English

Meta takohet me Presidentin e Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqyri Subashi

Tiranë, 15 janar NOA - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot Presidentin e Kryqit të Kuq shqiptar, Shyqyri Subashi.

Gjatë këtij takimi u diskutua rreth situatës aktuale në zonën e Shkodrës si dhe rreth punës që po bëhet nga Kryqi i Kuq shqiptar për t'u ardhur në ndihmë familjeve të prekura. Gjithashtu, u diskutua edhe mbi kontributin e Shqipërisë, dhe në veçanti të Kryqit të Kuq shqiptar, për të lehtësuar pasojat katastrofike të tragjedisë natyrore që ka goditur popullin e Haitit gjatë ditëve të fundit.

Subashi, pasi e njohu Metën me punën e Kryqit të Kuq shqiptar në veri të vendit, i shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen që qeveria shqiptare ka dhënë dhe vazhdon të japë ndaj kësaj organizate humanitare.

Gjithashtu, duke pasur parasysh fatkeqësinë e jashtëzakonshme natyrore që ka goditur Haitin këto ditë, Subashi u shpreh se Kryqi i Kuq shqiptar ka vendosur të kontribuojë një shumë modeste prej 15 mijë dollarësh, për t'i ardhur në ndihmë popullit të Haitit.

Meta u shpreh se, pavarësisht përmbytjeve në Shqipëri, populli shqiptar nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj në katastrofe të këtyre përmasave, dhe për këtë arsye, shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e Qeverisë shqiptare për këtë akt domethënës humanitar, si një dëshmi e qartë e solidaritetit që populli shqiptar tregon ndaj popullit Haitian.

"Dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm me Kryqin e Kuq shqiptar por edhe me gjithë organizatat e tjera humanitare në përballimin e kësaj situate emergjente por edhe për një bashkëpunim sa më të fortë edhe në të ardhmen, pasi Kryqi i Kuq shqiptar ka luajtur gjithnjë një rol të rëndësishëm dhe ka qenë gjithnjë pranë njerëzve kur ata janë dëmtuar apo kanë pasur vështirësi" tha Meta para mediave.

"Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar në zbutjen sa më shpejtë dhe sa më të mirë e sa më të plotë për të gjithë njerëzit që ndodhen sot përballë kësaj fatkeqësie. Njëkohësisht, vlerësojmë shumë bashkëpunimin shumë të mirë që kemi arritur me Qeverinë, me Komitetin Ndërministror që funksionon në Shkodër. Kryqi i Kuq shqiptar, ashtu sikurse të gjitha shoqatat e Kryqit të Kuq dhe i Gjysëm Hënës së Kuqe, janë shoqata të pavarura, por kanë për të marrë ato angazhime që mendoj se mund të arrihen për t'u realizuar e për t'i bërë këto në transparencë të plotë e në bashkëpunim me të gjithë faktorët veprues dhe në rradhë të parë me Qeverinë" u shpreh Subashi.

KOMENTE