English

Zhvillohet Turneu i Pestë Sportiv, i Bankave Qendrore të Vendeve të Ballkanit

Tiranë, 24 Shtator NOA - Në vazhdën e një nisme më të hershme të bankave qendrore të rajonit për të nxitur më tej frymën e bashkëpunimit dhe të miqësisë, Banka e Shqipërisë organizoi Turneun e Pestë Sportiv të Bankave Qendrore të Vendeve të Ballkanit.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë ekipet sportive të bankave qendrore të: Bosnjë- Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, Rumanisë, Serbisë, Turqisë dhe Shqipërisë. Në këtë turne morën pjesë rreth 300 sportistë, të cilët garuan në tre disiplina volejboll, basketboll dhe futboll.

Në përfundim të ndeshjeve, ekipet pjesëmarrëse kanë arritur këto rezultate:

Disiplina e volejbollit femra ka nxjerrë fitues ekipin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, ndërkohë që në vend të dytë dhe të tretë janë renditur përkatësisht Banka Qendrore e Bosnje-Hercegovinës dhe Banka e Greqisë.

Në disiplinën e futbollit meshkuj, kupa e artë ka shkuar për ekipin e Bankës Kombëtare të Rumanisë, ndërsa Banka e Shqipërisë është pozicionuar në vendin e dytë dhe Banka Qendrore e Malit të Zi në vendin e tretë.

Banka e Shqipërisë ka fituar kupën e artë në disiplinën e basketbollit meshkuj, duke triumfuar ndaj ekipit të Bankës Kombëtare e Rumanisë që u rendit i dyti, ndërkohë që në vend të tretë është pozicionuar Banka Qendrore e Malit të Zi.

Në këtë turne, është dhënë edhe kupa "fair play" (lojë të ndershme), e cila ka shkuar në duart e ekipit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë,

Po ashtu u akorduan kupat e miqësisë për ekipin femra të Bankës Kombëtare të Bullgarisë dhe ekipin meshkuj të Bankë Kombëtare të Serbisë.

Ndërkohë u dhanë medalje për sportistët më të mirë të cilat i kanë merituar z. Rezvan Tcordia nga Banka Kombëtare e Rumanisë, Z. Orion Garo nga Banka e Shqipërisë dhe zj. Sllobodanka Kashkerovic nga Banka Qendrore e Malit të Zi.

Në aktivitet pati edhe medalje inkurajimi për pjesëmarrjen në disiplinën e basketbollit të ekipit të Bankës Qendrore të Kosovës.

I organizuar nën frymën e një mjedisi të ngrohtë e të argëtueshëm, ky aktivitet tashmë përbën një traditë në kuadër të bashkëpunimit rajonal të bankave qendrore duke përcjellë një ndjenjë miqësore dhe mirëkuptimi.

e.r/NOA

KOMENTE