English

Ambasadori i KE-së dhe i Spanjës takojnë Presidentin Bamir Topi

Tiranë, 19 janar NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së BE-së.

Dy diplomatët e lartë i prezantuan Kryetarit të Shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet madhore dhe sfidat që duhet të përballim për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate.

Kryetari i Shtetit u shpreh i bindur për bashkëpunim të plotë me Presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE-së në Tiranë në synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

Në këtë kontekst, Presidenti shprehu angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për vazhdimin e luajtjes së rolit pozitiv dhe konstruktiv në rajon si dhe përmbushjen e kushteve dhe standardeve që do të mundësojnë si liberalizimin e regjimit të vizave, ashtu edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë bisedës, u diskutua gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi. Në këtë takim, Ambasadori Lohan dhe Ambasadori Montobio, pasi e njohën kreun e shtetit shqiptar me programet dhe objektivat e ardhshme të Bashkimit Evropian, sidomos pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimit të strukturave të reja drejtuese, shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar.

k.k/NOA

KOMENTE