English

Festat, bashkia: Tirana me dekore, këtë vit sjellim shumë surpriza

Tiranë, 14 dhjetor NOA - Bashkia e Tiranes ka reaguar sot pas akuzave të Partisë Demokratike për mungesën e dekorimit të kryeqytetit me rastin e festave të fundvitit. Drejtoresha e Punëve Publike në bashki, Albana Koçiu ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku deklaroi se kryeqyteti do të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme dekorative dhe argëtuese. "Bashkia e Tiranës pavarësisht problemeve me buxhetin, shkaktuar nga qeveria, ka filluar prej ditësh dekorimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit.

Vërtet po përdoren pjesë të dekorit të një viti më parë, për shkak se fondet e pushtetit vendor po cungohen dita-ditës nga qeveria, por Bashkia e Tiranës, ashtu sikurse nuk lë asnjë ditë pa pastruar qytetin, ashtu sikurse nuk lë asnjë ditë pa u kujdesur për kopshtet, shkollat, rrugët e gjelbërimin, edhe këtë fundvit nuk do të lërë Tiranën pa festuar festat", tha Koçiu.

Po ashtu, znj. Koçiu shtoi se përveç rrugëve të dekoruara këtë vit, Tirana do të ndjejë festën përmes aktiviteteve kulturore të ngjashme me metropolet e tjera evropiane.

"Një cirk gjigant, me 100 nga akrobatët më të mirë të botës po vendoset në sheshin "Nënë Tereza" për të performuar deri në muajin janar. Në sheshin ‘Skënderbej' pista e akullit, rrethuar nga një panair festiv do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, gjatë gjithë periudhës së festave.

Shumë surpriza të tjera do të ndodhin në kryeqytet, për të kënaqur të gjitha moshat" deklaroi më tej Koçiu. k.k/NOA

KOMENTE