Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tirana Business Park”, oaz i ri mundësish për sipërmarrjet
English

"Tirana Business Park”, oaz i ri mundësish për sipërmarrjet

“Tirana Business Park”, TBP është projekti më i madh gjerman në Shqipëri, investim i kompanisë “Lindner Group” me vlerë 100 milionë euro. Ky projekt gjigand edhe për Ballkanin shtrihet në një sipërfaqe prej 22 ha, pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas.

Deri në vitin 2022 projekti parashikon ngritjen e 15 ndërtesave, të cilat do të përdoren si hapësira për bizneset, të dedikuara për zyra, zona tregtare, dyqane ushqimore, magazina, dhe shërbime mbështetëse, si dhe 2 ndërtesa shumëkatëshe parkimi.

Ndërtesat do të ofrojnë një arkitekturë atraktive, duke sjellë konceptin e një qyteti brenda qytetit, dhe pranë aeroportit. Projekti përfaqëson një vizion modern të urbanizmit, arkitekturës, dhe infrastrukturës, në harmoni dhe miqësi me mjedisin.

Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e inaugurimit të “Tirana Business Park”

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë që duhen pak minuta nga Tirana për të ardhur në Gjermani. Është kjo, pikërisht, arsyeja pse investimet e huaja, por në radhë të parë investimet gjermane, kanë një vlerë të posaçme, përtej vlerës financiare, përtej vlerës së shtuar në punësim, në funksionim, kanë një vlerë kulturore për mënyrën e të jetuarit në një hapësirë ku bëhet biznes, ku ofrohen shërbime, ku priten klientë, ku informohen qytetarë, lidhur me aktivitetin. Kështu që, gjëja e parë është; Faleminderit që na keni sjellë një copë Gjermanie, në Vorë!

Së dyti, investimet gjermane të këtyre përmasave kanë një tipologji krejt të veçantë dhe të ndryshme nga të gjitha investimet europiane, të huaja, në një vend tjetër, sepse janë investime familjesh që brez pas brezi trashëgojnë eksperiencën, trashëgojnë dijen dhe rrisin ekonominë e tyre, duke pasur një kontribut të posaçëm në rritjen e ekonomisë kombëtare.

Familja që ka projektuar një investim prej 100 milionë eurosh që do të shtrihet deri në vitin 2020, me të paktën 10 mijë të punësuar, është një nga ato histori suksesi të biznesit familjar në Gjermani, që këtu ka vendosur të sjellë dhëndrin e njërës nga katër vajzat.

E besoj që, është një arsye më shumë për t’u ndjerë të sigurt që do të jetë sukses i garantuar, sepse dhëndri nuk ka asnjë mundësi të ndahet nga vajza që ka marrë për grua, duke dështuar në Shqipëri. Po të ishte vajza vetë, mund të kishte edhe problem sepse mund të thoshte “nuk bëhet me shqiptarët baba, unë po kthehem në Gjermani”, kurse dhëndri nuk ka shans të kthehet sepse nuk gjen as vajzën aty. Por përtej shakasë, besoj se për ne është fat që më në fund ky investim mori rrugë dhe që sot përbën, jo vetëm një prurje të re në botën e sipërmarrjes shqiptare dhe sigurisht edhe një burim të ri të ardhurash për shtetin shqiptar, por më e rëndësishmja përbën një shembull edhe për shumë të tjerë që duan të investojnë. Që, jo thjesht duke dëgjuar, por duke parë një realitet të ndërtuar këtu mes nesh, me standarde tërësisht gjermane, të besojnë se kjo është e mundur dhe kjo është rruga për të konkurruar dhe për të pasur sukses në një treg që sado i ri, sado i vështirë, sado i ngatërruar, është një treg ku gjithmonë e më shumë fiton cilësia dhe nuk ka si të jetë ndryshe.

“Tirana Bussines Park” është një nisëm e re, në një drejtim të ri të krijimit praktikisht të një oazi si një qytet i vogël, brenda një qyteti të madh, që ofron jo vetëm çka aktiviteti i brendshëm përbën, por edhe një vizion dhe një rrugëzbatim të një projekti, i cili është infrastrukturor, urbanistik, arkitektonik dhe padyshim është edhe miqësor me mjedisin. Faktikisht, potenciali i këtij oazi është që të kthehet në një nyje nevralgjike për ekonominë shqiptare, por unë besoj edhe për ekonominë gjithmonë e më të ndërlidhur rajonale. Edhe pozicioni strategjik i zgjedhur nga investitorët ndihmon shumë besoj unë, këtë ambicie të shprehur qartësisht nga gjithë pamja e këtij parku të ri biznesi.

