English

Operacioni "Butiku", arrestohet i dyshuari si hajdut dyqanesh, kërkohet një tjetër

Durrës, 16 janar, NOA - Forcat e policisë në kuadër të operacionit "Butiku" kanë mundësuar zbulimin e një grupi kriminal që vidhte dyqane dhe lokale në qytetin e Durrësit.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA duke saktësuar se i ndaluari që akuzohet për drejtimin e këtij grupi është 53-vjeçari Vasil Toni, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit.

Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka përvetësuar një sasi sendesh të vjedhura si televizor plazmo 32-polësh, aparat dixhital etj, nga një lokal duke i fshehur ato në një mjedis tjetër.

Po kështu, filloi procedimi penal në mungesë edhe ndaj 23-vjeçarit Harallamb Ndoni, nipi i Vasil Tonit, pasi dyshohet të ketë vjedhur disa lokale e butikë edhe ai në qytetin e Durrësit.

Konkretisht, policia rendit rastin e vjedhjes me thyerje të butik "Nino Vitali", ku është marrë një sasi mallrash prej 2 milionë lekësh; atë të butik "Fashion" ku janë marrë mallra me vlerën e 5 milionë lekëve; vjedhja e kishës ortodokse ku kane vjedhur tre ikona si edhe vjedhja e lokalit "Bar Bafe - Jona" në qytetin e Durrësit.

Eshtë bërë shpallja në kërkim e këtij personi, ndërsa po vazhdon puna për kapjen dhe ndalimin e tij, ndërsa po punohet edhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit të këtij grupi kriminal.

n.e/NOA

KOMENTE