English

Deputetët socialistë shpërndajnë ndihma në Shkodër

Shkodër, 16 janar NOA - Deputetë të qarqeve Fier, Tiranë dhe Shkodër kanë shpërndarë sot ndihma ushqimore në një prej lagjeve periferike të qytetit të Shkodrës.

Në Livadhe deputetët Ilir Beqja, Ndue Kola, Ledi Shamku, Ervin Koçi e Arben Çuko kanë shpërndarë sasinë e paketave ushqimore për banorët e kësaj lagjeje.

Deputetët e Fierit kishin sjellë për banorët e komunës Bushat të Shkodrës ndihma me ushqim për bagëtitë, duke qenë se ky ishte një prej problemeve të ngritura dhe më shumë në Shtabin e Ndihmës të ngritur nga PS në këtë qark.

Ata kanë dëgjuar banorët të shprehen për shpërndarje jo korrekte të ndihmave nga strukturat qeveritare.

Një grua, nënë me 4 fëmijë tregon: "Në këtë ditë të vështirë vijnë e thonë më ka çuar shteti me marr numrin e dritave me marr lekët. S'di gjë se çfarë duan të bëjnë me ne?! Ne s'na vjen kurrkush. Partia Demokrate ka ardhur deri këtu dhe ka ik s'na ka pru asnjë send. S'më ka ardhur asnjë ndihmë as për fëmije e as për mua.

Ndërsa një tjetër grua e moshuar rrëfen: "Kam ujë një metër e 20 cm brenda. as nuk më kanë sjellë asnjë ndihmë. Ndihma vijnë po mua s'më jep askush asgjë. Kanë ardhur të Partisë Demokratike dje dhe i kanë nda ndihmat në lagjen tjetër ata nuk kanë qenë të përmbytur hiç."

Deputeti i qarkut Shkodër Ilir Beqja, për interesin e medias u shpreh: "Sot përsërisim kërkesën tonë që qeveria e Sali Berishës pasi i përmbyti këta njerëz duhet tu gjendet pranë dhe i kërkoj me insistim që të fillojë në mënyrë të menjëhershme një asistencë financiare që këta njerëz të mund të vazhdojnë jetesën minimale të përditshme.

Ndërkohë i bëj thirrje Sali Berishës, të mos heqë vëmendjen nga Shkodra, pse raportohet që ka rënë gjysmë metri apo një metër niveli i ujit në Bunë"

Të rinjtë e FRESSH Shkodrës janë angazhuar në terren prej rreth dy javësh.

Ata në ditëlindjen e forumit të tyre nuk festuan, por vazhduan të jenë aty pranë familjeve që kanë nevojë për ndihmë: "Në këtë përvjetor të 18 të FRESSH jemi në Shkodër në krah të familjeve që kanë nevojë për ndihmë dhe solidaritet, në vend të organizimit të një feste në Tiranë. Kontribuojmë për shkodranët e përmbytur në këtë ditë të shënuar për FRESSH. Falënderojmë ata qindra të rinj që na janë bashkuar dhe do t'i bashkohen forumit rinor të Shkodrës dhe Shtabit të Emergjencës në mbledhjen e kontributeve, vëzhgimin e zonave dhe ndarjen e ndihmave në këto ditë dramatike të qytetit tonë."

k.k/NOA

KOMENTE