dhe janë të evidentuar të gjitha. Çdo gjë bëhet me letra, sepse ligji nesër të fut në burg. Serat, të cilat përfliten shumë, komuna Frakull i ka mbaruaridentifikimet, që ditën e dytë. Në magazinë këtu me fatura, hyrje dhe dalje. Verifikim total,” – shpjegoi kryetari i komunës.

Banorët e komunës Frakull, shtoi ai, kanë pasur përkrahjen e plotë deputeti Ruçi, prefekti, kryetari i komunës dhe shtabi i emergjencës. “Janë të tërë këtu, në këmbë, natën dhe ditën. Këto janë fjalë të popullit. Banorët kanë marrë 4-5 ndihma në ushqime.”

Kryeministri Rama vlerësoi se kjo mënyrë funksionale e organizimit të shpërndarjes së ndihmave bëri që për herë të parë, ndihma të shkojë tek të prekurit dhe të shmangë përfitimet abuzive në kurriz të të dëmtuarve.

“Ajo që ka rëndësi është të kuptohet se ka një zinxhir organizimi ndryshe nga çdo herë tjetër, ka një pikë qendrore ku bëhet magazinimi i të gjitha ndihmave që vijnë drejt zonës, qoftë në Fier, qoftë në Vlorë, në Berat apo Gjirokastër, pastaj janë nënpika në çdo komunë siç është kjo nënpikë këtu, ku bëhet e mundur që ndihma shkon tek të prekurit dhe jo të prekurit të vijnë të kërkojnë ndihma dhe të rrinë të grinden me njëri-tjetrin dhe nuk merret vesh kush i merr, siç ka ndodhur në të shkuarën. Faktet flasin vetë, por ajo që është e rëndësishme flet vetë përkushtimi i jashtëzakonshëm i gjithë këtyre njerëzve, që nga shtabi i emergjencës, tek ushtria, tek policia, tek strukturat vendore, tek prefektët, kryetarët e komunave dhe shtabet e ngritura në çdo komunë, për t’i qenë pranë njerëzve në këtë moment nevoje të jashtëzakonshme, që kërkon këtë përkushtim të jashtëzakonshëm.”

Kryetari i komunës Frakull Çervanaku u shpeh i indinjuar lidhur me akuzat për mungesë të ndihmës nga opozita. Ai tha se opozita mund të vijë dhe të interesohet aty ku ndihmat po shpërndahen dhe në shtëpitë e banorëve të përmbytur. Puna për mbështetjen e këtyre familjeve nuk pushon në 24 orë u shpreh ai: “Le të vijnë të merren me ne ata. Listat janë të gjitha. Çfarë do vijnë nesër do shtohen prapë në këto regjistra. Përkrahje totale e këtij populli. Nga deputeti Gramoz Ruçi, nga Prefekti, kryetari i komunës dhe shtabi i emergjencë që përbëhet nga 20 veta, janë të gjithë këtu në këmbë natën dhe ditën. Banorët kanë marrë nga 4-5 herë. Boll me provokime!”

KOMENTE