English

PS, Qefalia: Berisha të mbajë larg duart nga provat e katastrofës

Tiranë, 15 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia doli sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i ka kërkuar kryeministrit Berisha të mos fusë duart në provat e katastrofës në veri të vendit.

"Sot po hymë në dhjetëditëshin e dytë që Shkodra dhe komunat e saj vuajnë pasojat shkatërrimtare të përmbytjes së shkaktuar nga hapja e portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit.

Banorët e Shkodrës, Obotit, Dajçit, Velipojës panë t'u zhdukej nën furinë e ujit gjithçka që kishin pronat, shtëpitë, bizneset, punën e mundin e një jete të tërë, prandaj bëhet imperative që drejtësia shqiptare të zbardhë të vërtetën dhe përgjegjësitë për këtë katastrofë.

Ekziston sot një proces i cili ka për synim pikërisht zbardhjen e kësaj katastrofe. Por fatkeqësisht ekzistojnë të dhëna që flasin për një përpjekje për të manipuluar e për të fshehur provat, regjistrat dhe rekordin e procedurave të ndjekura nga autoritetet për menaxhimin e rezervave ujore të hidrocentraleve" tha Qefalia.

Sipas tij, Partia Socialiste i bën thirrje Sali Berishës që të mos guxojë të fusë duart në provat e kësaj katastrofe, sepse kjo do të ishte një përpjekje e kotë për t'iu shmangur të vërtetës.

Gjithashtu Qefalia në emër të opozitës i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë me shpejtësi dhe korrektësi për të zbardhur të vërtetën dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë jo vetëm shkaktarët e tragjedisë por, edhe për të parandaluar çdo përpjekje të mundshme për të manipuluar provat.

k.k/NOA

KOMENTE