English

Kardiokirurgjia në QSUT, kalon në analizë vjetore

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi sot shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me rastin e vënies në punë të pajisjeve të reja në këtë shërbim: një radioablator i ri, pajisje qarkullimi ekstrakorporal, set instrumentash për kirurgjinë mini-invazive, si dhe një ekokardiograf të ri.

Më tej, Ministri Beqaj, i shoqëruar nga Drejtorja e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu, mori pjesë në takimin për analizën vjetore të departamenteve të kardiokirurgjisë, kardiologji-kirurgji kardiovaskulare, si dhe angiologjisë e kirurgjisë vaskulare.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takimin me drejtuesit dhe mjekët e këtyre departamenteve:



Përshëndetje,

Në radhë të parë, falenderimi shkon për ata që prezantuan (tre analizat vjetore përkatëse të departamenteve të kardiokirurgjisë, kardiologji-kirurgji kardiovaskulare, si dhe angiologjisë e kirurgjisë vaskulare), por edhe për të gjithë ekipet e mjekëve dhe infermierëve për gjithë punën e bërë në vitin 2014. Besoj se gjatë prezantimit, u pa qartë, që të paktën si volum pune, është realizuar diçka që varion tek 20-40% më shumë këtë vit.

Sigurisht, është e lehtë të matësh ndryshimet e volumit të punës me përqindje apo me numra, por që pas atyre numrave, janë praktikisht njerëz, janë pacientë, janë jetë njerëzish, - në radhë të parë të shpëtuara, - pastaj janë sëmundje të identifikuara në një shkallë sa më të hershme, që në radhë të parë zgjasin jetën e shëndetshme, pastaj shkurtojnë invaliditetin, shkurtojnë kostot që ka ai vetë si pacient, familja e tij, por padyshim indirekt edhe shoqëria, sepse kostot duhet të mbulohen nga financimet që ne të gjithë kontribuojmë në sistemin e taksimit.

Sigurisht që, sëmundjet kardiovaskulare janë grupi i sëmundjeve me barrën më të madhe të sëmundshmërisë në Shqipëri, - kemi hyrë në tendencën e vendeve të zhvilluara, - dhe jo rastësisht, për këtë qëllim edhe prandaj janë të fokusuara në Programin e Qeverisë, si një nga dy grup sëmundjet prioritare.

Çfarë është bërë?

Të paktën unë besoj, se një pjesë e atij volumi që është realizuar, padyshim përtej meritës primare të vetë mjekëve dhe infermierëve, ka të bëjë edhe me mundësinë e krijuar, për të furnizuar më mirë, më ritmikisht, këto shërbime.

Sot po analizojmë këto shërbime, edhe pse kjo është një gjë që ka ndodhur në gjithë QSUT-në dhe gjithë spitalet e vendit, - me barna, me materiale mjekësore, me garantimin e funksionimit më në vijimësi të pajisjeve kryesore diagnostikuese dhe terapeutike, por edhe me disa investime jo të vogla që kanë filluar të bëhen.

Një pjesë kanë filluar të japin rezultatet, por edhe do të vazhdojnë të shtrihen edhe gjatë këtij viti. Ishte ilustrim shumë sinjifikativ, ajo që profesor Edvini (Prof.ass Edvin Prifti) dha për rastin e përdorimit të një teknike të re në kirurgjinë e zemrës. Sigurisht, unë besoj se kemi ardhur sot në momentin, që sidomos kur bëhet fjalë për një grua që duhet të mbajë gjithë jetën një cikatrice, edhe ana estetike, sot nuk është për t’u neglizhuar. Por, aty është qoftë një teknikë e re, qoftë një periudhë më të shkurtër ditëqëndrimi, që është në të mirë të pacientit, të pacientëve të ardhur, por edhe të kostove të shërbimit.

