English

Zenelaj: Java e parë, sukses për Kosovën

Eksperti për të drejtën ndërkombëtare, Eqrem Zenelaj, e vlerëson pozitive për Kosovën javën e parë në GJND, në Hagë. Ai thotë se kjo javë "ka treguar se pavarësia është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".

Si e vlerësoni javën e parë të përballjes së Kosovës dhe Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë? Java e parë vlerësohet mjaft pozitive, meqenëse kemi një paraqitje mjaft dinjitoze të palës kosovare dhe të ekspertëve, si dhe të miqve tanë, të cilët kanë treguar dhe kanë dëshmuar fuqimisht se pavarësia e Kosovës është një çështje e pakthyeshme dhe është një çështje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Unë do të kisha shtuar edhe një deklaratë të profesorit të njohur nga Gjermania, nga Universiteti Humbold i Gjermanisë, doktor Tomoshat, i cili thekson se "të gjitha shtetet e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare". Ju përmendët argumentet e Kosovës, por sa kanë qenë bindëse argumentet e të dyja palëve, edhe ato të Serbisë? Argumentet e Serbisë nuk qëndrojnë për shumë arsye, sepse ata i përsërisin vazhdimisht ato argumente, të cilat janë mjaft qesharake dhe janë në kundërshtim edhe me Kartën OKB-së. Pastaj, janë në kundërshtim edhe me parimet themelore të Kartës së OKB-së, siç është parimi i së drejtës së vetëvendosjes; në kundërshtim me parimet e Konferencës së Helsinkit dhe me të gjitha parimet që quhet jusko-gens në të drejtën ndërkombëtare, e drejtë e cila është e detyrueshme. Në anën tjetër, Serbia nuk ka të drejtë të thirret në Rezolutën 12 44, sepse ajo nuk është Kushtetutë e Serbisë. Por, ajo është një rezolutë që është nxjerrë nga Këshilli i Sigurimit dhe Kosova me të është futur nën ombrellën e Këshillit të Sigurimit. Pastaj, me Rezolutën 12 44, në një vend të caktuar, thuhet se Kosova është pjesë e Jugosllavisë, por që vetë Këshilli i Sigurimit në Rezolutën 777 thekson që nuk ka Jugosllavi dhe aty lihet hapur çështja e mundësisë së statusit të ardhshëm. Prandaj, edhe bisedimet që janë bërë në nivel të OKB-së, janë bisedime që i ka udhëhequr vetë Këshilli i Sigurimit dhe vetë pala ndërkombëtare. Profesor Zenelaj, ka pasur argumente të ndryshme të dhëna nga shtetet, qoftë nga ato që e mbështesin Kosovën, qoftë nga ato që e mbështesin Serbinë. Disa, madje, kanë kontestuar të drejtën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Çfarë mendoni ju? Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sipas nenit 92 të Kartës së OKB-së dhe nenit 1 të statutit të saj, është organ kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare paraqet një rend juridik të bashkësisë ndërkombëtare, prandaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një organ, i cili merr dhe ka të drejtë të marrë vendime, gjegjësisht të marrë dy lloj verdiktesh. Këto janë vendimet dhe opinionet: me vendime kemi të bëjmë me rastet e konflikteve ndërkombëtare. Ndërsa, për opinionet kemi çështjen e interpretimit të ligjshmërisë në të drejtën ndërkombëtare. Nga viti 1946 e deri më tani janë marrë gjithsej 118 verdikte, prej tyre 93 vendime dhe 25 opinione. Prandaj, nuk qëndron ajo që thuhet, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është dhe mbetet organ kryesor për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare, por që ajo mund të shprehet në disa mënyra. Kompetencat e saj janë nëse ajo mund të shprehet pozitive, domethënë një të shprehë një opinion pozitiv për Kosovën, e atëherë nuk ka apelim, në rast të tillë, nëse, po e them figurativisht, shpreh opinion negativ, pala serbe ka të drejtë t'i drejtohet Këshillit të Sigurimit për ta aprovuar një rezolutë, me të cilën kërkohet zbatim i vendimit të GJND-së. Në Këshill të Sigurimit ne kemi tri shtete anëtare mike, që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Mjafton vetëm një shtet, siç është p. sh. , Rusia