English

"Keqkuptimi" i Kamysë, shfaqja e re në Teatrin e Metropolit

Tiranë, 15 janar, NOA Nga Milena Selimi - "Keqkuptimi", është një dramë ekzistencialiste nga Albert Kamy, e cila do të jepet si shfaqje në fillim javën e ardhshme në datat 18, 19 , 20 janar 2010 në sallën Çehov të Teatrit të Metropolit. Regjisorja-studente Oriana Cama ka menduar të sjellë këtë vepër, ku në qendër të vëmendjes është moskomunikimi ndërmjet njerëzve. Mbyllja në vetvete, tjetërsimi i individit, shpërbërja e shoqërisë njerëzore, janë disa nga boshtet ku aktorët do të interpretojnë ekzistencialin jo të lehtë, Albert Kamy.

Njerëzit përballen çdo ditë me shoqërinë edhe pse janë të ndryshëm me të. Një dramë kjo tek e cila, lumturia nuk arrihet kurrë dhe njeriu prek vetëm vuajtjet e jetës dhe mbetet skllav i jetës së vuajtur.

Një dramë ku luftojnë e mira me të keqen, e drejta me të pa drejtën, gënjeshtra me të vërtetën dhe njeriu ndodhet në dilema të pazgjidhshme.

Të gjithë jemi pjesë e një shoqërie, të cilën nuk e shmangim dot dhe pse hera-herës kjo shoqëri përbën absurdin për ne.

Ne nuk e shmangim, por jetojmë brenda saj. Përpiqemi të mbyllemi duke krijuar rrethin tonë vicioz. Duke e kthyer qënien njerëzore të ftohtë, pa ndjeshmëri, pa të kaluar dhe pa të ardhme...

n.e/NOA

KOMENTE