English

Dy kushërinj qëllojnë me 20 plumba ndaj një personi, kapet njëri

Memaliaj, 30 shtator, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë kryer arrestimin në flagrancë të 30-vjeçarit Armand Meça, lindur dhe banues në Memaliaj të Tepelenës.

Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i tij u bë për arsye se ai në bashkëpunim me kushëririn e tij 20-vjeçar Erlind Meça kanë tentuar të vrasin me armë zjarri automatik për motive të dobëta, 32-vjeçarin me iniciale S.P, lindur dhe banues po në Memaliaj.

Ky i fundit rezulton i plagosur në këmbën e djathtë dhe ndodhet në spitalin e Tepelenës, jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, ku pas disa orësh u bë e mundur arrestimi i njërit prej autorëve të kësaj ngjarje, Arman Meça.

Ndërsa Erlind Meça është larguar dhe është shpallur në kërkim policia, e cila është duke vazhduar punën për kapjen e tij.

Grupi hetimor në vendngjarje ka fiksuar 20 gëzhoja dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se në drejtim të S.P, është qëlluar mbi 20 herë për ta vrarë me kallashnikov.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale të "Vrasjes me paramendim, e mbetur në Tentativë dhe e kryer në bashkëpunim", si dhe për "Mbajtien pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", parashikuar nga nenet 78, 22,25 dhe 278 /2 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE