Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ekonomia reale e Shqipërisë, një mister më vete
English

Ekonomia reale e Shqipërisë, një mister më vete

Ekonomia shqiptare ka regjistruar një ecuri krahasimisht pozitive. Të dhënat mbi ekonominë reale janë të pakta. Banka e Shqipërisë gjykon se gjashtëmujori i parë i vitit është karakterizuar nga një rritje pozitive ekonomike

Nga Ardian Fullani

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i mbledhur sot në datën 29 korrik 2009, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomiko - financiare brenda dhe jashtë vendit si dhe duke analizuar me kujdes treguesit e besimit, pritshmëritë e sistemit bankar dhe parashikimet e specialistëve të Bankës së Shqipërisë për zhvillimet inflacioniste në tetë tremujorët e ardhshëm, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, atë për marrëveshjet e riblerjes me maturim njëjavor në nivelin 5.75 për qind.

Argumentet që mbështesin këtë vendim të Këshillit Mbikëqyrës janë si më poshtë:

Zhvillimet ekonomike të gjashtëmujorit të parë kanë shtruar disa sfida të forta për ekonominë shqiptare. Kriza botërore ka ndikuar ekonominë tonë, duke lëkundur faktorët dhe ekuilibrat të cilët kanë mbështetur rritjen ekonomike, duke testuar mekanizmat e imunitetit dhe të vetërregullimit të ekonomisë, si dhe duke ngritur disa pyetje komplekse për agjentët ekonomikë dhe politikat makroekonomike.

Recesioni ekonomik që ka përfshirë pjesën më të madhe të partnerëve tanë tregtarë është shoqëruar me uljen e shkëmbimeve tregtare dhe të të hyrave valutore. Rritja e pasigurisë në tregjet financiare globale ka ndikuar në lëkundjen e besimit në sistemin financiar, duke ushtruar presion për shtrëngimin e kushteve financiare në Shqipëri.

Të dy këta faktorë janë reflektuar në uljen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, duke sjellë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe duke ushtruar presion mbi treguesit fiskalë të të ardhurave buxhetore dhe të deficitit buxhetor. Nga ana tjetër, pakësimi i flukseve hyrëse valutore është shoqëruar me përkeqësimin e treguesve të bilancit të pagesave dhe lindjen e presioneve nënçmuese mbi kursin e këmbimit, duke nënvizuar rolin e qëndrueshmërisë së llogarisë korente në ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit si dhe nevojën e marrjes së masave për garantimin e saj.

Ambienti ekonomik botëror është karakterizuar nga thellimi i mëtejshëm i krizës ekonomike dhe financiare. Rënia e konsumit dhe e investimeve, në prani të niveleve të larta të borxhit publik e privat si dhe të imbalancave të theksuara makroekonomike, ka bërë që ekonomia botërore të përjetojë rënien më të fortë ekonomike të 50 viteve të fundit. Vendet e zhvilluara, SHBA, Eurozona, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia, kanë ndjekur politika monetare e fiskale lehtësuese, të cilat kanë synuar frenimin e rënies ekonomike dhe përmirësimin e situatës në tregjet financiare dhe të kapitaleve. Nën ndikimin e tyre, të dhënat më të fundit sinjalizojnë për shenja përmirësimi relativ të disa treguesve makroekonomikë. Tensionet e vërejtura në periudhën e mëparshme janë ulur dhe treguesit kryesorë financiarë kanë shenja ripërtëritjeje gjatë muajve të fundit. Ndërkohë, normat e inflacionit botëror kanë ardhur në rënie si pasojë e çmimeve të ulëta të lëndëve të para dhe e shfrytëzimit të ulët të kapaciteteve prodhuese, në kushtet e një kërkese agregate të ulët dhe papunësie në rritje.

Reduktimi i aktivitetit ekonomik në nivel botëror është shoqëruar nga tkurrja e tregtisë botërore, nga shtrëngimi i kushteve financiare dhe nga rënia e besimit të agjentëve ekonomikë. Ndikimi direkt mbi vendet në zhvillim, si Shqipëria, është rënia e kërkesës për eksportet e tyre, rënia e investimeve të huaja direkte dhe shtrëngimi i kushteve të huamarrjes në tregjet botërore. Kjo ka bërë që këto vende të preken gjithnjë e më shumë nga kriza. Sipas FMN-së, vendet në zhvillim të Evropës Lindore parashikohet të kenë një kontraktim prej rreth 5 për qind gjatë këtij viti.

