English

Fullani: Rreziqet financiare ende prezent

Nga Rajmonda LajthiaÂ

Tiranë, 23 nëntor NOA - Rreziqet financiare nuk janë tejkaluar ndaj guvernatori i Bankës së Shqipërisë i bën thirrje biznesit vendas të bëjë kujdes me politikat gjatë vitit 2010.

Ai i kërkoi kompanive private të bazojnë investimet në analiza konkrete të tregut, pasi në këtë mënyrë do të jenë efiçent.

Fullani e bëri këtë thirrje në një kohë kur rreziku kryesor i vitit të ardhshëm është rënia e ritmit të rritjes ekonomike.Â

"Ka ardhur koha që biznesi të mos reagojë më në grup, pasi lëvizja e njërit prej tyre ndiqet direkt nga disa të tjerë. Kjo lëvizje bëhet pa u bazuar në madhësinë e tregut apo aftësinë konkurruese"- tha Fullani.

Sipas tij Banka e Shqipërisë do të ndjekë një politikë të kujdesshme gjatë vitit që vjen pasi rreziqet financiare ende nuk janë tejkaluar.

Zhvillimi ekonomik do të jetë në varësi të tregut ndërkombëtarë.

Në një takim me përfaqësues të biznesit, Fullani tërhoqi vëmendjen edhe për përmirësimin e fondeve për ekonominë.

2010 do të jetë viti me nivelin më të ulët të investimeve publike. E në se do të kemi parasysh faktin se një pjesë të konsiderueshme të parave do ti marrë segmenti rrugorë Rrëshen- Kalimash atëherë shumë biznese do të mbeten pa aktivitet.

"Mendoj se keqpërdorimi i fondeve i bën dëm kompanive, bilanceve si dhe rrit borxhet e tyre". Për Bankën e Shqipërisë është e nevojshme që të bëhet kujdes në mënyrë që vitin e ardhshëm të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Fullani u shpreh se mungesa e likuiditetit mbetet ende prezent tek bizneset shqiptare. Â

Ankesat e biznesit

Por një nga përfaqësuesit e biznesit Hajredin Frateri akuzon qeverinë si të njëanshme, pasi ajo favorizon më shumë investitorët e huaj se sa ata vendas. Â

Ai kërkon që qeveria të rishikojë shpenzimet publike me tendencë që të kenë mundësi të punojnë të gjitha bizneset. Sipas tij ka shumë sipërmarrës që kanë dëshirë të investojnë por nuk kanë hapësirë.

Një tjetër përfaqësues biznesi, Vahid Ruli thotë se problem kryesorë mbetet sistemi bankarë. Bankat kanë bllokuar kreditin.

Edhe ato pak kredi që jepen janë me interesa të larta gati të papërballueshme.

"Një vit më parë bankat jepnin kredi në mënyrë jo shumë të kontrolluar, ndërsa tani po reagojnë në anën e kundërt duke bllokuar kreditimin edhe për ato plane biznesi të mirëstudjuara".

Edhe nga vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë, biznesi vlerëson se 3-mujori I katërt I këtij viti do të ketë përmirësim, ndërsa për sa i përket pritjeve për investime në 6- muajt e parë të 2010-s, ato janë negative.

r.l/NOA

Â

KOMENTE