Megjithatë, në fund të fundit, ajo çfarë kemi bërë ne si ministri, drejtoria (e QSUT-së), e kemi për detyrë. Kemi marë një mision dhe duhet ta përmbushim, e shoqëruar me disa masa. Pra, kemi mbërritur këtu, sigurisht me shtim të buxhetit, por edhe me përdorimin shumë më të mirë të gjitha burimeve.

P.sh., në qoftë se ne vjet e hoqëm TVSH-në e barnave prej 10%, me po ato para kemi blerë më shumë barna.

Në qoftë se nga 1 janari, materialet mjekësore të implantueshme, që janë shumë më konkrete këtu, - nuk kanë më TVSH prej 20%, - nuk është se po shkurtojmë fondet për vitin 2015 në QSUT. Këto para do t’i përdorim për të blerë më shumë materiale mjekësore.

Besoj se në këtë grup sëmundjesh, edhe gjashtë paketat e realizuara nga Fondi (FSDKSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kudesit Shëndetësor), ndihmojnë në radhë të parë pacientët shqiptarë, dhe këtu është momenti për ta ripërsëritur falenderimin tim personal, për shërbimet që punuan në prill dhe në maj, kur ato paketa u hartuan. Kanë filluar të realizohen me sukses në muajin dhjetor.

Në këtë muaj të parë, është konstatuar që ka nevojë të plotësohen, të kolaudohen. Sigurisht, brenda muajit kemi afatet ligjore për t’i riparë paketat. Sigurisht që, edhe investimet e bëra në kardiokirurgji, p.sh., angiografi që ka ardhur për të zëvendësuar një pajisje që tashmë është 19-vjeçare, edhe pse punon do vijë dita që nuk do të punojë.

Nevoja për të dalë me spitale publike edhe jashtë QSUT-së, besoj se pas një vonese, - ndoshta të pajustifikuar nga koha që jam unë ministër, - përfundimisht edhe në Sanatorium (Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”) do ta vemë në punë, edhe këtë vit në Shkodër.

Pra, do të thotë që kemi tre qendra publike, që në radhë të parë shtojmë kujdesin për qytetarët. Po t’i shtojmë edhe rreth 1 mijë proçedura që i kemi të programuara me buxhetin e Fondit (FSDKSH) tek privatët, ne arrijmë në 2015-n dyfishimin për dy vjet. Mund të duket si statistikë, por janë 2 mijë njerëz më shumë në 2015-n, në krahasim me 2013-n, që me paratë publike, ose në spitalet publike, ose në spitalet jopublike të financuara nga Fondi me paratë publike, do të arrijnë të marrin këtë shërbim.

Sigurisht që, unë nuk do të zgjatem më shumë, mbajta shënim disa nga kërkesat tuaja, se në fund të fundit analizë vjetore, ju doni Ministrin për t’u marrë me një angazhim, jo për të thënë çfarë është bërë vitin e kaluar.

Sigurisht që e kemi sfidë të përbashkët, që brenda këtij viti të arrijmë në shërbim 24-orësh. Nga ne duhet të garantojmë ato çfarë ishin aty, edhe disa shërbime që ishin të laboratorit, pa ato nuk mund të funksionojnë, si dhe më shumë furnizim me materiale mjekësore.

Unë pashë një kërkesë që bëri profesor Goda (Prof. Dr. Artan Goda) lidhur me shtimin e mjekëve dhe infermierëve. Nuk është momenti sot për t’i hyrë se sa i kanë të tjerët. Le të vendosim bashkarisht sot sa keni ju nevojë më në fund nevojë për shtesë, ne të sigurojmë fondet dhe pastaj bashkërisht të zgjedhim a ka profesionistë.

Në një vit e gjysëm që unë jam ministër, kam parë, që në 2-3 projekte që kemi dashur të jemi të avancuar, s’ka qenë shumë e lehtë, - jo vetëm tek ju, por edhe në onkologji, - të gjeje profesionistë. Për fat të mirë, në prill mbaron një brez nga specializantët, por edhe për një kohë specializimet e reja u rihapën. Shpresoj që, ata që kanë ardhur tek ju, të jenë brumë i mirë, se dëshira e tyre ka qenë, megjithatë duhen edhe 4 vite kohë.

