English

Kërkesat e minatorëve, Sindikatat: Qeveria po i neglizhon

Tiranë, 15 janar NOA - Minatorët i janë rikthyer sërish kërkesave ekonomike të parealizuara, të cilat edhe për këtë vit të ri do të jenë qëllimi i protestave të tyre.

Kryetari i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri, ka deklaruar se deri tani nuk ka asnjë dritë jeshile nga ana e qeverisë.

"E vetmja gjë pozitive e 2009 ishte takimi që zhvilluam me ministrin e shtetit Genc Pollo i cili na premtoi se do të negocionte për një takim mes përfaqësuesve të minatorëve dhe kryeministrit. Por që nga ajo kohë s'ka asgjë të re për këtë çështje", tha kreu i sindikatës së minatorëve.

Ai i ka bërë thirrje dhe sindikatave të tjera siç janë metalurgët t'i bashkohen protestave pasi kërkesat e tyre janë të përbashkëta.

"Ne ndajmë të njëjtin shqetësim me shumë sindikata të punonjësve që punojnë në profesione të vështira si ne psh, metalurgët, për moshën e pensionit e cila në kërkesat tona është 50 vjeç ndërsa qeveria ka vendosur që ajo të jetë 60 vjeç.

Ndaj ne i bëjmë thirrje të gjithë sindikatave t'i bashkohen protestave tona të cilat do të nisin menjëherë pas normalizimit të situatës në veri të vendit", tha Xibri.

Këto deklarata sindikata e minatorëve i bëri gjatë një ceremonie që u organizua në përkujtim të grevës së parë në Valias në vitin 1990.

Grevë e cila shënoi fillimin e revoltës kundër regjimit komunist të atëhershëm në Shqipëri.

b.m/NOA

KOMENTE