English

Dënuar me 3 vjet burg e 40 mijë USD gjobë, kapet pasi del nga burgu grek

Gjirokastër, 12 Korrik NOA - Dhe telashet nuk kanë të sosur për një 31-vjeçar nga Kuçova, i cili me të përfunduar ditët e errëta të burgut në Greqi, ka përfunduar në prangat e policisë shqiptare, që nesër, pritet ta dërgojë në një tjetër qeli, këtë radhë në vendlindje.

Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA, informon se është arrestuar 31-vjeçari Gramoz Shkurti, lindur dhe banues në fshatin Goraj - Kuçovë, i dënuar me 3 vjet burg për veprën penale të Kultivimit të bimëve narkotike në shtetin grek.

Arrestimi i Shkurtit u bë mesditën e së Dielës, nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Zyrtarisht, policia konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA se Gramoz Shkurti që ju shihni në këtë foto të realizuar pak minuta pas arrestimit, u bë për arsye se ishte i shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër.

Kërkimi i Shkurtit ishte shpallur që më 7 dhjetor të vitit 2005, pasi Gjykata e Rrethit Gjirokastër me vendim nr 91, datë 21 tetor 2005, e ka dënuar me tre vjet burg dhe 4.000.000 (katër milionë) lekë të reja gjobë.

Dy dënimet për Shkurtin, atëherë 27 vjeçar, u dhanë në mungesë, për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, kundrejt fitimit.

Nga hetimet e kryera, prokuroria provoi se Gramoz Shkurti, në vitin 2005, ka ndihmuar disa shtetas nga Kuçova dhe Berati për të kaluar kufirin për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit nga 700 Euro deri në 1000 Euro për çdo hallexhi.

Që prej dhjetorit të vitit 2005, i riu Shkurti ndodhej në Greqi, duke iu fshehur drejtësisë shqiptare.

Por nga shiu duket se ra në breshër, pasi pak muaj më vonë, në vitin 2006, ai është arrestuar nga policia greke dhe më tej është dënuar pasi atje ku punonte, (në një fshat afër Patrës) u kap duke kultivuar një sasi rrënjë bimësh narkotike Kanabis Satiava.

Për këtë vepër penale, Gramoz Shkurti, u dënua nga drejtësia greke, tre vjet më parë, me 36 muaj burgim.

Vetëm para 24 orësh, Shkurti e përfundoi dënimin e dhënë nga drejtësia greke. Por kjo nuk do të thoshte aspak se ai do të fitonte lirinë, sikundër ndodh me thuajse të gjithë të dënuarit që mbarojnë dënimet dhe dalin jashtë qelive.

Për Gramozin "e gjorë", ishte paracaktuar se do të hidhej nga qelia në qeli.

Në orët e mbrëmjes së shtunë, ai është riatdhesuar nga autoritetet greke, dhe sot ka mbërritur në tokën amë përmes vendkalimit kufitar në Kakavijë.

Duke qenë se policia greke nuk e shoqëroi deri tek autoritetet shqiptare, Shkurti mendoi se do t'ia hidhte në vendlindje.

Por gjatë verifikimit në sistemin TIMS, që u bëhet shtetasve deportivë (të riatdhesuar) në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë, nga ana e Policisë Kufitare, ka rezultuar se Shkurti ishte person i shpallur në kërkim.

Menjëherë ai është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ku është bërë dhe ndalimi i tij në bazë të urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

v.d/NOA

Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore

KOMENTE