English

Zv/Guvernatori lëshon alarmin: Krizën e paralajmëruam vjet, pritet përkeqësim

Tiranë, 31 mars NOA -Â Drejtuesit e Bankës së Shqipërisë parashikojnë një përkeqësim të situatës ekonomike ndërsa njëkohësisht shprehin optimizëm se disa masa të marra do të ndikojnë deri diku për zbutjen e krizës në Shqipëri.

Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë Prof. Assoc. Dr. Fatos Ibrahimi duke folur mbi gjendjen ekonomike-financiare në vend aktualisht dhe duke e lidhur me situatën e vitit pararendës, flet edhe për parashikimet në periudhën në vazhdim që duken të zymta.

Dr. Ibrahimi thekson faktin se që në mesin e vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë e ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ndikimin indirekt të krizës financiare, veçanërisht lidhur me ecurinë e ekonomisë reale.

"Ne kemi treguar rreziqet ndaj rritjes ekonomike, lidhur me një rënie potenciale në kredi nga sektori bankar, një rritje të deficitit tregtar, për shkak të rënies së eksporteve, rënie të ndjeshme të remitancave, për shkak të perceptimit të rënies së pasurisë dhe rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara.

Po ashtu, dr Ibrahimi kujtoi edhe se "ne kemi deklaruar se gjatë gjithë kësaj kohe ka shumë nevojë për një politikë monetare të matur dhe politikë fiskale të përgjegjshme".

Këtu ai përmendi disa masa që ka marrë BSH gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, që konsistonin në forcimin e mbikëqyrjes ndaj zhvillimeve të tregut financiar dhe veçanërisht të sektorit bankar.

Dr. Ibrahimi tha edhe se janë publikuar deklarata që analizonin elementet e krizës dhe efektet e saj potenciale mbi sektorin bankar shqiptar dhe mbi ekonominë shqiptare;

Zv/Guvernatori thotë se ndikimi i krizës ndërkombëtare filloi të materializohej në tremujorin e fundit të vitit, siç tregohet edhe në zhvillimet e bilancit të pagesave dhe në bilancin e sektorit bankar.

Në të vërtetë, një rënie në kërkesën e jashtme dhe një rritje në normat e papunësisë në disa nga vendet fqinjë të BE-së, - tha Ibrahimi, - shkaktuan një rënie në remitancat e emigrantëve dhe në eksporte.

Kreditë dhe depozitat

Dr. Ibrahimi kujton dhe faktin se ndjeshmëria e publikut ndaj zhvillimeve të krizës ndërkombëtare, rriti pasigurinë për kursimet e tyre në sektorin bankar dhe shkaktoi disa tërheqje depozitash.

Megjithatë, dr. Ibrahimi shton se për shkak të niveleve të kënaqshme të kapitalizimit dhe likuiditetit, sektori bankar i përballoi më së miri këto zhvillime.

Por këtu ai evidenton se rritja vjetore e aktiveve të sektorit bankar u ngadalësua në 12 për qind, krahasuar me 19 për qind në vitin e kaluar.

Një tjetër shqetësim që ngre z.Ibrahimi është se "krahas një rënieje në ritmin e rritjes të huadhënies, edhe cilësia e kredive u përkeqësua dhe huatë e këqija arritën në 6.6 për qind të totalit të kredive".

Ndërkohë, ai pohon se rezultati financiar i sektorit bankar për vitin 2008 ka qenë pozitiv, por më i ulët se në vitin e mëparshëm, për shkak të një ngadalësimi në veprimtaritë fitimprurëse.

Rritja ekonomike

Dr. Ibrahimi thotë se rritja ekonomike këtë vit, do të jetë pozitive, "por pothuajse sa gjysma e asaj që ishte në vitin 2008".

Ai sqaron se stimuli fiskal i planifikuar do të jetë më vështirë të arrihet, për shkak të vështirësive potencialisht më të mëdha në realizimin e të ardhurave dhe në sigurimin e burimeve të tjera për financimin e shpenzimeve.

"Kështu, mund të ketë nevojë për t'i dhënë përparësi shpenzimeve fiskale gjatë vitit. Ndërmjetësimi financiar i sektorit bankar, ndaj sektorit publik dhe atij privat, do të jetë më i ulët dhe potencialisht me më shumë kosto, për shkak të faktorëve të kërkesës dhe të ofertës", - thotë dr. Ibrahimi.

Ai parashikon edhe se "për shkak të kushteve financiare më të shtrënguara, bizneset dhe individët pritet të hasin një proces përshtatjeje të dhimbshëm, por të nevojshëm në periudhë afatshkurtër".

Por këtu shton se kjo mund të jetë e dobishme në drejtim të rritjes së eficiencës në periudhë afatmesme.

Sakaq, Banka e Shqipërisë, parasheh që rentabiliteti i sektorit bankar të jetë më i ulët gjatë këtij viti, për shkak të volumit më të ulët të veprimtarive fitimprurëse (ofertë/kërkesë më të ulët për kredi), të kostos të financimit mjaft më të lartë dhe të rritjes të fondeve rezervë për mbulimin e huave të këqija.

Por, Bsh thotë se kjo nuk pritet të ketë ndonjë efekt thelbësor mbi treguesit e likuiditetit dhe të mjaftueshmërisë të kapitalit.

Duke u ndalur në krizën financiare që po ndikon çdo vend, dr. Ibrahimi tha se madhësia e ndikimit do të varet nga kohëzgjatja e krizës ndërkombëtare dhe gjendja e ekonomisë së vendit.

Kurse shpreh optimizëm, se "gjendja e ekonomisë shqiptare dhe e sistemit tonë financiar është e ekuilibruar dhe e aftë t'i rezistojë ndikimit të kësaj krize ndërkombëtare".

e.l/NOA

Â

KOMENTE