English

Rama: Urgjent lekë në dorë, për çdo familje të përmbytur

FOTOT

Tiranë, 11 Janar NOA - Kryetari i partisë Socialiste Edi Rama në një prononcim sonte për mediat kërkoi që shteti të zhdëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe me lekë në dorë të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Rama kritikoi qeverinë dhe vlerësoi se "situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, as kur mbi veri dhe mbi liqenet e hidrocentraleve ka rënë shumë më tepër shi e ka rrjedhur shumë më tepër borë e shkrirë, sepse nuk ka pasur asnjëherë më parë Shqipëria në krye të kësaj pune njerëz që të mbledhin ujin e hidrocentraleve jashtë çdo kufiri logjik e kriteri shkencor për të bërë lekë".

Këtu shefi i opozitës tha se Berisha ende nuk ka mbledhur qeverinë për të përcaktuar të gjitha kriteret për nxjerrjen sa më parë të shumës së dëmshpërblimit për të përmbyturit, "të cilët ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, të cilat sipas nesh janë gjithsesi të zvogëluara ndjeshëm, po i mbyt me një ujë që po të ishte menaxhuar si duhet Fierza do të kishte prodhuar jo përmbytjen apokaliptike të qarkut të Shkodrës, por 457.638 MWh energji elektrike. Që e llogaritur me çmimin minimal, përbën një humbje për shtetin e për shqiptarët të barabartë me 3 miliardë e 523 milionë lekë të reja".

Rama tha se janë plot 35 milionë dollarë të shpërdoruara vetëm duke mos e përdorur ujin në kohën e duhur për energji, po duke e mbledhur jashtë arsyes për babëzi.

"Sali Berisha nuk mund t'u thotë shkodranëve se KESH-i që i përmbyti do t'u kompensojë çdo qindarkë, po duhet t'u thotë, një orë e më parë, se me ta nuk do të ndodhë si me të shkretët banorë të Gërdecit, ca të nënës e shumë të njerkës, dhe se ai, njeriu që duhet t'ua kishte kursyer këtë shkatërrim duke mos u bërë palë me priftin e korrupsionit, do të marr me çdo kusht përsipër t'i kompensojë qindarkë për qindarkë dëmet e tyre", - apeloi z.Rama.

Këtu ai theksoi se qeveria duhet të nxjerrë, "urgjent, lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe s'mund të mbajë frymën gjallë, as duke pritur thesin me miell, që edhe kur vjen shumë shpesh nuk ka ku gatuhet, as duke shitur lopën për 5 ditë bukë".

e.r/NOA

KOMENTE