që e përkrah Serbinë dhe që e përdori të drejtën e vetos, e që është formula e Jales e vitit ‘45, ndërsa ne i kemi tri shtete. Forma tjetër është nëse Kosovën do ta njihnin 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta linte këtë çështje pa objekt interpretimi; një element tjetër është që ajo mund të mos deklarohet fare, siç ka qenë rasti me mosdeklarimin edhe të kontestit mes Francës dhe Zvicrës për një pjesë, një zonë e lirë në Liqenin e Gjenevës, duke pretenduar se palët nuk janë marrë vesh dhe gjykata nuk është kompetente për këtë, sepse kjo është një çështje që rrjedh nga Liga e Kombeve dhe çështja tjetër që është një deklarim, gjegjësisht një këshillë, apo opinion neutral, që do të ketë një dykuptimësi. Domethënë, do të favorizohen elementet e së drejtës së vetëvendosjes, do të favorizohet rruga e pakthyeshme, do të favorizohen të gjitha elementet e tjera që do të merren parasysh dhe, natyrisht, do të merret përballë edhe për arsye politike aktuale ndërkombëtare. Pra, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organ kompetent dhe do të marrë një vendim, i cili nuk do të jetë në kundërshtim me Kosovën, gjegjësisht me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, duke pasur parasysh këto argumente: 1) Vetë struktura e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tregon se tetë gjyqtarë vijnë nga tetë shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shtatë nga ato që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës; 2) Vetë në Këshillin e Sigurimit, anëtarë të përhershëm janë tri shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe e mbrojnë fuqimisht, ndërsa dy shtete, Rusia dhe Kina, janë kundër; 3) Vetë Unioni Evropian, nga 22 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa pesë nuk e kanë njohur. Pastaj, është edhe një element që duhet theksuar, që në rast të vendimit/ verdiktit, që është faza e tretë, pas seancave dëgjimore marrin pjesë gjyqtarë të barabartë, p. sh. 6 me 6 ose 7 me 7, është një kompetencë speciale që vetë kryetari i gjykatës vendos për një çështje të caktuar. Këtu e kemi një fat që kryetari është nga Japonia - është një shtet mik që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Mendoni që gjyqtarët do të ndikohen nga pikëpamjet e qeverive të tyre? Parimisht, gjyqtarët janë të pavarur dhe nuk duhet të përfaqësojnë opinionet, mendimet dhe interesat e shteteve nacionale që janë të përfaqësuara, mirëpo praktika ka treguar që gjithmonë ka pasur një ndikim, ka pasur një subjektivitet, e, edhe në këtë rast do të ketë. Prandaj, të gjitha elementet që i përmendëm më parë tregojnë se në asnjë mënyrë nuk do të merret ndonjë vendim, i cili e dëmton pavarësinë e Kosovës dhe nuk mund ta dëmtojë, natyrisht, sepse në raste të tilla duhet, p. sh. të merret një kërkesë në Këshillin e Sigurimit për një rezolutë, e që, siç thashë, i kemi tre anëtarë që do ta bllokojnë përsëri, e kjo natyrisht, ndërkohë, ndikon pak në zvarritjen e njohjeve të shtetit të Kosovës, por çështja e njohjes së shteteve në të drejtën ndërkombëtare është një çështje që u takon ekskluzivisht interesave të shteteve nacionale. Kthim prapa nuk ka, prandaj këtu nuk ka as hapësirë për frikë. Është përmendur pranvera dhe qershori si një periudhë kur Gjykata mund të shpallë verdiktin e saj. Kur, në fakt, mendoni se do të përfundojë ky proces? Paraprakisht po tregoj se janë tri faza të shqyrtimit të çështjeve të caktuara. Faza e parë ka qenë faza e deponimit të deklaratave shkresave, kundër-shkresave me shkrim, e cila ka përfunduar; faza e dytë është faza e seancave dëgjimore, e cila ka filluar më 1 dhjetor dhe përfundon më 11 dhjetor; dhe faza e tretë është tërheqja e gjyqtarëve për këshillime, të cilat janë të fshehta dhe një verdikt i tillë pritet rreth muajit prill, eventualisht deri në muajin korrik.

Marrë nga radio Evropa e Lirë

KOMENTE