English

Të sëmurët me veshka, në fund të vitit regjistër kombëtar për të dhënat

Nga Blerina AhmetajTiranë, 24 shtator NOA-Pavioni i Nefrologjisë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë dhe Qendra e kontrollit të sëmundjeve në Bari të Italisë po bëjnë gati hartimin e një regjistri kombëtar për të sëmurët me veshka.

Projekti për përpilimin e të dhënave është në përfundim e sipër e pritet të jetë gati në fund të vitit.

Shefi i pavionit të Nefrologjisë në QSUT, doktor Nestor Tereska tha për agjencinë NOA se ky regjistër do të ndihmojë për të përcaktuar saktë numrin e pacientëve që vuajnë nga insuficienca renale (mosfunksionimi i veshkave) si dhe nevojat që ka kjo kategori pacientësh për tu trajtuar me dializë apo për të kryer transplant.

"Në fakt deri tani askush nuk ka shifra të sakta.

Dhe ne që jemi spitali më i madh në vend dhe që presim pacientë nga e gjithë Shqipëria, përsëri manipulojmë me shifrat.

Me hartimin e regjistrit do të kemi të qartë se sa nevoja mund të plotësojmë si në sektorin publik dhe privat për trajtimin e të sëmurëve me veshka", u shpreh Tereska.

Përsa i takon kryerjes së transplantit të veshkës, shefi i pavionit të Nefrologjisë ka theksuar se ndërhyrja e dytë do të bëhet brenda vitit.

"Kemi pasur një vonesë përsa i takon kryerjes së transplantit të veshkës.

Shkak ka qenë mungesa e përcaktimit të afateve në projektin me kirurgët italianë.

Sipas projektit kemi rënë dakord që tre ndërhyrjet e para për transplantin e veshkës të bëhen me asistencën e italianëve.

Dua të theksoj se ekipi shqiptar është gati me të gjitha, sallat, pajisjet, medikamentet dhe pacientët, por ne jemi në pritje të kolegëve italianë të cilët kanë premtuar se do të vijnë shumë shpejt për ndërhyrjen e dytë", tha Tereska.

Nefrologu i njohur thekson se deri tani, kryerja e transplanteve të veshkës është bërë përmes rrugës private nga vetë i sëmuri ose në spitalin Amerikan në Tiranë me të cilin ekziston një kontratë për bashkëpunim.

Tereska theksoi se me financimin e qeverisë shqiptare, ky spital ka marrë përsipër kryerjen e transplanteve për shumë pacientë të QSUT të cilët janë referuar nga mjekët drejt spitalit Amerikan.

Aktualisht sot janë në listë 20 të sëmurë por me krijimin e regjistrit kombëtar për të sëmurët renale mendohet që QSUT të jetë përpara një bumi të shtimit të nevojave për kryerjen e transplantit, pasi deri më sot kjo ka qenë inciativë spontane ose nga pacienti ose nga mjeku që e ka marrë përsipër.

Në vendin tonë çdo vit janë 200 deri në 250 të sëmurë të rinj që kërkojnë dializë e 30 prej tyre kanë nevojë për transplant.

Në pavionin e dializës në QSUT aktualisht marrin dializë rreth 120 pacientë ndërsa në të gjithë vendin numërohen rreth 300 të tillë.

Sipas mjekëve, hartimi i regjistrit kombëtar do të bënte që të hapeshin shumë vende në pavionet e dializës në të gjithë vendin pasi do të përcaktoheshin qartë nevojat e çdo pacienti nëse duhet të vazhdojë në dializë apo të kryejë transplantin e veshkës, kjo në bazë të të dhënave që do të raportojë ai dhe që do të pasqyrohen në regjistrin kombëtar.

KOMENTE