English

Ndahet nga jeta aktori Patrik Sueiz, nuk e fitoi dot betejën ndaj kancerit

Hjuston, 15 shtator, NOA - Aktori i njohur amerikan, Patrik Sueiz, i cili u bë një seks simbol në Hollivud me filmat si "Dirty Dancing" dhe "Shpirti", u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me kancerin e pankreasit në moshëm 57-vjeçare.

Sueiz ishte i informuar që në janar të vitit të kaluar nga mjekët se ishte me kancer dhe se i mbeteshin pak kohë jetë.

Por ai me një vullnet të madh dhe falë kemioterapisë kishte arritur ta përmirësonte për disa muaj shëndetin e tij, deri në atë pikë sa kishte nisur të punonte sërish si aktor.

Por në fillim të këtij viti, gjendja e tij u përkeqësua sërish pasi kanceri kishte arritur deri në mëlçi.

Lindur në Hjuston të Teksasit në gusht të vitit 1952, bir i një koreografi, Patrik Sueiz filloi karrierën e tij si një balerin duke studiuar balet në Nju Jork.

Suksesi i parë i tij u arrit në vitin 1985 me serialin televiziv "Veriu dhe Jugu", ndërsa fama e papritur do t'i mbërrinte në vitin 1987 me filmin "Dirty Dancing" ku luajti rolin e një instruktori kërcimesh.

Me këtë film, ai do të vendoste edhe kandidaturën për Globin e Artë për interpretimin e tij. Në vitin 1990, popullariteti i tij u forcua edhe më shumë me filmin "Shpirti" ku luajti me Demi Moore rolin e një fantazme.

Këto dy role e kishin treguar Sueiz si një seks simbol dhe askush nuk ishte i habitur kur revista "People" e shpalli në vitin 1991 "mashkulli simbol seksi".

Në vitet e mëpasme, aktori kishte dështuar me gjetjen e roleve të shkëlqyera. Ai kishte pasur për disa vite edhe probleme me alkoolin, por do të ishte vetëvrasja e Vicky, motrës së tij me overdose, që e bëri atë të kërkonte një trajtim të veçantë.

Në mars të vitit 2008, Patrik Sueiz njoftoi se vuante nga një formë vdekjeprurëse kanceri në pankreas, nga i cili më pak 5 përqind e personave të diagnostikuar mbijetojnë 5 vjet.

Sueizi punoi edhe shumë kohë pas diagnostikimit, duke luajtur në serialin televiziv "The Beast", por sërish nuk arriti të mbijetonte pas sëmundjes së tmerrshme.

Zëdhënësi i familjes Sueiz tha se aktori vdiq në mënyrë të qetë dhe me familjen pranë.

n.e/NOA

KOMENTE