Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Përgjigjja që gjendet në Shkodër
English

Përgjigjja që gjendet në Shkodër

Atje, në zonat e përmbytura përreth Shkodrës, mund të shihej me lehtësi fytyra reale e administratës shqiptare. E asaj makine gjigante, të ngathët dhe të paaftë të vetëfunksionojë, që di të bëjë vetëm një gjë me përpikmëri: t'i bindet urdhrave që vijnë nga lart

Nga Andi Bushati*

Ndërkohë që në Tiranë është ndezur debati politik lidhur me shkaqet natyrore apo gabimet njerëzore që shkaktuan përmbytjen katastrofale të veriut të vendit, mjafton të largohesh afro 100 km nga kryeqyteti për të kuptuar se problemi real është krejt i ndryshëm. Se furia e ujërave që shpërthyen nga kaskada e Drinit, përpara zonave të nën-Shkodrës, ka nxjerrë në pah "përmbytjen" e administratës shqiptare.

Mosefikasitetin, çorientimin dhe paaftësinë e atyre njerëzve dhe organizmave që në Tiranë trumbetohen si shpëtimtarët e kësaj katastrofe. Nëse ka një dështim real dhe të pamohueshëm, është vetëm ky.

Të gjithë reporterët e shtypit që kanë lundruar këto ditë mbi ujërat e fryra të Bunës (pra jo ata që kanë ndjekur vizitat e personaliteteve), kanë parë vërtet policë që kishin disa ditë pa gjumë, po që reagonin pa pikë profesionalizmi. Ata njerëz sa vullnetmirë aq edhe të çorganizuar i ngjanin më shumë çetave me bashibozukë, sesa punonjësve korrektë të rendit.

E njëjta gjë ndodhte edhe me trupat e ushtrisë që vërtet ishin të preokupuar për të shpërndarë ushqime e për të lundruar në ujëra të rrezikshme, por që bënin njëkohësisht veprime kontradiktore, ku gjithmonë urdhri i fundit zhvleftësonte paraardhësin.

E njëjta gjë ndodhte edhe me punonjësit e OSSH, që herë ua hiqnin dhe herë ua risillnin dritat zonave të përmbytura dhe në të dyja rastet gjenin një justifikim serioz për një masë të tillë.

Vetëm në pak orë, unë isha dëshmitar në dhjetëra raste, kur forcat e sigurisë nuk lejonin banorët të ktheheshin në shtëpitë e tyre të përmbytura, me justifikimin se ishte dhënë urdhri për evakuim të përgjithshëm.

E me këtë arsyetim ata refuzonin t'i shoqëronin këta banorë me mjetet e tyre të lundrimit. Por, të njëjtët njerëz lejonin që nën hundën e tyre këta banorë të shkonin drejt shtëpive me varka të bëra në mënyrë artizanale dhe shumë më të rrezikshme për jetën e tyre.

Vetëm në pak orë unë pashë se si forcat e policisë të ardhura nga Gjakova trajtoheshin me shumë edukatë e mirësjellje, por askush, përpos edukatës, nuk qe në gjendje t'i ofronte një detyrë, një mision këtyre policëve profesionistë, që dukej sikur kishin kaluar kufirin vetëm për të dredhur zinxhirin anës Bunës.

E njëjta gjë ndodhte edhe me ata punonjës që përgjigjeshin për energjinë dhe e ndalonin atë me arsyetimin bindës se, nëse ajo binte në kontakt me ujin, rrezikohej të kishte viktima.

Por të njëjtët punonjës, sa herë gjendeshin përballë presionit të të përmbyturve, se nuk kishin me se të jetonin e me se të mbushnin celularët, nëse kishin nevojë të bënin apel për ndihmë, qenë të gatshëm të tërhiqeshin.

E njëjta gjë ndodhte edhe me ata përgjegjës komunash, të cilët, sa herë merrnin kërkesën e ndonjë zone të izoluar për furnizim me bukë e me ujë, përgjigjeshin në mënyrën më absurde, se ata ishin urdhëruar të merreshin vetëm me evakuimin e të rrezikuarve dhe nuk përgjigjeshin për gjë tjetër.

Me pak fjalë, shteti ishte më tepër se prezent në zonat e përmbytjes, por kjo prezencë e shumëfishtë e bënte edhe më të prekshme paaftësinë, moskoordinimin dhe mosefikasitetin e hallkave të tij. Për rreth 10 mijë hektarëve tokë të shkatërruara e të përmbytura, endeshin pa fund zyrtarë të mesëm, komunarë të zgjedhur, elektricistë të papërtueshëm, policë vullnetmirë, e ushtarakë të kudondodhur.

Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje as merakun dhe as devotshmërinë e tyre, por të gjithë ata së bashku të krijonin idenë e një trupi të vetëm pa kokë, që ka vullnet, por që s'ka mendim, që ka energji, po s'di ku t'i shkarkojë, që ka bonsens por s'di ç'të bëjë me të.

Atje, në zonat e përmbytura përreth Shkodrës, mund të shihej me lehtësi fytyra reale e administratës shqiptare. E asaj makine gjigante, të ngathët dhe të paaftë të vetëfunksionojë, që di të bëjë vetëm një gjë me përpikmëri: t'i bindet urdhrave që vijnë nga lart. Pikërisht atje në ato zona mund të shihet qartë zotësia reale e shtetit. Dhe si pasojë e gjithë këtyre pikërisht atje, më mirë se në Tiranë, mund t'i jepet përgjigje edhe dilemës që gëlon në kryeqytet: nëse e gjithë kjo hata ishte vërtetë pasojë e një zinxhiri gabimesh njerëzore.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE