English


Shamku: Berisha, jepu shkollën 150 fëmijëve të Grudës ose ik

Tiranë, 19 dhjetor, NOA - Në Grudë të Malësisë së Madhe dje protestuan 50 familje, ose mbi 200 shqiptarë për shkak të talljes së radhës së Topallit dhe Berishës për fondet e rrugëve rurale. Një fakt të tillë e ka denoncuar sot, deputetja socialiste, Ledi Shamku, sipas të cilës dy rrugë që lidhin Grudën e skajshme me qendrat e banuara nuk janë shtruar edhe pse fondet janë çelur, por nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion.

"Mashtrimi i radhës i qeverisë për këta shqiptarë. Mashtrimi i radhës i qeverisë për 6 mijë kilometrat e rrjetit rrugor që u nuk bënë kurrë. Ndaj ne i bëjmë apel Jozefinës dhe shefit të saj Saliut, të mos tallen më me banorët e Grudës, por të shtrojnë rrugët ose të largohen", ishte apeli që bëri publikisht deputetja socialiste.

Ajo çka sipas saj i irritoi këta shqiptarë që rrojnë në varfëri të skajshme, është fakti se mungesa e këtyre rrugëve lë mirëfilli pa shkollë mbi 150 fëmijë të këtij fshati.

"Nga sot këta 150 fëmijë rrezikojnë të mbeten analfabetë, çka do të thotë të varfër, të margjinalizuar dhe të pashpresë. Sali Berisha shqiptarët ty të kërkojnë të shkojnë në shkollë, ata nuk janë fëmijët që kanë babain kryeministër. Një shkollë për ta sot është e pamundur. Mos u moho të drejtën e shkollës 150 fëmijëve të Grudës. Sali Berisha, ti shef i analfabetizmit, jepu shkollën këtyre fëmijëve ose largohu", përfundoi Shamku.

n.e/NOA

KOMENTE