Nga ana tjetër, sigurisht që është kënaqësi e veçantë, - unë i mora leje ambasadorit nëse mund ta thosha dhe pasi mora leje nga ambasadori gjerman që kjo është e vërtetë, po e them me shumë kënaqësi, - që në atë librin e barsaletave që zoti Ulmer tha se mund të shkruhej me gjithë aventurën shumëvjeçarë të kësaj sipërmarrjeje në labirintet e burokracisë, qeveria shqiptare nuk është pjesë e barsoletave.

Pra, ne kemi bërë gjithçka kemi mundur që ta ndihmojmë kompaninë të zgjidhë të gjitha nyjet, të cilat ishin bërë pengesë për të realizuar fillimin dhe vazhdimin normal të këtij investimi.

Unë jam krenar për këtë, sepse unë besoj njësoj si ambasadori që asnjë propagandë, asnjë marketing, asnjë përpjekje për të ndryshuar imazhin nuk funksionon, në rast se nuk ndryshohet përmbajtja. Në ndryshimin e përmbajtjes, historitë negative kanë një impakt shumë më të fortë, sesa historitë pozitive. Mund të krijojmë shumë histori pozitive suksesi në marrëdhëniet midis sipërmarrjes dhe administratës së shtetit shqiptar. Mjafton një histori negative, për të përmbysur një punë të tërë dhe për ta kthyer në zero të gjithë përpjekjen për të pasur një imazh, si ai që na duhet, që të kemi sa më shumë gjermanë në Shqipëri dhe sigurisht investitorë të tjerë. Por unë e vë theksin gjithmonë tek Gjermania, sepse jam i bindur që investimet gjermane nuk sjellin vetëm para, nuk sjellin vetëm punësim, nuk sjellin vetëm rritje ekonomike, por sjellin një kulturë të të bërit biznes dhe një kulturë të të punuarit, për të cilën ne kemi shumë nevojë, pa pasur iluzionin se do të bëhemi ndonjëherë gjermanë, se këtë nuk e realizojmë dot, as ne dhe as stër-stër-stërnipërit tanë. Ne jemi shqiptarë dhe do mbetemi shqiptarë me të mirat dhe me të këqijat tona. Por, sigurisht duke u përpjekur gjithmonë e më shumë që të korrigjojmë të metat me ndihëm e shembujve të marrë nga kultura e të bërit biznes dhe e punës së gjermanëve.

Ashtu sikundër, është fakt që në çdo kompani gjermane, shqiptarët që punësohen punojnë si gjermanë. Ashtu sikundër, është fakt që dhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani dhe që punojnë në Gjermani nuk dallojnë nga gjermanët në mënyrën se si punojnë. Një provë e thjeshtë e faktit që është sistemi që i bën njerëzit dhe nuk janë njerëzit që bëjnë sistemin. Është sistemi që i korrupton njerëzit dhe nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin. Në sistemin gjerman nuk ka pothuajse fare korrupsion, për arsyen e thjeshtë se nuk ka hapësira në sistem për të bërë korrupsion. Ashtu sikundër shqiptarët në Gjermani nuk mund të korruptohen, ashtu gjermanët mund të korruptohen në Shqipëri në qoftë se bien në ndonjë sistem nga ata që vetëm ne shqiptarët dimë të ndërtojmë.

Pas viteve `90-të Gjermania praktikisht ka investuar mbi 1 miliard euro për të mbështetur Shqipërinë. Është donatori më i madh bilateral në fushën e energjisë dhe të ujit në Shqipëri me një portofol financimesh që shkon në 317 milionë euro. Por jo vetëm kaq, edhe në financimet gjermane të energjisë dhe të ujit ka përsëri një ndryshim po t’i krahasojmë me financimet e tjera të huaja në energji dhe në ujë. Aty ku financojnë gjermanët sistemet funksionojnë në mënyrë pothuajse të përsosur. Aty ku financojnë të tjerët sistemet nuk funksionojnë në mënyrë aq të përsosur. Arsyeja është shumë e thjeshtë; Gjermanët nuk financojnë vetëm për tulla, për llaç dhe për ngrehina, por edhe për rritjen e kapitalit njerëzor, dhe për rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore. Shembulli më fantastik i kësaj që po them është ujësjellësi i Korçës, ku jo vetëm ka ujë 24 orë pa as më të voglën ndërprerje, por ku ka një marrëdhënie të shkëlqyer mes kompanisë shqiptare, lokale dhe konsumatorit, për arsyen e thjeshtë sepse investimi që ka bërë KFV-ja në këtë sistem ujësjellësi ka qenë qoftë për infrastrukturën, qoftë për rritjen e kapaciteteve njerëzore. Tek rritja e kapaciteteve njerëzore është një tjetër arsye e fortë pse duhet, duam dhe do të bëjmë çmos të stimulojmë sa më shumë sipërmarrjet gjermane në Shqipëri.

