English

Furrtaret. Buburreci gjerman. Çfarë duhet të dimë dhe si të mbrohemi nga to

DISA FAKTE RRETH FURRTAREVE

- Furrtaret kanë një shkallë të lartë riprodhimi

Brenda një viti buburreci femër dhe pasardhësit e saj mund të prodhojnë shumë buburreca. Për të parandaluar një rritje të popullsisë së buburrecve duhet të kryhen shërbime të shpeshta monitorimi dhe dezinsektimi (kurthe monitorimi, trajtimi me insekticide).

- Preferojnë ambiente të ngrohta dhe me lagështi

Preferojnë temperaturë 29°-35 °C dhe lagështi 90-95%, edhe pse mund të jetojnë mirë në ambiente me temperaturë dhe lagështi normale. Në një ambient të caktuar buburrecat përqëndrohen kryesisht në vende ku temperatura apo lagështia është e lartë, si nën lavaman, rreth tubacioneve të ujit, mbrapa frigoriferit, pajisjeve ngrohëse etj.

- Pjesën më të madhe të jetës e kalojnë të fshehur dhe të mbrojtur

Zakonisht qëndrojnë të fshehur brenda të çarave të mureve, tavanëve, brenda pajisjeve të ndryshme, në piletat e tualetit, rreth tubacioneve të ujit, etj duke i mbajtur antenat jashtë.

- Jetojnë në koloni

Jetesa e tyre në koloni ndihmon në kontrollin dhe eleminimin e tyre. Jashtëqitjet e tyre në trajtë kafe të bluar ose si vija (kur ka burime ujore) janë shënja dalluese për prezencën e tyre, në ambientet e infestuara.

- Buburrecat gjerman i vendosin vëzët e tyre brenda një kapsule (ooteka)

Ata e mbartin ootekën me vete derisa të çelin vezët. Gjatë kësaj kohe femrat qëndrojnë të fshehura dhe janë më pak aktive. Për këtë arsye, është e rëndësishme të bëhet trajtmi në brendësi i të çarave dhe boshllëqeve si dhe të kryhen trajtime në mënyrë të vazhdueshme në varësi të problemit. Shumica e insekticideve në trajtë lëngu ose pluhuri nuk kanë aftësi për të depërtuar kapsulën e tyre, e cila do të të çelë disa ditë më vonë duke ritheksuar rëndësinë e përsëritjes së dezinsektimit me insekticide në trajtë të lëngët ose pluhur.

- Buburrecat gjerman përhapen me lehtësi në zona të reja

Buburrecat e vjetër kanë më shumë mundësi për tu përhapur, duke u ndjekur nga meshkujt dhe femrat e rritura pasi kanë lëshuar kapsulën e vezëve, ndërsa individët e rinj (larvat/nimfat) janë më pak të lëvizshëm.

- Buburrecat gjerman kanë aftësi ti përshtaten insekticideve (bëhen rezistentë)

Disa insekticide në trajtë të lëngët apo pluhur kanë efekt repellent (largues) për buburrecat, duke i larguar ata nga zona e trajtuar pa i vrarë. Nga ana tjetër si rezultat i përdorimit të shpeshtë të insekticideve në trajtë të lëngët dhe/ose pluhur buburrecat kanë shfaqur rezistencë ndaj tyre, pasi kanë një aftësi mahnitëse për t'u përshtatur. Për të shmangur këtë dukuri rekomandohet që të ketë një qarkullim të klasave të insekticideve të përdorura për trajtimin e buburecit gjerman. Klasa e insekticideve në trajtë xheli është zbulimi më i madh që është bërë në luftën kundër buburrecit gjerman. Kjo klasë insekticidesh i siguron buburrecave dozën letale (vdekjeprurrëse) në një vakt të vetëm. Koha nga marrja e insekticidit deri në ngordhjen e tij, i mundëson buburrecit arritjen e folesë, ku dhe ngordh. Buburreci i ngordhur shërben si ushqim për buburrecat e tjerë, duke bërë të mundur përcjelljen e insekticidit në trajtë xheli dhe te buburrecat e tjerë, fenomen i njohur si “kaskada” ose “domino”.

KOMENTE