English

Shkodra pas përmbytjes, ISHP lejon konsumin e ujit

Tiranë, 11 janar NOA - Instituti i Shëndetit Publik deklaron se uji i pijshëm në qytetin e Shkodrës është i konsumueshëm dhe niveli i tij i ndotjes, brenda normave të lejueshme.

Pas analizave të kryera gjatë këtyre ditëve në rrjetin e ujësjellësit të qytetit në lagjen "Bahcallëk", specialistët e drejtorisë së shëndetit publik në Shkodër kanë dhënë miratimin për hapjen e ujësjellësit të qytetit.

Ky ujësjellës qëndronte i mbyllur prej disa ditësh për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet.

Sipas drejtorit të ISHP, Alban Ylli, nga monitorimi i zonës, situata e ujit të pijshëm duket normale.

"Bashkë me specialistët e shëndetit publik të qytetit ne kemi analizuar prej disa ditësh nivelin e ndotjes në këtë ujësjellës e mendojmë se është në normat e lejuara ndërsa përsa i takon sëmundshmërisë nuk kemi asnjë të dhënë për ndonjë sëmundje", u shpreh Ylli.

Ndërkohë në komunat dhe zonat e izoluara nga përmbytjet vazhdon ofrimi i shërbimit shëndetësor 24 orë.

Sipas burimeve zyrtare nga ministria e Shëndetësisë, nga inspektimi i zonave të izoluara nga përmbytjet nuk ka rritje të sëmundshmërisë ndërkohë që vazhdon furnizimi me medikamentet e nevojshme për përballimin e situatës emergjente.

b.m/NOA

KOMENTE