Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dilema liderësh
English

Dilema liderësh

"Pavarësisht sigurisë së paqenë, për të cilën Ilir Meta shqyhet në ekrane bashkë me të tijtë, ai dhe të tijtë nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë se çdo të ndodhë me forcën e tij politike, me këtë koalicion, me këtë mblesëri në të ardhmen. Në këtë mënyrë, ka gjasa që ai të jetë fare pranë vrasjes së ndërgjegjes për tradhtinë historike që i ka bërë në radhë të parë të shkuarës së tij, fjalimeve të tij, vizionit, kauzave dhe karrierës së tij dhe pastaj shkulmit socialist të integrimit e më gjerë"

Nga Artan Mullaj*

Duket se Ilir Meta ka fituar imunitet në tradhtinë e përfolur që ai i bëri së majtës, dhe aq i bën tani për pëshpërimat. . Edhe pse aktor i keq si gjithë liderët tanë të tranzicionit, buzëqeshja në ekrane, deklaratat e urta prej krokodili dhe qetësia e vrarë e sigurisë tregon se bindja e tij për të shkatërruar Edi Ramën është e sinqertë.

Si gjithë çiftet që martohen me mblesëri, të dy me Sali Berishën kujdesen hapur dhe pa u shtirur për ngazëllimin që ju fal shpresa se dashuria mes tyre, nëse nuk ekziston, do të lindë patjetër në të ardhmen.

Dhe kjo gjë, ky shpërthim i pabërë dashurie të re, mes pabesisë kolektive për vetveten, ka gjasa të ndodhë vërtet.

Duket se te dy e kanë kuptuar domosdoshmërinë e sakrificave të mëdha që duhet të bëjnë për të siguruar një koalicion të shëndetshëm, të suksesshëm, jo për integrimin evropian të vendit, që në kufijtë e sarkazmës prononcojnë në publik, por për të sfiduar pa mëshirë kundërshtarin e tyre, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Nëse nuk ishte histeri e qeshura motorike e Metës në emisionin "Ora e Debatit" të Alfred Pezës, ndërsa Edi Rama prononcohej para kamerave për bojkot parlamentar, pas mbledhjes së kryesisë socialiste, shpërthimi i tij ishte një aktrim i shpifur, të cilit i mungonte talenti. Sepse përkundër qasjes për të mbuluar të vërtetën me ironi pushtetari të ri, kjo e vërtetë lexohej qartë në formën një ankthi që nuk mund ta fshehë me të qeshura kryetari I LSI-së: Ilir Meta ka në fytyrën e mallëngjyer njollat e zeza të dyshimeve për vendimin e fortë për të qenë me Berishën.

Sepse, pavarësisht sigurisë së paqenë, për të cilën Ilir Meta shqyhet në ekrane bashkë me të tijtë, ai dhe të tijtë nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë se çdo të ndodhë me forcën e tij politike, me këtë koalicion, me këtë mblesëri në të ardhmen. Në këtë mënyrë, ka gjasa që ai të jetë fare pranë vrasjes së ndërgjegjes për tradhtinë historike që i ka bërë në radhë të parë të shkuarës së tij, fjalimeve të tij, vizionit, kauzave dhe karrierës së tij dhe pastaj shkulmit socialist të integrimit e më gjerë. Dhe, nëse nuk ka ende vrasje ndërgjegjeje, kjo ndodh jo për shkak të paaftësisë së tij për të kundërshtuar vetveten, por për shkak të urrejtjes gjenetike dhe hakmarrjes gjenetike ndaj Kryetarit të PS. .

Kjo duket se është e vetmja arsye që ai ndodhet në llogoren e Berishës pas babëzisë për pushtet, çka nuk mund të quhet një mëkat për atë. Babëzia për pushtet dhe lavdia është projektuar për të gjithë njerëzorët qysh në ligjet e krijimit, dhe nuk është më një ves, por një vrull instiktiv. Në ekran, në publik, në teren, politikani i guximit më të vështirë, siç qe kjo martesë, e tradhton edhe veten ndërsa tamam aty ku më shumë se kurrë i duhet seriozitet dhe respekt për karrierën e rrezikuar të tjetrit, bëri te kundërtën: Tallja publike e liderit të LSI me liderin e PS, ndërsa zgërdhihej si mediokrit periferikë në "Orën e Debatit", ishte si një diamant shpjegimi për ata që duan të kuptojnë, sepse pastroi dyshimet publike dhe vërtetoi se njëlloj si të tjerët, edhe ky lider i koklavitur ka delir dhe ka probleme ekuilibri...