Sigurisht, janë për t’u përshëndetur edhe disa risi: teknikat e reja te kirurgjia e zemrës me pajisjet e reja që kanë ardhur, por edhe stand-at e medikuara të përdorura për herë të parë, apo disa ndërhyrje që ju keni bërë për herë të parë. Unë kam diskutuar me drejtorin e Fondit (Dr. Astrit Beci, FSDKSH) në fakt që, ne po mendojmë, që disa nga pajisjet që ju i bletë këtë vit për herë të parë, besoj se mund t’i fusim në listën e rimbursimit.

Ne, këtë vit, për herë të parë në Shqipëri, duam të fusim në rimbursim edhe pajisjet mjekësore, jo vetëm në kardiologji. Po shikojmë në okulistikë, po shikojmë në kardiologji, po shikojmë në të tjera sëmundje, sepse ligji na e lejon, mundësitë sot janë, dhe në fund të fundit besoj se në këtë mënyrë, ju krijon juve mundësinë t’i përdorni për gjëra të tjera më të mira.

Një problem që unë e ndjej në fakt, që është shqetësim, edhe me Petron (Dr. Petro Mersini, Drejtoria Spitalore në MSH) edhe me Astritin (Dr. Astrit Beci, FSDKSH), nga data 1 maj, do të duhet të bëjmë një shpërndarje shumë më të mirë të përdorimit të ECHO-ve dhe të (tapeteve të) provave të forcës në të gjitha spitalet e Shqipërisë.

Ne kemi shtuar kabinetet në spitalet rajonale, por i kemi lënë vetëm aty. Në qoftë se ne kemi sot 6-7 kabinete, që nga data 1 maj, kemi bërë një plan shpërndarjeje, që ne ta bëjmë efektiv, që ato të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë.

Le të themi mos të mbajë Shkodra vetëm veten, por të marrë dhe Lezhën; apo mos të mbajë Vlora vetëm veten, por të marrë edhe Fierin; në mënyrë që ata që vijnë në QSUT, të jenë më pak.

Në radhë të parë, shërbim më i shpejtë – të paktën ne mund të arrijmë që t’i ulim radhët e pritjes me 50-60%. Por, sigurisht, përveç shërbim më i shpejtë, edhe mundësinë që të mos punoni shumë nën presion, dhe t’i lini një ekzaminimi kohën e domosdoshme që thotë protokolli.

Sigurisht që, këtë e bëni në mënyrë primare, por presioni i radhës, të detyron nganjëherë të punosh sa më shumë shpejtësi dhe këtë duam ta bëjmë tek ECHO-t, ekzaminimet e forcës dhe tek disa ekzaminime të tjera, që nuk lidhen detyrimisht me kardiologjinë. Por, po punojmë që, ato pajisje që kemi sot të rëndësishme në spitalet rajonale, të quhen se janë të të gjithë vendit dhe të kemi një shpërndarje më të mirë, në mënyrë që kur dikush paraqitet në Lezhë, mjeku t’i thotë se: “Ti duhet të shkosh në Shkodër”.

Dhe besoj se, nga maji, kur ta bëjmë efektive, do të kemi një sistem elektronik online edhe për radhën, në mënyrë që gjithësecili ta dijë dhe kur e ka radhën, ta shohë në mënyrë transparente, ku - le të themi, - mjeku i një spitali e referon në një spital tjetër, që aty t’i japë edhe orarin kur duhet të paraqitet për të shmangur edhe vonesa, që në mënyrë të panevojshme, sidomos pacientët që kanë ankthin e një ekzaminimi, të paktën t’ia heqim këtë pjesën emocionale subjektive.

Nuk dua të flas më shumë, dua të ripërsëris diçka, ose dy momente, - nuk lidhen me ju, sigurisht në detyrën e Ministrit, - ky është një komunikim publik. Dy gjëra që janë të ndjeshme në debatin publik në lidhje me shëndetësinë kohët e fundit, dhe dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të dhënë një përgjigje.

