English

Kryeministri Hashim Thaçi prezantoi sot strategjinë për veriun e Mitrovicës

Prishtinë, 16 janar NOA - Qeveria e Republikës së Kosovës në takimin e sotëm të saj ka diskutuar në mes tjerash edhe për Strategjinë për Veriun e Kosovës, të cilën e ka prezantuar kryeministri Hashim Thaçi.

"Ka ekzistuar nevoja për një strategji të re aktive, një strategji kjo e cila është në pajtim me dokumentin e Ahtisarit, Kushtetutën e Kosovës dhe në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, e cila do të reflektojë perspektivë demokratike integruese për veriun e Mitrovicës, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i shtetit tonë dhe respektimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe zgjerimi i funksionalizimit të ligjshmërisë në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe përmirësimi i situatës ekonomike gjithashtu", ka thënë kryeministri Thaçi.

Sipas Zyrës për Informim të Kryeministrisë thuhet se kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se kjo strategji përfshin rekomandime dhe orientime për katër fushat kryesore; së pari fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin me themelimin e komunës së veriut, adresimi i qeverisjes vendore në tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike.

Hajdin Islami/NOA
KOMENTE