Nga ana tjetër, ndonëse i duhet pak punë për të bindur të tjerët se bashkimi i Metës me Berishën nuk u bë kurrsesi për të mirën e qytetarëve dhe për integrimin, siç thuhet, por për interesa të frikshme politikanësh të korruptuar, që e kanë marrë në qafë përgjithmonë këtë vend, Edi Rama është shndërruar edhe ky në një viktimë dilemash. Humbja e zgjedhjeve dhe bindja për të kundërtën e saj e kanë shtyrë atë në një pasiguri që është një gabim pararendës dhe ka sjellë rënien e aksioneve të tij. . .

Por më shumë se nga dilemat, dhe më shumë se nga tradhtia e merituar në fakt e Ilir Metës, rënia e aksioneve të tij duket sikur vjen nga meraku për të ardhmen e autoritetit.. Është lehtësisht e kuptueshme që aksionet e tij publike janë në nivel të ulët krahasuar me kohën parazgjedhore. Mbështetësit e tij realë në PS ka gjasa të mos jenë në nivelin e votave në forume dhe ngaqë ai e di mirë këtë, kjo frikë shtohet edhe më shumë nga mosqenia e tij gati për zhvillimet surprizë në të ardhmen. Kambanat e këtyre surprizave filluan të bien qysh në kongresin e Partisë Socialiste, ku pati zëra kolegësh kundër tij. Zakonisht njerëzit kanë frikë nga ajo që nuk njohin, por frika shndërrohet në dëshpërim nga ajo që as nuk njohin, as nuk kuptojnë.

Edi Rama po nxiton sot drejt kurthit të pamundësisë për të kuptuar dhe menaxhuar qetësisht situatën ku ai dhe PS ndodhet.

Ky është edhe problemi i tij më i madh, dhe jo humbja e zgjedhjeve. Në vend të analizojë konstruktivisht situatën, shkaqet që e sollën atë, dhe pasojën, ku bën pjesë edhe vetë, në vend që të tërhiqet në qoshe për tu mbushur me frymë dhe karikuar me energji të re për beteja të ardhshme publike, presioni që i bën vetes së tij për të besuar diçka që vështirë të jetë aq e sigurt, sa të jetë edhe e justifikuar, e ka lënë liderin socialist në një pozitë të vështirë personalizimi të situatës, aq sa ne shohim sot një Edi Ramë të ndryshuar.

Por kjo është e natyrshme, po të kemi parasysh që një qime e ndau atë nga shansi për të bërë ndryshimin që në emër të socialistëve kishte premtuar. Lënia në mes e një misioni i ngjan dështimit të një fëmije, humbja është e dyfishtë…

Por tani që ky dështim ka ndodhur, pavarësisht nga arsyet, çështja dhe gjendja bëhen serioze nëse e shohim këtë lider jo si një personalitet dhe një intelektual të lartë, që pa pikë dyshimi e meriton atë që është dhe atë që ka arritur gjithë këta vjet, si askush tjetër, por si një investim potencial të një force politike, e cila rezultoi e paaftë të menaxhojë energjinë gjigante elektorale të liderit të saj.

Jo vetëm Edi Rama, por aq më keq besnikët dhe mbështetësit e tij, duket se nuk e kanë kuptuar se përkundrazi, nuk është Partia e tij, dhe nuk janë ata të tijtë, por është ky i tyri, dhe gabimi zë fill pikërisht në këtë komunikim surreal, pasi nuk duhet të sakrifikohen ata dhe ato për këtë, por ky për ata. . Me fjalë të tjera, edhe pse dhimbja e humbjes dhe e dështimit është therëse për një lider spektakolar, i cili më shumë se kushdo tjetër në vend e meriton t'i jepet një mundësi tjetër, dhe e meriton edhe mbështetjen, midis dy zgjedhjeve të vështira, ajo që duhet sakrifikuar nëse diçka duhet sakrifikuar patjetër, është lideri dhe jo masa. . Dhe analiza duhet të fillojë pikërisht këtu…

Edhe kreu i PS, edhe forumet e PS, duhet të ulen urtazi për të diskutuar e kuptuar që më shumë se sfida ndaj sfidave të kundërshtarëve liderë përballë, rëndësi ka jo personalizimi i betejës, jo solidariteti naiv, jo besnikëria shterpë e servilëve, jo votat e lehta, jo mirënjohja e degjeneruar e deputetëve të pamerituar, që patën emrat në listë, por ndjesia socialiste, shpresa kolektive për te ardhur në pushtet dhe e ardhmja e kësaj familjeje që sot, edhe për shumë arsye të tjera ndodhet në opozitë dhe në krizë.

