English

Bulqiza në drejtimin e duhur

Bulqiza, jo shumë larg në kohë konsiderohej një qytet minatorësh dëshpërues, prej 25 vitesh i harruar, pa asnjë projekt dhe investim dhe për të cilin flitej vetëm kur aksidentet në minierë merrnin jetë njerëzish. Bulqiza sot është një realitet i transformuar për banorët e saj. Shkolla 9-vjeçare e ndërtuar rishtas me standardet më të larta; sheshi qendror dhe pedonalja, unaza e qytetit, përfundimi i tunelit të parë pjesë e rrugës së Arbrit, ujësjellësi i ri që furnizon me ujë 24 orë qytetin e vjetër, thellimi i pusit, një ndër aktivitetet e rëndësishme të punësimit për qytetin verilindor janë ndër investimet e ndërmarra në këto 18 muaj, që po i ndryshojnë perspektivën qytetit dhe banorëve të tij. Për të parë këto investime ishte në Bulqizë Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Financave, deputet i zonës, Shkëlqim Cani.

Për Ministrin Cani, problemi për gjendjen e mjeruar e qytetit nuk ishte dhe aq financimi, sesa mungesa e vizionit dhe e vëmendjes së qeverisë qendrore. Realiteti i sotëm i Bulqizës, nënvizon Cani, i tejkalon zotimet e marra para banorëve në fushatën e 2013-ës, nxit të bëhet edhe më shumë.

Shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda”, ku nuk ishte investuar që kur ishte ndërtuar para vitit ’90-të, tashmë një ndërtim model, me teknologjinë e gjelbër, e pajisur me ashensorë për personat me aftësi të kufizuar, palestra verore dhe dimërore, fusha sportive dhe sistem ngrohjeje qendrore.

Unaza e re e qytetit të Bulqizës është një tjetër inevstim që ka nisur, për të cilën Kryeministri mori dhe falenderimin e banorëve.

Bulqizë ka nisur edhe ndërtimi i pedonales së qytetit, që do të shndërrohet në një hapësirë rekreative për qytetarët. Ndriçim, trotuare, gjelbërim dhe rikualifikim urban përfshin projekti që shndërron një rrugë pa standarde sot, në një pedonale shplodhëse dhe i ndryshon konceptin por edhe cilësinë Bulqizës në shërbim të qytetarëve të saj.

Tuneli i parë rrugës së Arbrit, që është financuar në këto 18 muaj, tashmë i përfunduar dhe ku po punohet për sistemin e ndriçimit; rilindja urbane e hapësirave publike të qytetit janë investime, të cilat, sipas Kryeministrit, po e kthejnë Bulqizën në një qytet të jetueshëm cilësisht. Dhe pas një përqendrimi të fortë mbi rrugën e Arbrit, në vjeshtë nis jetësimin edhe ky investim madhor jo vetëm për Bulqizën, por për gjithë qarkun e Dibrës.

“Nga vjeshtë fillon rruga e Arbrit me tunelin e dytë, shumë më i gjatë se ky dhe me urën e Vashës që është shumë e lartë dhe një nga veprat e rralla në Shqipëri. Ky është premtimi kryesor që ne kemi dhënë për gjithë qarkun e Dibrës. E dyta, ajo që premtuam ishte mosha 55 vjeç për minatorët. Premtim i mbajtur. Tashmë ligji ka dalë dhe ka filluar zbatimi. Premtimi i tretë madhor për Bulqizën dhe qarkun e Dibrës është pusi i thellësisë, sepse janë 800 familje, minimumi, që mbahen me të. Tashmë, pusi i thellësisë është realitet. Qyteti mori nga 6 orë në ditë, 24 orë ujë në ditë. Nuk ka tre ditë që bashkë me kryetarin dhe kryetarin e ri hapëm rubinetat dhe uji vërshoi. Pra, nuk flasim për një gjë që do të vijë nesër, por për një realitet. Sot, qyteti i vjetër i Bulqizës ka 24 orë ujë,” – detajoi investimet për qytetin, Ministri Cani.

“Vetë kjo vepër domethënëse e këtij tuneli të domosdoshëm për rrugën e Arbrit, që u financua dhe u realizua në kohë rekord, tregon sa shumë më tepër do të ishte bërë në këtë kohë, nëse nuk do ta kishte dalë përpara një mal me borxhe për t’i shlyer dhe nëse nuk do të kishim shlyer deri tani, 550 milionë dollarë për borxhe të prapambetura të qeverisë tjetër. Gjithsesi, me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë e Kinës. Nga ana tjetër ardhja e ujit 24 orë në një qytet minatorësh, që ishte harruar 25 vjet dhe as ujë nuk kishte, është një lajm i mirë, i realizuar edhe ky në këtë periudhë. Plus transformimi i vetë qytetit, nga një qytet i dëshpëruar, që ishte tamam si fasada e dëshpërimit, ku i vetmi lajm dhe e vetmja arsye pse flitej për Bulqizën ishte kur vdisnin minatorët, të kthehet në një qytet të jetueshëm cilësisht nga ata që e banojnë,” – u shpreh Kryeministri.

Për Bulqizën, fabrika e pasurimit të ferro-kromit është një nga aktivitetet e rëndësishme të ekonomisë dhe të punësimit në qytet. Në fabrikë janë investuar 5 milionë dollarë, ndër të cilat 4 milionë janë makineri e pajisje brenda në fabrikë dhe 1 milionë për trajtimin teknologjik të mbetjeve. Drejtuesi i saj thotë se investimet janë favorizuar nga lehtësitë fiskale të paketës mbështetëse të qeverisë, me heqjen e TVSH-së për makineritë e importit dhe uljes së rentës minerare. Kjo mbështetje i ka dhënë mundësi zgjerimit i investimeve mundësi të rrisë kapacitet dhe të shtojë numrin e punëtorëve, madje të planifikojë të shtojë linjat e prodhimit dhe të rrisë numrin e punonjësve edhe me 50%.

“Një punonjës i vjetër duhet të mësojë dy të rinj. Kemi 120 punëtorë dhe me linjën e re të shtojmë edhe 60 punëtorë të tjerë. Duke shtuar punëtorët do të punojmë edhe në drejtim të sigurimit të lëndës së parë në miniera. Kështu që do të hapen vende pune edhe në miniera. 40 deri në 50 vende mund të hapen këtë vit,” - shprehet drejtuesi i fabrikës.

KOMENTE
    Eccobet