Unë nuk di gjermanisht, por askush nuk e përkthente dot tamam në shqip nga gjermano-folësit këtë që po ju them: “Wichtig, gute Freunde sind Menschen, die uns ganz genau kennen und trotzdem zu uns altern.”

Gjermanët e morën vesh. Shqiptarët thjesht duhet të dinë që ishte diçka pozitive, sepse “miqtë e vërtetë janë ata që na njohin mirë, që njohin mirë dhe defektet tona dhe megjithatë na qëndrojnë shumë fort në krahë”, thoshte një shkrimtare e famshme austriake. I referohem këtij fakti, sepse më besoni është fat për ne që të jemi sot në këtë marrëdhënie të shkëlqyer me Gjermaninë. Është vërtet privilegj që ndiejmë mbështetjen reale dhe dëshirën reale të Gjermanisë për ta parë Shqipërinë të progresojë, por jo vetëm Shqipërinë edhe rajonin, por nuk është e lehtë të jesh mik me gjermanët.

Unë besoj që ambasadori nuk e mohon që jemi shumë miq, por nuk është e lehtë të kesh mik ambasadorin e Gjermanisë, sepse këta shikojnë çdo defekt dhe për këta kur ka një defekt, ka gjithmonë një dramë që duhet të marrë fund sado i vogël të jetë defekti. Kjo e ka bërë Gjermaninë, Gjermani, dhe sportiviteti me defektet e kanë bërë Shqipërinë, Shqipëri.

Dua ta risjell në vëmendje atë që tha ambasadori lidhur me vazhdimin e një procesi historik për shqiptarët dhe për gjithë rajonin që ka nisur gushtin e kaluar në Berlin, me iniciativën e Gjermanisë, të Kancelares Merkel, për të çelur një fazë të re bashkëpunimi mes Europës dhe Ballkanit. Një fazë të re bashkëpunimi që në thelb ka vetëdijen e Europës, por në radhë të parë të Gjermanisë, për të mbështetur një rajon, ku pavarësisht ecurisë individuale të çdo vendi në procesin e integrimit, Europa nuk duhet ta harrojë që është një rajon europianësh. E nëse ata janë BE ne jemi E, domethënë Europë. Rruga drejt B-së do të jetë e gjatë, por ndërkohë BE-ja duhet dhe ky është vullneti i lidershipit të Gjermanisë që ta mbështesë Ballkanin, dhe t’i mbështesë vendet e Ballkanit që sa më shpejt të bëhen BE dhe të mos ngelen vetëm E.

Në këtë aspekt jam shumë i lumtur që në këtë hapësirë, për pak ditë ne do të jemi përsëri këtu për të adresuar problematikën dhe potencialin e një marrëdhënie më të ngushtë mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në fushën e biznesit. Një aktivitet që, zhvillohet në një hapësirë që është shembull i mundësisë për të bashkëpunuar dhe i mundësisë për të bërë biznes në Shqipëri.

Duke falenderuar me gjithë zemër “dhëndrin” dhe duke qenë i bindur që eksperienca e tij shqiptare do të jetë një eksperiencë jashtëzakonisht e pasur, jo për disiplinën, disiplinën duhet ta keni vetë, por për kënaqësinë e jetës që ne e kemi më të madhe se ju, unë jam i bindur që me z. Ulmer me “Tirana Biznes Park”, me ndihmën e qeverisë gjermane dhe ambasadës së Gjermanisë, ne do të mund të zbulojmë edhe potenciale të tjera bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, bashkisë së Tiranës dhe kësaj qendre që për ne është edhe qendër e dijes. E dijes për të bërë biznes, e dijes për të zgjeruar hapësirat e mundësive në fushën e sipërmarrjes, e dijes që duhet t’u transferojmë më të rinjve.

Kemi filluar të flasim për këtë. Qeveria shqiptare do të mbështesë çdo ide, çdo projekt brenda këtij projekti që do të synojë të zgjerojë kapacitetin e këtij parku për të transferuar dije dhe për të rritur kapacitetet profesionale të sipërmarrjes shqiptare dhe të atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme në një sipërmarrje. Kështu që, shumë faleminderit me shumë mirënjohje dhe ndjesë për gjithë aventurën e gjatë që iu është dashur të përjetoni për të ardhur deri këtu, por një këshillë si shqiptar, në fundit të fundit mos e merrni kaq seriozisht jetën, gëzoni pjesën që u bë dhe qeshni me pjesën ku hoqët gjithë ato mundime. Ato janë pas, përpara më e mira do të vijë.

Shumë faleminderit!

KOMENTE