Në këtë ambient të pafavorshëm, ekonomia shqiptare ka regjistruar një ecuri krahasimisht pozitive. Të dhënat mbi ekonominë reale janë të pakta. Banka e Shqipërisë gjykon se gjashtëmujori i parë i vitit është karakterizuar nga një rritje pozitive ekonomike. Nga ana tjetër, rritja e ulët e kredisë dhe e ofertës monetare, treguesit e përkeqësuar të besimit të biznesit dhe të konsumatorit, ngadalësimi i të ardhurave buxhetore dhe treguesve specifikë të sektorëve të caktuar të ekonomisë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike është zvogëluar. Është ende herët të konkludojmë mbi ecurinë ekonomike gjatë vitit 2009 e në vazhdim. Banka e Shqipërisë gjykon se ekzistojnë premisat për të ruajtur ritmet pozitive të rritjes ekonomike në vend, ndër të cilat stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit mbeten primarë.

Aktiviteti ekonomik në vend është zhvilluar në kushtet e një stabiliteti të kënaqshëm të çmimeve të konsumit. Ai është mbështetur nga tendenca zbutëse e kushteve monetare si dhe nga një politikë fiskale ekspansioniste gjatë kësaj periudhe. Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në muajin janar dhe ndërmori operacione injektuese likuiditeti, duke shtuar sasinë e tij në treg. Njëkohësisht, kemi zgjatur horizontin e maturimit të operacioneve injektuese për të zbutur pjerrësinë në rritje të kurbës së normave të interesit si dhe kemi zgjeruar bazën e kolateralit të pranuar për të lehtësuar aksesin e institucioneve financiare në fonde likuide. Këto veprime të Bankës së Shqipërisë kanë ndihmuar në kontrollin e nivelit të normave të interesit. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë më efektive në kontrollin e normave afatshkurtra të interesit. Ndërkohë që normat afatgjata të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kredive kanë patur tendenca rritëse, si pasojë e kërkesës së qeverisë për financim dhe ndjeshmërisë së rritur të sistemit bankar ndaj treguesve të likuiditetit. Paralelisht me këtë, tendencat nënçmuese të kursit të këmbimit kanë plotësuar kuadrin e kushteve më të lehtësuara monetare, duke favorizuar eksportet dhe përmirësimin e deficitit tregtar. Megjithatë, ashtu si e kemi theksuar vazhdimisht në deklaratat tona, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme në administrimin e stimulit monetar, duke synuar në radhë të parë përmbushjen e objektivit të saj për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, nëpërmjet ruajtjes së ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Inflacioni vjetor në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009 rezultoi mesatarisht 2.0 për qind, duke shënuar rënie në krahasim me normat e inflacionit të vërejtura gjatë vitit të kaluar por duke qëndruar brenda nivelit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Normat e ulëta të inflacionit në gjysmën e parë të këtij viti janë shkaktuar nga dobësimi i presioneve inflacioniste nga ana e kërkesës dhe ofertës, si pasojë e rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar dhe ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në vend. Stabilizimi i presioneve inflacioniste ilustrohet qartë nga nivelet e ulëta të inflacionit bazë dhe të atij të mallrave të patregtueshëm gjatë kësaj periudhe, duke u reflektuar edhe në pritje të kontrolluara të agjentëve ekonomikë të tregut. Ndërkohë, pas një periudhe të gjatë disinflacioniste dhe duke konfirmuar parashikimet e Bankës së Shqipërisë, ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit shfaqi prirje të lehtë rritëse, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009. Inflacioni vjetor shënoi normën 2.3 për qind në muajin qershor, duke reflektuar një përcjellje më të plotë të efektit të nënçmimit të kursit të këmbimit mbi çmimet e mallrave të konsumit. Banka e Shqipërisë gjykon se ky faktor mund të luajë një rol më të madh në të ardhmen në përcaktimin e këtyre çmimeve, duke përbërë premisa për goditje afatshkurtra dhe afatmesme mbi nivelin e çmimeve.

Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga norma të ulëta kursimi publik dhe privat edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, duke u shoqëruar me zgjerimin e mëtejshëm të deficitit të llogarisë korente dhe duke rritur presionet mbi ecurinë e kursit të këmbimit. Rënia e njëkohshme e eksporteve dhe e importeve, respektivisht me 19.6 dhe 6.3 për qind në nivel vjetor, bëri që deficiti tregtar të ngushtohej me 1.3 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit. Megjithatë, ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 8 për qind gjatë tremujorit të parë si dhe përkeqësimi i llogarisë së shërbimeve, bënë që deficiti i llogarisë korente të shënonte një rritje vjetore prej 5 pikësh përqindjeje të PBB-së, gjatë këtij tremujori. Megjithëse ky deficit shkon për të financuar në një masë të madhe mallra importi kapitalë dhe të ndërmjetëm, qëndrueshmëria e tij meriton një vëmendje më të madhe. Veçanërisht shqetësuese është shkalla e ulët e mbulimit të eksporteve ndaj importeve, e cila sinjalizon për probleme strukturore të këtij deficiti si pasojë e konkurrueshmërisë ende të ulët të ekonomisë tonë.

Në këtë drejtim, një vëmendje më e madhe i duhet kushtuar kontrollit të kostove dhe rritjes së produktivitetit në ekonomi, nëpërmjet rritjes së investimeve në edukim dhe tërheqjes e aplikimit të teknologjive më të përparuara në prodhim. Gjithashtu, në një periudhë afatmesme, politikat makroekonomike duhet të jenë të vëmendshme ndaj nivelit të kursimeve publike e private, për të kontrolluar nevojën e përdorimit të burimeve të huaja të financimit.

Politika fiskale gjatë gjysmës së parë të vitit 2009 ka patur një natyrë ekspansioniste, duke u karakterizuar nga një rritje e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor. Të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje më të moderuar, duke reflektuar pjesërisht edhe efektet e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik. Megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për gjithë vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë do të vlerësonte marrjen e masave për kontrollin brenda niveleve të planifikuara të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë. Ruajtja e parametrave të planifikuar buxhetorë do të ketë një ndikim pozitiv në stabilitetin makroekonomik, nëpërmjet kontrollit të stimulit fiskal mbi kërkesën agregate dhe uljes së presionit mbi tregjet monetare.

Kërkesa për mjete monetare ka njohur rritje gjatë muajve të fundit. Rritja e ofertës monetare me rreth 8 për qind, është bazuar në krijimin e parasë në ekonomi nga sektori publik si dhe nga huamarrja e sektorit privat, kryesisht në lekë. Portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Pakësimi i burimit të fondeve të bankave dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë. Megjithatë, kreditimi i ekonomisë ka njohur rritje përgjatë muajve të parë të vitit ndërkohë që sistemi bankar ka sinjalizuar mosshtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të kredisë gjatë tremujorit të tretë e në vazhdim. Kërkesa për kredi në lekë e sektorit privat është përballur me një gatishmëri në rritje të bankave, në sajë të stabilizimit të situatës së likuiditetit dhe lehtësimit të kushteve monetare në fillim të vitit 2009. Kufizimi i ofertës së parasë në valutë ka rezultuar në kontraktimin e përbërësit valutor të strukturës së parasë edhe në kahun e kërkesës për para, duke sjellë zhvendosjen e strukturës së ofertës monetare drejt lekut.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, situata në tregun financiar u ndikua nga rritja e pasigurisë dhe rivlerësimi i primeve të rrezikut që shoqëruan mungesën e likuiditetit si pasojë e rrjedhjeve të depozitave dhe uljes së aktivitetit kreditues. Ndërhyrja e vazhdueshme e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë, e kombinuar me masa që synonin qetësimin e tregut dhe nxitjen e aktivitetit në tregun ndërbankar, si dhe ruajtja e treguesve të shëndoshë të sistemit financiar, kanë bërë që fundi i periudhës të shënojë stabilizim të kushteve të likuiditetit dhe të normave të interesit. Këto të fundit kanë treguar sjellje të ndryshme sipas maturitetit. Interesat afatshkurtër në tregun e parasë kanë pësuar ulje si pasojë e reduktimit të normës bazë të interesit dhe përmirësimit të kushteve të likuiditetit. Interesat afatgjatë janë rritur në kushtet e kërkesës së lartë për fonde afatgjata dhe rritjes së primit të rrezikut. Rritja e interesave në tregun primar është përcjellë tek interesat për kreditë e reja në lekë, për maturitete mbi një vit, e ndikuar edhe nga një prirje e përgjithshme e shtrëngimit të aktivitetit kredidhënës.