Së pari, për testimin. Një mesazh shumë të drejtpërdrejtë, meqënëse një nga pretendimet apo akuzat, - nuk ka rëndësi, - është cënimi i parimit të sigurisë juridike. Pra, cënimi i diçkaje të sigurtë, që profesionisti e ka. Nga proçesi i testimit, nuk cënohen 3 gjëra që janë shumë të rëndësishme:

Kontrata e punës;
Paga;
E drejta e ushtrimit të profesionit.

Pas testimit, asnjëra nga këto të treja nuk cënohet. Kjo nuk duhet ngatërruar me rezultatet, që sot erdhi moment për t’i bërë publike, e përfundimit të ciklit 5-vjeçar të edukimit në vazhdim.

Është një vendim i marrë që në krye të herës që në 2010-n, që pas 5 vjetësh, kush nuk do të marrë kreditet, do të duhet të hyjë në një proçes riçertifikimi. Nuk është proçes i Ministrisë së Shëndetësisë, është një proçes i vendosur bashkarisht me edukimin në vazhdim (QKEV – Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim) dhe sot fotografia është:

Pas 31 dhjetorit 2014, 36% e mjekëve shqiptarë, s’i kanë marrë kreditet (e nevojshme);
28% e farmacistëve shqiptarë, nuk i kanë marrë kreditet (e nevojshme);
52% e mjekëve stomatologë shqiptarë, nuk i kanë marrë kreditet (e nevojshme).

Që në krye të herës, është vendosur që këta njerëz, do të duhet që t’u jepet një mundësi prej 6 muajsh, që të hyjnë në një provim riçertifikimi.

Do ta shpallim më 15 prill listën nominale. Deri atë ditë, kemi rënë dakort sot në Bord (Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë), që fakultetet përkatëse bashkë me urdhrat (e profesionistëve të shëndetësisë) do të përcaktojnë lëndën, të cilën do kenë kohë njerëzit që të pëgatiten.

Pastaj, me një rregullore të caktuar, gjithësecili do të ketë datën kur duhet të japë një provim ricertifikimi. Pas atij 6-muajshi, nuk mund të marrë përsipër që ai të mund të ushtrojë më profesionin. S’pati mundësinë për 150 kredite, por nuk pati mundësinë as për programin.

Dhe e dyta, lidhur me testimet që vijnë, nga një tendencë e Qeverisë, - por unë jam përgjegjës për Ministrinë e Shëndetësisë, - për të zgjeruar shumë partneritetin publik-privat, për zgjidhjen e sfidave shumë të forta që kemi në shëndetësi.

Në fund të fundit, edhe po të marrim këtë spital, përveç godinave dhe mjekëve, gjithçka që vjen përditë, furnizohet nga privati. Ne barnat te privati i blejmë; ne materialet mjekësore te privati i blejmë; ne angiograf, skaner, rezonanca, te privati i blejmë; privatit ne i kërkojmë të na i mirëmbajë; kitet dhe reagentët te privati i blejmë.

Jo vetëm kaq, por këtë vit kemi shkuar aq sa edhe shërbimin e plotë po e kontraktojmë te privati, siç është rasti i paketave të kardios, i dializës, rasti i transplantit të veshkës (paketat e shërbimeve shëndetësore të financuara nga FSDKSH në institucionet publike dhe ato jopublike të sistemit të kujdesit shëndetësor spitalor). Pra, nuk ka ndonjë herezi në partneritetin publik-privat.

Ajo që po bëjmë është kjo:

Së pari, kemi nevojë të domosdoshme për investime themelore në shëndetësi, dhe sot për sot, takati i buxhetit shqiptar, me para publike nuk mban. Instrumentat kirurgjikale në QSUT për herë të fundit kirurgjia i ka blerë në 2004-n.

Në atë kohë, nevojat kanë qenë 6 milion euro, po në 2015-n?

