English

Maqedonishtja e detyrueshme në klasë të parë, mollë sherri

Shkup, 16 janar, NOA - Mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë prej nxënësve shqiptarë vazhdon të jetë një mollë sherri e politikës ditore. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov ka kërcënuar se do tua marrë kompetencat komunave, të cilat nuk respektojnë detyrimin për mësimin e gjuhës maqedonase nëpër shkollat shqipe dhe komunitetet e tjera jomaqedonase që nga klasa e parë.

Ministri Todorov ka nënvizuar se vendimi është ligjor dhe nuk ka bazë për vlerësim të kushtetutshmërisë. Derisa këtë e ka bërë të ditur ministri i kabinetit Gruevskit, organizata joqeveritare "Realiteti" nga Shkupi dje ka dorëzuar deri te Gjykata Kushtetuese iniciativën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të ministrit të arsimit që fëmijët të cilët nuk i përkatësin etnitetit maqedonas, të detyrohen ta mësojnë maqedonishten nga klasa e parë.

"Ky vendim thyen rëndë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, gjegjësisht neni 8 i Kushtetutës ku thotë, dominimi i ligjshmërisë në shtet dhe ndarja e pushteteve do të thotë kemi përzierje këtu të ekzekutivit në pozicionin e ligjvënësit. Gjithashtu mendojmë se neni 51 i kushtetutës ku citoj çdokush është i obliguar të respektoj kushtetutën dhe ligjin paramendoni kur ballafaqohemi me një situatë ku vet ministri nuk e respekton ligjin sidomos atë për arsim fillor", ka deklaruar kryetari i OJQ-së "Realiteti", Valon Bela. Edhe organizata "Illyricum Libertas" është solidarizuar kundër vendimit të ministrisë së arsimit. "Qëndrimet e këtij ministri janë shoviniste, por ajo që do të kërkojmë është të bojkotohet mësimi. Ne do të takohemi me Këshillat e prindërve në ditët në vazhdim për ta sqaruar përfundimisht çështjen e bojkotit dhe që ta bëjmë këtë bojkot sa më të koordinuar. Si mjet i fundit i reagimit demokratik mbetet protesta e qetë kundër vendimit", ka theksuar kryetari i "Illyricum Libertas", Valon Kurtishi.

Ky problem po ndiqet me kritika të forta edhe nga ana e sociologëve dhe pedagogëve. Prof.dr. Metush Sulejmani kundërshton në mënyrë shkencore vendimin e Ministrisë së Arsimit. "Mësimi i kësaj gjuhe edhe në aspektin psiko-fizik, edhe në atë pedagogjik-didaktik nuk do të duhet të lejohet që nga klasa e parë sepse bëhet fjalë për një moshë tepër të re, kur ky nxënës akoma nuk e zotëron gjuhën e vet amtare dhe jo më gjuhët e huaja", ka theksuar ligjëruesi universitar Metush Sulejmani.

Me fillimin e gjysmë vjetorit të dytë, pritet a do të aplikohet ose jo mësimi i gjuhës maqedonase nga filloristët shqiptarë.

NOA-INA

KOMENTE