English


Tatimet: Kontroll biznesit për kasat, nuk tolerojmë më

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 19 Dhjetor NOA - Pas situatës së vështirë financiare në të cilën ndodhet buxheti i shtetit, por edhe pas skadimit të afatit për vendosjen e kasave regjistruese, autoritet fiskale paralajmërojnë se do të ketë ndëshkime të ashpra për ata që nuk e instalojnë këtë pajisje.

Shumë prej bizneseve të kryeqytetit kanë kaluar në sitën e kontrollit të tatimeve gjatë këtyre ditëve duke konkretizuar aksionin ndaj bizneseve që nuk e kanë zbatuar këtë detyrim.

Orest Lleshi, inspektor hetimi në tatime i tha sot agjencisë kombëtare të lajmeve NOA, se janë kryer 720 kontrolle në Tiranë, nga të cilat janë marrë 65 sanksione duke u vendosur 100 mijë lekë të reja gjoba.

Afati ligjor që biznesi i madh dhe ai VIP të pajisej me kasa ishte 31 maji i vitit 2009, por rezulton se një pjesë e bizneseve e kanë shpërfillur ligjin.

Por tatimorët paralajmërojnë se, në rast se biznesi rikontrollohet dhe sërish nuk e ka vënë kasën, atij do t'i bllokohet aktiviteti ekonomik deri në tre muaj.

Kasa fiskale është një pajisje e cila tregon xhiron reale të biznesit e për rrjedhojë kjo situatë do të ndikojë në reduktimin e evazionit fiskal.

Për qeverinë ky proces do të përkthehet në më shumë para për arkën e shtetit, ndërsa për biznesin ka ardhur koha që të jetë më transparent në aktivitetin e tij, duke shmangur informalitetin.

r.l/e.r/NOA

KOMENTE