Tani këtu ka kirurgë me eksperiencë, në shumë salla ka pajisje të 20-30 viteve. Nuk kemi para publike ta bëjmë këtë investim njëherësh. Atëherë, ftojmë një partner privat, i cili sigurisht ka interesin e tij. Ai bën investimin fillestar, prandaj i japim një kontratë afatgjatë, që të shlyhet investimi.

Edhe debati i hapur për konçensionin e filluar, i cili me 30 mars do të shohim kush do të jenë ofertat që do të na paraqiten, çfarë përmban:

Rinovim të të gjithë instrumentarit kirurgjikal për të gjithë operacionet kirurgjikale që bëhen në Shqipëri - në bazë të shifrave tona, bëhen rreth 50 mijë sot, nga të cilat rreth 22 mijë në QSUT;
Ofrimi i atyre pajisjeve të sterilizuara para çdo operacioni;
Ofrimi i njëpërdorimsheve: veshje, veshje shtrati dhe mbulim plage para çdo operacioni;
Dhe, sterilizimi para çdo operacioni;
Në fund të shërbimit, në fund të muajit për shërbimet, pagesë për intervent.

Aktualisht në QSUT, shpenzohen në vit 400 milionë lekë vetëm për këtë proçes. Pa përfshirë rinovimin e investimit, vetëm investimi fillestar që do të bëhet është 1.6 miliardë lekë, i kërkuar me detyrim, që të ribëhet edhe në vitin e shtatë të kontratës, në mënyrë që në vitin e dhjetë, ato të mbeten në pronësi publike.

Pra, te një privat do t’i blenim. Edhe sterilizimin, impiante private, edhe materialet e konsumit, janë po impiante private. Por, edhe nuk mund të justifikohem unë si ministër, që është vonuar tenderi i proçedurave në ministri të punëve të brendshme dhe sterilizimi i sallave dy javë, bëhet me miq, me shokë, duke marrë donacione, etj., etj.

Dhe ka një gjë shumë të rëndësishme: Po flasim për buxhetet aktuale, nuk po flasim për kosto të reja. Edhe pse unë besoj, - dhe dua mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj, - që edhe po të jenë kosto të reja, për të përmirësuar instrumentat e çdo salle, unë besoj se ja vlen ky investim. Jo vetëm se teknikat kanë ecur, por doktorët vijnë e kërkojnë teknika të reja.

Sigurisht, është krejt normale, që ju në radhë të parë të kërkoni më shumë, për të pasur më shumë rezultat në punën tuaj, qytetarët e meritojnë dhe në fund të fundit, jemi të vetëdijshëm që, përmirësimi i kujdesit në shëndetësi nuk ka ndonjëherë cak: teknika të reja dalin, gjëra të reja dalin, ne akoma nuk jemi aq të shkathët për të bërë një farmaekonomi, apo një kostim shumë të mirë.

Ajo që ju thatë, që ju e bletë një pajisje, që nuk do i mbani më 7 ditë, po 5 ditë, në fund të vitit, rrezik ato i kanë nxjerrë kostot e tyre. Dhe po të punojmë me këtë qasje kudo, besoj se do të mund të arrijmë, që të bëjmë një sinergji shumë të mirë, midis mundësive shtesë që na vijnë nga buxhetet, por edhe output-et më të mira që mund të dalin prej jush.

Sigurisht që, dua t’jua përsëris falenderimin tim, juve personalisht, për këtë që bëni këtu, por edhe mundësitë, sepse falë jush arritëm ta përfshijmë dhe këtë vit edhe sektorin jo-publik.

Unë besoj në një marrëdhënie shumë më të mirë dhe shumë më transparente dhe besoj se sa më shumë të përmirësohemi ne këtu, edhe sektori jo-publik, do të jetë përpara më shumë sfidave, për cilësi.

Dhe besoj se, ajo çfarë dua të bëjmë bashkërisht, ndoshta deri në fund të marsit, një plan pune, që sfidën e përbashkët, brenda këtij viti ne të jemi 24-orësh të mund ta realizojmë.

Faleminderit!

KOMENTE