English

Ndërtuesit paralajmërojnë: Brenda një muaji do të bllokojmë punën

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 19 Dhjetor NOA - Në kushtet kur kriza financiare në sektorin e ndërtimit është prezent dhe politika e tensionon edhe më tej situatën, duke i etiketuar bizneset si mafioze, ndërtuesit i kërkuan sot qeverisë zgjidhjen sa më parë të problemeve.

Sipas tyre, qeveria ende nuk i ka shlyer borxhet ndaj firmave që kanë kryer veprat publike, nga ana tjetër nuk po mblidhet Këshilli i Rregullimit të Territorit si dhe Plani Rregullues ka mbetur pezull.

E gjithë kjo situatë ka sjellë që shumë firma nga fitimi të shkojnë në falimentim.

"Për këtë falimentim përgjegjësi mban politika, e cila në vend që të bashkëpunojë me biznesin për të gjetur zgjidhje, vijon me mospërfillje të konsumojë veten duke mos i dhënë zgjidhje biznesit"- tha Maksim Muçi, drejtor i Shoqatës së Ndërtuesve.

Shoqata ka kërkuar që të shmangen etiketimet që i janë bërë bizneseve kohët e fundit si dhe arbitrariteti i institucioneve zyrtare.

"Të bëhet likujdimi total i detyrimeve ndaj firmave të ndërtimit të infrastrukturës si dhe të merret në konsideratë borxhi i këtij viti ndaj këtyre firmave, në planifikimin e objekteve të reja për vitin 2010"- vijon më tej Muçi.

Gjatë aktivitetit kombëtarë të ndërtuesve, bizneset kanë dalë në konkluzionin se klima aktuale ekonomike është e pasigurt për investime, ndërsa qeveria mbetet indiferente ndaj kërkesave të sipërmarrjes private.

Shoqata e ndërtuesve paralajmëron, se nëse situata nuk gjen zgjidhje, ata do të ndërpresin një muaj punën.

"Në rast të mosmbushjes së këtyre kërkesave, ne i propozojmë aktivit të marrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantiere si rrjedhojë edhe mos derdhjen e asnjë detyrimi për këtë periudhë".Â

Mungesa e miratimit të Planit Rregullues, mos mbledhja e KRRT-ve, si pasojë e problemeve politike, efektet e krizës ekonomike, mungesa e kreditimit e cila është shoqëruar me rënie të fuqisë blerëse ka futur në ngërç sektorin më të madh në vend, atë të ndërtimit. Ky sektor kontribuon në 16% të PBB-së në vend.

r.l/e.r/NOA

KOMENTE