***

Në lidhje me të ardhmen afatshkurtër, Banka e Shqipërisë gjykon se problemet e likuiditetit, të balancave të brendshme dhe të jashtme të ekonomisë dhe ato të shëndetit financiar përbëjnë sfidat direkte mbi stabilitetin makroekonomik dhe ecurinë afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Trajtimi i tyre duhet të orientohet në vazhdimësi nga nevoja për respektimin e ekuilibrave të nevojshëm makroekonomikë të vendit. Qëndrueshmëria e nivelit të çmimeve, zbutja e luhatshmërisë së treguesve monetarë, një sistem financiar i shëndetshëm dhe eficient, si dhe bilance të shëndosha të sektorit publik dhe atij privat, ndikojnë në uljen e primeve të rrezikut në ekonomi, në zgjatjen e horizonteve të investimit dhe në shpërndarjen më eficiente të fondeve në ekonomi. Gjithashtu, ato i hapin rrugë tërheqjes së investimeve të huaja dhe ulin koston e huamarrjes në tregjet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, ato japin një kontribut të pazëvendësueshëm në rritjen afatgjatë të vendit.

Banka e Shqipërisë gjykon si jetik thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore të ekonomisë, të cilat përveç të tjerash duhet t'i paraprijnë tendencave të ardhshme të zhvillimit. Kështu, investimi në infrastrukturë duhet të mbetet një prioritet i përdorimit të fondeve të ekonomisë. Po kështu, zhvillimi e konsolidimi i mëtejshëm i segmenteve të tregut financiar, plotësimi dhe zgjerimi i sistemit të pensioneve në favor të elementeve të iniciativës private, investimi me prioritet në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë meritojnë vëmendjen e të gjithë aktorëve ekonomikë. Gjithashtu, ne gjykojmë se ka ardhur koha që sektori privat të reflektojë stadin e ri të zhvillimit të vendit nëpërmjet rritjes dhe fuqizimit të aftësive të tij menaxhuese. Kjo kërkon administrimin më të mirë të rrezikut të biznesit dhe të atij financiar, duke nënkuptuar edhe një bashkëpunim më të ngushtë me agjentët e specializuar të tregut, zgjatjen e horizontit të planeve të biznesit dhe orientimin më të mirë të tyre me realitetin global dhe prioritetet e zhvillimit të vendit.

Në të njëjtën linjë, sistemi financiar duhet t'i përgjigjet me më shumë përkushtim këtyre kërkesave, duke rritur transparencën dhe eficiencën e produkteve të tij. Tashmë që sistemi bankar ka kapërcyer momentet delikate me të cilat u përball në fundin e vitit 2008, duhet të rrisë kontributin e tij në financimin e aktivitetit të sektorit privat të ekonomisë. Megjithatë, përfitoj nga ky rast që edhe një herë të sjell në vëmendjen e këtij të fundit se e gjithë veprimtaria e tij do të jetë subjekt i pandërprerë i mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë dhe analizave "stress - test" të vazhdueshme. Stabiliteti financiar i sistemit bankar është një objektiv tjetër madhor për të cilin Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar.

Në përfundim dëshiroj të theksoj se mbajtja e pandryshuar e normës së interesit reflekton kujdesin e Bankës së Shqipërisë për ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Konsolidimi i këtyre ekuilibrave në të ardhmen, nëpërmjet stabilizimit të pritjeve të agjentëve ekonomikë, forcimit të stabilitetit financiar të vendit dhe ribalancimit të pozicionit të jashtëm valutor të vendit do të krijojë më shumë hapësirë për rishikimin e politikës monetare. Arritja e tyre do të kërkojë rishikimin e planeve të biznesit apo korrektimin e sjelljes së agjentëve ekonomikë, në përputhje me realitetet e reja në ekonominë shqiptare dhe atë globale.

Vendimi i sotëm përcjell stimuj të duhur konsumi, investime dhe kursim në ekonomi, në përputhje me stabilitetin afatmesëm të çmimeve. Në këtë kontekst, ai i shërben rritjes së qëndrueshme afatgjatë të vendit.

(*) Fjala mbajtur sot, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

KOMENTE