Por a është fajtor Edi Rama për humbjen dhe për krizën e vështirë të Partisë Socialiste. Kjo është një dilemë e re. Vështirë të gjesh edhe në bisedat e militantëve pijanecë opinione kundërshtarësh ku të thuhet se Edi Rama nuk bëri të pamundurën, sepse të gjithë e dinë, e sidomos të gjithë e pranojnë se për katër vjet, mirë ose keq, Edi Rama bëri maksimumin dhe bëri atë që vështirë mund ta bëjë dikush tjetër. . Vlera e padiskutueshme e liderit socialist qëndron pikërisht në këtë maratonë të pakonkurrueshme fushate të pabërë ndonjëherë, dhe nëse ai u ngrit si kult në lider, kjo ndodhi sepse kjo bindje dhe ky perceptim u shndërrua në mani popullore...

Në tërheqjen e tij analitike Edi Rama duhet të bëjë pikërisht këtë gjë, të shfrytëzojë këtë përvojë për të kuptuar se gjithçka që fitohet natyrshëm, mund të humbet dhe rifitohet natyrshëm dhe se, jo qenia në majë por rruga për tu ngjitur drejt saj e ngritën atë madhështor në opinion. Ky opinion sot është i paqartë ndërsa shumë mendojnë se përpjekja e kreut socialist për të qenë me çdo kusht prijës në betejë nuk është vazhdim i aventurës së tij të shkëlqyer, por mbyllja, në mos mbyllja, një sforcim, në mos sforcim, një babëzi, në mos babëzi për pushtet të përhershëm, një dëshirë instiktive për të qenë në majë përgjithmonë. . Për më shumë që sado e sinqertë çdo strategji e re e liderit socialist, dhe sado madhështore, perceptimi i momentit është i tillë që kjo strategji, do të ketë nga pas ndëshkimin e kobshëm të përsëritjes së gjërave. Kjo për shumë njerëz do të thotë zvetënim dhe sukses jo i sigurt. Sepse jo tani, por vetëm në kohëra të tjera ringritjeje, Edi Rama do mund të arrijë kulme të reja dhe sfida të reja. . Prandaj jo humbja e zgjedhjeve por pikërisht perceptimi i kësaj humbjeje nga ana e kryetarit të PS, është përgjegjësia e tij e sigurt dhe nëse ka një gabim, ky nuk është i tiji por i paaftësisë kolektive të socialistëve, për të menaxhuar në forume drejtësisht situatën.

Kjo paaftësi e ka shtyrë kryetarin e PS-së drejt një kulti të ri për të cilin ai nuk ishte dhe nuk është gati.

Por edhe Sali Berisha nuk duket të jetë gati për fitoren e lumtur. . . Ndryshe nga Ilir Meta, siguria e tij është e vërtetë. Nëse ka një ndalim lumturie, kjo vjen jo nga dyshimet për lajthitjet e shpeshta të fatit, por ngaqë kryeministri ynë e ka kuptuar se lumturia më e madhe iu afrua në një kohë të gabuar. Shpirti i tij nuk mund ta durojë fitore kaq të mëdha. Gjunjëzoi Nanon, sfidoi Ramën, skllavëroi Metën njëherë e mirë, ndërsa ky tani e ndjek pas, si një kec mama dhinë.

Megjithatë, në prag të pleqërisë, "lideri historik" i shqiptarëve, duket se ka filluar të besojë seriozisht se është i tillë, legjendar. Madje askush nuk mund të thotë që në orët e vona të meditimeve, ai nuk sjell në përfytyrime shtatoren e ardhshme të tij në sheshin "Skënderbej", pranë heroit tjetër, që luftoi Turqinë. . Korrupsioni në botë është kaq në modë sot, sa ashtu si edhe gjetkë, nuk mundi të errësojë sukseset politike të kreut demokrat, që janë po aq të mëdha sa edhe miqësia e tij me Fazllicin, dhe po aq të sigurta sa shpërthimi i Gërdecit.

Tani që Berisha i fitoi zgjedhjet si mund ti fitojë vetëm ai, në pandershmëri të plotë, dhe atij nuk i hyn më asnjë gjemb nëpër këmbë, për gjithçka bën edhe ndjen, mund të thuhet se lavdia e tij është kaq e vërtetë, sa ai mund të sfidojë edhe të vërtetën e trishtë, që jeta është shumë e shkurtër për pasuri kaq të mëdha dhe lartësira të tilla.

Lumturia e tij është e merituar, dhe aq më shumë do jetë e vërtetë, ndërsa akuzat për korrupsion nuk do të bien më mbi familjen e tij në të ardhmen, por mbi mburojat e reja, që janë ministrat e rinj llafazanë e fatlumë të LSI-së.

(*) Shënim: Dërguar nga autori/ Opinionet e rubrikës "Forum" nuk paraqesin domosdoshmërisht, qëndrimin e agjencisë NOA

KOMENTE