English

Ministri Ksera: Më kanë shkarkuar? Mbetem unë, kryetar i OMONIA-s

Gjirokastër, 22 Shtator NOA - Ministri i ri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, thotë se e shpërfill vendimin sipas tij të njëanshëm dhe të pazbatueshëm të shkarkimit si kryetar i degës së OMONIIA-s për rrethin e Gjirokastrës.

Në një dalje për mediat nga qyteti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, ish prefekt i qarkut jugor dhe aktualisht edhe deputet i Partisë Demokratike, tha se ai vazhdon të jetë kryetari i degës së OMONIA-s për Gjirokastrën dhe njëkohësisht anëtar i kësaj organizate.

Deklarata e Kserës vjen dy ditë pasi konferenca e degës së OMONIA-s në Gjirokastër zgjodhi si kryetar të kësaj dege Dhimitër Maluqin, duke shkarkuar ish-prefektin që u bë ministër në kabinetin "Berisha 2".

Shkarkimi i Kserës, sikurse tha Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, i pranishëm në konferencë, erdhi pasi "Spiro Ksera u vetëpërjashtua nga OMONIA pas përfshirjes së tij në strukturat e Partisë Demokratike".

Por mendim tjetër ka vetë Ksera i cili tha se nëse do të kishte një vendim të drejtë për largimin e tij, këtë do të mund ta realizonte vetëm Konferenca e Përgjithshme e OMONIA-s.

"OMONIA është një organizatë demokratike dhe këtë e ka treguar që nga fillimi i saj, mbron të drejtat e minoritetit grek dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Unë jam anëtar i OMONIA-s, jam dhe mbetem aktualisht kryetar i degës së saj për Gjirokastrës", deklaroi Ksera për gazetarët që ndoqën konferencën.

"Kur të zhvillohet konferenca e përgjithshme e OMONIA-s dhe të vendoset nga Këshilli i saj i Përgjithshëm Drejtues, mund të ketë ndryshime në këtë organizatë, por nuk mund të heqësh dhe të vendosësh në një organizatë politike pavarësisht se disa politikanë të vjetër nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, madje arrijnë deri atje sa adresojnë akuza për tradhti", - theksoi z.Ksera.

Ai përfundoi duke thënë se "tashmë ka ikur koha e deklaratave të tipi "je tradhtar", - duke shtuar se - "unë, jam dhe mbetem i hapur për të gjetur rrugët dhe do të jem faktor për të bashkuar minoritetin etnik grek".

/v.d/e.r/NOA/

KOMENTE