English

Haiti i shkatërruar, në pritje të ethshme për ndihma

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar vlerësoi se prej 45 deri në 50 mijë banorë kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit, duke u bazuar në të dhënat e Kryqit të Kuq të Haitit dhe ato të zyrtarëve të Qeverisë. Me qindra kufoma ishin vendosur dje para morgut të qytetit, ndërsa vlerësohet se një numër shumë i madh i njerëzve ende gjenden nën gërmadhat e objekteve të rrënuara

Nga Associated Press Punëtorët humanitarë të cilët po synojnë të shpërndajnë ushqim, ujë dhe gjëra të tjera në Port-Au-Prince, thonë se atyre duhet t'iu ofrohet një siguri më e madhe në kohën kur banorët e dëshpëruar të Haitit po presin ardhjen e ndihmave pas tërmetit katastrofal që goditi vendin e tyre. Paqeruajtësit e OKB'së të cilët po patrullojnë në kryeqytetin e Haitit, theksuan se hidhërimi i njerëzve është duke u shtuar për shkak se ndihmat nuk janë shpërndarë me shpejtësinë e duhur. "Për fat të keq, hidhërimi i tyre është duke u shtuar dhe njerëzit kanë filluar ta humbasin durimin", deklaroi David Vimhurst, zëdhënës i misionit paqeruajtës të OKB'së, i cili komandohet nga Brazili. "Frikësohem se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se situata po tendoset gjithnjë e më shumë", shtoi ai. Agjencia e OKB'së Programi Botëror i Ushqimit (ËFP) theksoi dje se depoja e saj është plaçkitur pas tërmetit. Zëdhënësja e kësaj agjencie me seli në Gjenevë, Emilia Casella, theksoi se në qytet janë plaçkitur edhe dyqanet e ushqimit. Ajo shtoi se ËFP është duke përgatitur transportin e ushqimit në sasi të mjaftueshme për të ushqyer për një muaj rreth dy milionë banorë të Haitit. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar vlerësoi se prej 45 deri në 50 mijë banorë kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit, duke u bazuar në të dhënat e Kryqit të Kuq të Haitit dhe ato të zyrtarëve të Qeverisë. Me qindra kufoma ishin vendosur dje para morgut të qytetit, ndërsa vlerësohet se një numër shumë i madh i njerëzve ende gjenden nën gërmadhat e objekteve të rrënuara. Për banorët e shumëvuajtur të Haitit, shtetit më të varfër në hemisferën perëndimore, shoku si pasojë e tërmetit po ia lëshon vendin dëshpërimit. "Kemi nevojë për ushqim. Njerëzit po vuajnë. Fqinjët dhe miqtë e mi po vuajnë. Nuk kemi para. Nuk kemi asgjë për të ngrënë. Kemi nevojë për ujë të pastër", deklaroi 22 vjeçari Sylvain Angerlotte. Duke filluar nga Evropa, Azia dhe Amerika, më shumë se 20 qeveri, agjenci të OKB'së dhe agjenci private për ndihma, kanë dërguar ushqim, ujë të pastër, tenda, pajisje të rënda për heqjen e rrënojave, helikopterë dhe mjete tjera për transport. Me qindra ekipe shpëtimtare dhe mjekësore gjithashtu janë nisur për në Haiti. ËFP'ja ka organizuar qendra për distribuimin e ushqimit dhe ujit, theksoi Kim Bolduc, ushtruese e detyrës e shefes së misionit të OKB'së në Haiti. Ajo theksoi se fakti se nuk ka raporte për plaçkitje gjithëpërfshirëse është i jashtëzakonshëm, por shtoi se rreziku i shpërthimit të trazirave sociale është tejet i madh, duke nënvizuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me shpejtësi. Qeveritë dhe agjencitë qeveritare kanë premtuar ndihma në vlerë prej 400 milionë dollarësh, përfshirë këtu edhe 100 milionë dollarë nga SHBA'ja. Por, në ditën e tretë pas tërmetit katastrofal me fuqi prej 7.0 shkallësh të Rihterit, rrjedha e ndihmave u pengua për arsye të porteve të dëmtuara dhe pasi aeroporti u mbyll për tetë orë, për shkak të mungesës së hapësirës për aterrimin e aeroplanëve. Banorët në Port-Au-Prince vazhduan të qëndrojnë nën qiell të hapur, me shpresë se do marrin ndihma. Grupe të vogla të njerëzve mund të shiheshin duke i varrosur të vdekurit skaj rrugëve. Por, një numër i madh i të vdekurve mbetet i pavarrosur, duke shtuar kështu rrezikun për shëndetin e të mbijetuarve. Inxhinierët nga radhët e misionit të OKB'së kanë filluar t'i pastrojnë disa rrugë kryesore, ndërsa për rregullin dhe ligjin tani në tërësi po kujdesen 3 mijë ushtarët dhe policët ndërkombëtarë, të cilët veprojnë në kuadër të misionit. Javën tjetër pritet që në Haiti të zbarkojnë rreth 5500 ushtarë dhe marinsa amerikanë. Ata do të jenë përgjegjës për ruajtjen e sigurisë, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs. Pjesëtarët e policisë së Haitit nuk mund të shihen askund, pasi shumë prej tyre janë të detyruar të përballen me humbjen e shtëpive dhe të anëtarëve të familjes.

KOMENTE